U dënuan Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti e Hajrullah Fejza

Ilir Tolaj është dënuar me 18 muaj burg,  Hajrullah Fejza me 8 muaj, kurse Arbenita Pajaziti me 8 muaj, me kusht. Bujar Bukoshi, Ismet Hyseni, Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha janë liruar nga të gjitha akuzat. Prokurorja Maria Bamieh ka paralajmëruar se do të bëjë ankesë.

Prishtinë, 18 qershor 2013 – Një trup gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe të vendit, i ka shpallur fajtorë tre persona të përfshirë në “rastin e Ministrisë së Shëndetësisë”. Katër të akuzuar të tjerë janë liruar nga të gjitha akuzat.

EULEX-i njoftoi se Ilir Tolaj, ish sekretar i përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, është shpallur fajtor për veprën penale të nxitjes së falsifikimit të dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje dhe për shmangie të tatimit, ndërsa është liruar nga akuzat tjera. Tolaj është dënuar me një dënim të përgjithshëm prej 18 muajsh burgim dhe me gjobë prej 1.000 eurosh. Atij i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo në shërbimin publik për 3 vjet. Arresti shtëpiak i Ilir Tolajt ka përfunduar dhe tani pritet marrja e një vendimi të ri.

Arbenita Pajaziti, ish-zyrtare për farmaci në të njëjtën ministri, është shpallur fajtore për dy pika të aktakuzës për falsifikimin e dokumenteve, njërën prej tyre në bashkëkryerje. Pajaziti është dënuar me një dënim të përgjithshëm prej 8 muajsh burgim, me kusht për një periudhë prej 2 vjetësh. Asaj i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik për 2 vjet.

Hajrullah Fejza, ish shef i divizionit për shërbime shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, është shpallur fajtor për dy pika të aktakuzës për marrje të mitos, ndërsa është liruar nga pikat e tjera të akuzës. Fejza ka marrë një dënim të përgjithshëm me burgim prej 8 muajsh. Edhe këtij i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik për 3 vjet.

Bujar Bukoshi, ish-ministër i Shëndetësisë, dhe Ismet Hyseni, ish zyrtari i Prokurimit, Zenel Kuqi, ish-drejtor i Prokurimit, dhe Bekim Fusha, ish-shef i Departamentit Farmaceutik, janë liruar nga të gjitha akuzat.

Prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, ka paralajmëruar se do të ankohet në Gjykatën e Apelit lidhur me vendimet ndaj Bukoshit e Kuqit.

R.M.