Trupat e 146 personave nxirren nga një varrezë masiv në Izium

Kiev, 19 shtator 2022 – Ekspertët mjeko-ligjorë ukrainas kanë zhvarrosur deri më tani 146 trupa, kryesisht civilë, në një vend varrimi masiv pranë qytetit të Iziumit në Ukrainën lindore dhe disa mbajnë shenja të një vdekjeje të dhunshme, tha guvernatori rajonal të hënën (19 shtator).

Presidenti Volodymyr Zelenskiy ka thënë se rreth 450 trupa besohet se janë varrosur në një pyll në periferi të Iziumit, i cili u rimor së fundmi nga forcat ukrainase gjatë një kundërofensive në rajonin e Kharkivit.

Oleh Synehubov, guvernator i rajonit Kharkiv, tha se trupat e zhvarrosur përfshinin dy fëmijë.

“Disa nga të vdekurit kanë shenja të një vdekjeje të dhunshme. Ka trupa me duar të lidhura dhe gjurmë torturash. Të ndjerit u gjetën gjithashtu me plagë eksplozivi, predhash dhe thikash,” shkroi zoti Synehubov në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Ekspertët mjeko-ligjorë, të veshur me kostume të bardha mbrojtëse dhe me doreza gome, kanë punuar në mënyrë metodike prej ditësh për zhvarrosjen dhe identifikimin e trupave, varret e improvizuara të të cilëve ishin shënuar me kryqe druri të dobët.

Serhii Bolvinov, shefi i departamentit hetimor të policisë së Kharkivit, i tha agjencisë Reuters disa prej trupave të dekompozuar, gjë që e bëri të vështirë përcaktimin e dëmeve të shkaktuara ndaj tyre.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov hodhi poshtë të hënën akuzat e Ukrainës si një “gënjeshtër”.

Banorët kanë thënë më parë se disa nga varret në pyll ishin të njerëzve që vdiqën në një sulm ajror rus.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*