Trupat e KFOR-it shpërndajnë protestuesit serbë në Zveçan, sulmohen me mjete të forta

Prishtinë, 29 maj 2023 – Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, i kanë shpërndarrë protestuesit serbë që ishin grumbulluar  para ndërtesës së komunës së Zveçanit.

Ata kanë hedhur edhe gaz lotësjellës për të shpërndarë protestuesit që kanë shpërfillur urdhëresën për shpërndarje. Një pjesë e protestuesve kanë rezistuar dhe janë përplasur me pjesëtarët e KFOR-it, ndërsa disa të tjerë i kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it me gurë e mjete të tjera të forta forta, me shishe xhami dhe me koktej molotovi. Ata i kanë rrokullisur kontejnerët e mbeturinave për të penguar lëvizjen e automjeteve të Policisë së Kosovës.

Raportohet se janë lënduar disa ushtarë të KFOR-it dhe disa protestues.

Midis protestuesve që kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it kanë qenë edhe disa persona të maskuar, të cilët i kanë dëmtuar automjetet e KFOR-it e të Policisë së Kosovës, automjetet e disa mediave nga Kosova dhe nga Shqipëria, si  dhe kanë shkaktuar incidente të tjera të rënda.

Një automjet i Policisë së Kosovës dhe një automjet i televizonit TëVë 1 nga Prishtina janë djegur nga protestuesit.

Paraprakisht, trupat e KFOR-it u kanë bërë thirrje protestuesve që të shpërndahen, por ata nuk janë bindur dhe kanë vazhduar të qëndrojnë para ndërtesës së komunës. Një pjesë e protestuesve kanë qëndruar ulur para se të hidhej gaz lotësjellës.

Më herët janë shpërndarë edhe protestuesit serbë në Zubin Potok, por kanë paralajmëruar se do të protestojnë sërish të martën.

KFOR-i ka bërë të ditur se në këto tri komuna e ka shtuar prezencën për të parandaluar eskalimin e mëtejmë të situatës, e cila është tensionuar prej të premtes, më 26 maj.

KFOR-i bëri të qartë se është i gatshëm “të ndërmarrë të gjitha masat për të ofruar një mjedis të sigurt, në një mënyrë neutrale dhe të paanshme”, në bazë të mandatit që e ka.

Të hënën në mëngjes, grupe të serbëve janë mbledhur para ndërtesave të komunave në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, në protestën kundër udhëheqjes së këtyre komunave me shumicë serbe nga kryetarët e rinj, të gjithëë shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga serbëët.

Në hapësirat rreth ndërtesave të komunave ishin vendosur forca shtesë të Policisë së Kosovës dhe të misionit paqeruajttës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Rreth ndërtesave ishin vendosur edhe barriera metalike dhe tela gjemborë, për të parandaluar hyrjen me dhunë të protestuesve brenda në ndërtesa.

Në Zveçan protestuesit kanë provuar të hyjnë me dhunë në ndërtesë, por janë zbrapsur nga pjesëtarët e policisë së Kosovës, të cilët janë detyruar të përdorin edhe sprej lotëësjellës.

Në Leposaviq dhe në Zubin Potok nuk ka pasur përpjekje të protestuesve për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave.

Udëheqësit e Listës Serbe, partisë që kontrollohet nga Beogradi, kanë kërkuar nga përfaqësuesit e KFOR-it që të mos e pengojnë hyrjen e punëtorëve të komunave paralele serbe në ndërtesat komunale. Pasi nuk e kanë arritur këtë qëllim, ata kanë shtruar dy kushte për shpërndarjen e protestuesve: kryetarët e rinj të komunave, konsiderohen jolegjitimë, të mos lejohen të hyjnë më në zyrat e komunave, dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen plotësisht nga pjesa veriore e Kosovës.

Sipas raportimit të medies, numri i protestuesve të mbledhur para ndërtesave komunale ka ardhur duke u zvogëluar me kalimin e kohës.

(r.m.)