U miratua Rezoluta për Luginën e Preshevës

Rezoluta e propozuar nga deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, kërkon mbështetjen e institucioneve të Kosovës për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në këtë rajon dhe të të zhvendosurve në Kosovë

Prishtinë, 6 qershor 2013 – Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten Rezolutën për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në këtë rezolutë, dhjetë pikëshe, kërkohet që Qeveria e Kosovës të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë me kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfshirë drejtat e tyre civile, politike dhe etnike. Po ashtu kërkohët që Qeveria e Kosovës të ketë përkujdesje më të madhe dhe të trajtojë më mirë qytetarët shqiptarë të këtij rajoni që janë shpërngulur në Kosovë.
Rezoluta obligon Qeverinë e Kosovës që të hapë një zyrë në Prishtinë dhe në Gjilan për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të krijojë lehtësi të qarkullimit, shkollimit e afirmimit kulturor, të pajisë me dokumente përkatëse dhe të sigurojë lehtësi të tjera, përfshirë edhe suspendimin e taksës diskriminuese për hyrje në Kosovë.
Rezoluta kërkon që Qeveria e Kosovës të kërkojë reciprocitet të plotë të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës me të drejtat e serbëve pakicë në veri të Kosovës, si edhe të mbështesë nismën për themelimin e një universiteti publik në gjuhën shqipe dhe themelimin e fondit zhvillimor për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Rezoluta u miratua me votat e 74 deputetëve, ndërsa kundër votuan 4 deputetë. Tekstin e rezolutës e lexoi propozuesi i saj, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kryeministri Hashim Thaçi, hoqën dorë nga propozimi që në rezolutë të kërkohej që Kushtetutës së Kosovës t’i shtohej edhe një nen që do ta obligonte Kosovën të interesohet dhe të përkujdeset për pozitën e shqiptarëve jashtë kufijve të Kosovës.
Debati lidhur me tekstin e rezolutës ishte shteruar në seancën e kaluar, por ajo nuk ishte vënë në votim, për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm për votim në Kuvend.
(R. M.)