Turqia kërkon nga Kosova “veprime konkrete” kundër gylenistëve

Prishtinë, 28 dhjetor 2021 – Turqia kërkon që Kosova të ndërmarrë “veprime konkrete” kundër mbështetësve të idhëheqësit fetar turk Fetullah Gylen, kundërshtarit më të madh politik të Presidentit turk, Recep Tayip Erdogan.

Kjo kërkesë është bërë sot në Prishtinë nga ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar.

Në konferencën e përbashkët për medie me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, Akar ka thënë se organizata FETO e Fetullah Gylenit nuk është kërcënuese vetëm për Turqinë, por mund të jetë kërcënuese edhe për Kosovën.

“Kemi takime edhe në kuadër të çështjes së FETO-s, në mënyrë që të ndërmerren hapa konkretë në këtë aspekt. Kjo nuk është e kërcënuese vetëm për shtetin tonë, por mund të jetë kërcënuese edhe për shtetin e Kosovës. Në këtë aspekt, nga miqtë tanë kosovarë dhe institucionet kosovare presim të mdërmarrin veprime konkrete”, ka thënë Akar.

Kjo është një kërkesë e përsëritur e autoriteteve të Turqisë.

Në mars të vitit 2018, autoritetet e Kosovës i patën arrestuar dhe transferuar në Turqi gjashtë shtetas turq, punëtorë  të institucionit arsimor “Gulistan” në Kosovë.

Arrestimi dhe tranferimi i tyre ishte bërë në një operacion të organizuar dhe të realizuar nga shërbimet e inteligjencës të Turqisë dhe të Kosovës. Operacioni është vlerësuar i kundërligjshëm nga një komision hetimor i Kuvendit të Kosovës.

Për shkak të këtij operacioni, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme të Kosovës ishte detyruar të jepte dorëheqje, ndërsa drejtori i Agjencisë së Kosovës të Inteligjencës ishte shkarkuar nga detyra.

Shtetasit turq të ishin arrestuar në Kosovë janë dënuar me shumë  vitë burg në Turqi, pasi janë shpallur anëtarë të organizatës “Hizmet” të Gylenit.

Autoritetet turke e akuzojnë këtë organizatë për grusht-shtetin e dështuar të vitit 2016 në Turqi.

(r.m.)