Tri hapa larg Europës

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Sikur disa vite më parë të na thonin se mjaftonin tri ligje që të na hapej dera për të filluar procesin e hyrjes në Bashkimin Europian do të kishim fluturuar nga gëzimi. Ka vende si Turqia, Gjeorgjia, Armenia etj që edhe sot do ta ëndërronin një shans të tillë. Të gjitha vendet para Shqipërisë e ato pas nesh (nëse do të ketë të tilla) as që do të mendoheshin dy herë për ta hequr këtë pjesë të lehtë të punës për anëtarësim.
Shqipëria sigurisht është ndryshe. Nëse nuk ka pengesa ia ngremë vetë vetes. U bë një vit e gjysëm me këto tri ligje të shkreta. Se çfarë mendojnë për në Bruksel nuk do shumë fantazi që ta imagjinosh. Plus që një pjesë të mirë të gjërave, herë “me lezet” e herë plasurazi, na i kanë thënë.
Votuesit nuk e kanë vrarë mendjen shumë për takt. Euro-anketimi i përvitshëm tregon që shumica e qyetarëve të BE-së që janë pyetur, nuk e duan Shqipërinë në Europë. Disave u duket se po hymë vetëm për të përfituar nga mundësitë financiare, të ulemi në gosti pa nxjerrë para nga xhepi. Të tjerë na gjykojnë sipas disa kriminelëve që kanë parë gjithnjë e më shpesh në median e tyre lokale. (Të gjithë bëjnë krime, po nuk e di se si ia dalim të bëjmë gjithnjë krime që mbahen mend e që bëjnë përshtypje të jashtëzakonshme.)
Mbi të gjitha kjo është dështim i asaj që njihet si diplomaci publike.
Më interesantja këtu është që shqiptarët jetojnë e sillen sikur çdo gjë është në rregull. Festimet e 100-vjetorit të shtetit ishin një burim i jashtëzakonshëm krenarie. Në fushatë zgjedhore që po fillon të gjitha partitë janë në garë për të ngritur lart figurën e shqiptarit në sytë e votuesit. Nuk ekziston as dëshira minimale për vetëshqyrtim, për shpjegim të prapambetjes, për justifikim se pse 22 vite pas komunizmit jemi ende jashtë Bashkimit Europian etj.
Serbia bëri katër luftra, gjakosi gjithë Ballkanin, vazhdon të sfidojë Europën në Kosovë e në Bosnje, e përsëri është më përpara se Shqipëria në rrugën e anëtarësimit në BE. Mund të thuash sa të duash që Serbinë po e favorizojnë, serbët nuk do ta linin punën për tri ligje të mjera. Do t’i kishin aprovuar dhe do ta kishin lënë topin në duart e Europës. Pastaj po mund të ankoheshim se po na diskriminojnë.
Partia Socialiste është fajtorja kryesore se po i bllokon votat në Kuvend. Ajo kërkoi diçka në shkëmbim dhe kjo iu refuzua nga Partia Demokratike në pushtet. Çfarëdo që të kishte qenë nuk e ka vlerën e heqjes së pengesës së fundit për të hyrë në BE. PD mund të fajësojë sa të dojë PS-në, po ajo është pjesëtare e fajit.
Partia Socialiste, në të vërtetë, dëshiron që në BE Shqipëria të hyjë kur të jetë ajo në pushtet. “Më mirë jashtë Europës, sesa ta marrë meritën Sali Berisha”. Sot, kjo është diçka “shqiptare” dhe jo trimëritë e numëruara në 28 Nëntor. Koha e atyre trimërive ka ikur me kohë. Ata nuk jemi më ne. Ne jemi këta që për inat të njëri-tjetrit mbetemi në bisht të Ballkanit.
Sigurisht, edhe Sali Berisha e PD nuk shquhen për zemërgjerësi. Në vitin 2008, kur Shqipëria hyri në NATO, kryeministri e paraqiti si sukses të PD-së, anashkaloi bashkëpunimin e opozitës dhe e shfrytëzoi arritjen për fushatën zgjedhore të vitit 2009.
Tani PS imagjinon që nëse pranon të votojë ato tri ligje, Berisha do të bëjë fushatën me temën e BE-së. Do u thotë shqiptarëve: “Gjatë mandatit të parë ju futa në NATO, tani ju futa në paradhomën e BE-së, më votoni edhe njëherë dhe e plotësoj procesin”.
Tani mund të bëjmë moralin që kombi duhet të jetë mbi partitë, por në praktikë ndodh gjithnjë e kundërta.
Në një botë ideale, Rama e Berisha do të kishin dalë përkrahu në tribunë dhe do t’u kishin thënë shqiptarëve: “Na votoni për vlerat e tjera se sa për BE-në nuk kemi asnjë dallim. Të dy duam që të integrohemi sa më shpejt dhe të dy do të bëjmë çmos për të ndihmuar në këtë drejtim”.
Në fakt, fushata do të jetë kryesisht për të treguar se si kundërshtari është arsyeja se pse nuk po hymë në BE.
Duke bërë një hap më tej, Berisha duket se po tenton ta nxjerrë tërësisht nga loja Partinë Socialiste. Ai po propozon idenë e një referendumi në të cilin populli do të ketë mundësi të thotë në ditën e zgjedhjeve nëse është apo jo kundër votimit të tri ligjeve që na ndajnë nga Europa.
Ky është një veprim shumë i zgjuar zgjedhor. Sigurisht që të gjithë do të votojnë në favor. Edhe socialistët vetë kur i pyet thonë se janë dakord me votimin e tri ligjeve. Nuk ka pra ndonjë kuriozitet se si do të dalë votimi. Synimi është vetëm që në dhomën e votimit, zgjedhësve t’u kujtohet se cila parti po përpiqet t’i fusë në Europë dhe cila po i vonon.
Socialistët druheshin se po t’i votonin tri ligjet, Berisha do ta përdorte arritjen në zgjedhje. Mirëpo asgjë nuk fituan. Berisha përsëri po e përdor çështjen në zgjedhje. Duket se Rama nuk po del dot nga qerthulli strategjik që i ka thurrur Berisha përreth tij. Si t’i votonin si të mos i votonin ligjet, llogaria rrezikon të dalë po njësoj. Nga kjo pikëvështrimi duket sikur më mirë t’i kishin hequr qafe ato ligje.
Socialistët kanë një argument të mirë për vonesën e tyre. Ata thonë se nuk është mungesa e ligjeve në letër që e pengon hyrjen e Shqipërisë në BE, por mungesa e zbatimit të tyre në praktikë. Vërtet çfarë vlere kanë ligjet e aprovuara nëse nuk zbatohen?
Ironia e kësaj pune është se çfarë vlere ka të kesh të drejtë nëse nuk arrin të zgjidhesh. Socialistët janë kaq të konsumuar nga kënaqësia e të pasurit të drejtë e nga vajtimi i padrejtësive saqë harrojnë që asnjë prej këtyre nuk garanton fitoren në zgjedhje. Berisha nga ana e tij, megjithë kritikat që i bëhen për fjalë të fryra e shpesh pozicione të çoroditura ka treguar një sens praktik të habitshëm. Ai thotë fjalët që duhet në kohët e duhur. E nëse fiton edhe kësaj here zgjedhjet, socialistët seriozisht duhet të rishikojnë mënyrën se si bëjnë politikë dhe kush ua bën politikën.