Trump përsërit qëndrimin për zgjedhjet e 2020-ës, minimizon dhunën e 6 janarit, refuzon të shprehet qartë për luftën në Ukrainë

Uashington, 11 maj 2023 – Ish-presidenti Donald Trump këmbënguli në qëndrimin e tij për zgjedhjet e vitit 2020, minimizoi dhunën e 6 janarit 2021, refuzoi të shprehet qartë për luftën në Ukrainë dhe sfidoi përfundimin e jurisë këtë javë se ai ishte përgjegjës për abuzim seksual ndaj ish-gazetares E. Jean Carroll.

Në një debat në shtetin Nju Hampshër të organizuar nga televizioni CNN, drejtuar nga gazetarja Kaitlan Collins dhe me një audiencë republikane dhe të pavendosurish, ish-presidenti vazhdoi të këmbëngulte se zgjedhjet kishin qenë “të manipuluara”, edhe pse zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore dhe federale, zyrtarët e fushatës së tij, dhe shumë gjykata i kanë hedhur poshtë akuzat e tij.

Zoti Trump gjithashtu minimizoi në mënyrë të përsëritur dhunën e shkaktuar nga turma e mbështetësve të tij që sulmuan Kapitolin më 6 janar në një përpjekje për të ndaluar certifikimin e fitores së Presidentit Joe Biden.

Përkundrazi, ai tha se ishte i prirur të falte “një pjesë të madhe” të të pandehurve të 6 janarit nëse rizgjidhet.

Ai gjithashtu tha se nuk kishte pse t’i kërkonte falje ish-nënpresidentit të tij, Mike Pence, i cili ishte vendosur në shënjestër të turmës.

“Unë nuk mendoj se ai ishte në rrezik,” tha ai duke shtuar se në fakt ishte zoti Pence që “kishte gabuar”.

Zoti Trump përsëri këmbënguli në diskutimin e së mërkurës se nuk e njihte zonjën Carroll, megjithëse e sulmoi atë ashpër.

Zoti Trump refuzoi në mënyrë të përsëritur të thoshte nëse do të nënshkruante një ndalim federal të abortit nëse do t’i takonte atij të nënshkruante, duke thënë se ai do të “negocionte” në mënyrë që “njerëzit të jenë të kënaqur”.

“Unë kërkoj një zgjidhje funksionale,” tha ai.

Zoti Trump refuzoi gjithashtu të thoshte nëse dëshironte që Ukraina të fitonte luftën ndaj Rusisë.

Moderatorja Collins e pyeti zotin Trump nëse ai e mbështeste Ukrainën.

“Unë nuk mendoj se kush fiton dhe kush humbet. Unë mendoj se si ta zgjidhim në mënyrë që të ndalim vrasjet”, tha ai.

Debati që shënoi edhe kthimin e zotit Trump në CNN ishte i tensionuar. Ish-presidenti Trump e ka sulmuar vazhdimisht rrjetin televiziv dhe në debatin e së mërkurës e ofendoi gazetaren Collins.

Megjithatë ekipi i zotit Trump e pa ftesën nga CNN si një mundësi për të tërhequr një grup më të gjerë votuesish.

(Zëri i Amerikës)