Twitter bllokon llogaritë që reklamojnë qëndrimet e ish-Presidentit Trump

Twitter-i konfirmoi të enjten se ka mbyllur disa llogari në këtë faqe sociale, të cilat kanë reklamuar postime në internet të ish-Presidentit Donald Trump.

Në fillim të kësaj jave ish-Presidenti tha se në faqen e tij në internet do të shkruante komente që vinin siç tha “drejtpërdrejt nga tavolina e Donald J Trump”.

Faqja u bë publike pak përpara se bordi i pavarur mbikëqyrës i Facebook-ut të mbështeste të mërkurën vendimin për ndalimin e llogarisë së zotit Trump në këtë media sociale.

Twitteri njoftoi se ato llogari në Twitter me emra që ofrojnë temat që nxit zoti Trump dhe që kërkojnë të amplifikojnë postimet në faqen e tij të internetit u mbyllën.

“Bazuar në politikat tona ne do të ndërmarrim masa ndaj atyre llogarive qëllimi i dukshëm i të cilave është të zëvendësojnë ose reklamojnë përmbajtje të lidhura me një llogari të mbyllur”, i tha agjencisë AFP një zëdhënës i Twitter-it.

Twitter tha se e ka mbyllur përfundimisht llogarinë e zotit Trump pas sulmit të dhunshëm të 6 janarit në Kapitol, sepse ekzistonte rreziku që ai të nxiste më tej dhunë, pas disa muajsh postimesh ku vinte në diskutim fitoren e zgjedhjeve presidenciale nga ana Joe Biden-it.

(Zëri i Amerikës)