U nda nga jeta miku i shqiptarëve, senatori 89-vjeçar Frank Lautenberg

Frank R. Lautenberg, i cili nga një djalosh i varfër në Paterson u bë një biznesmen multimilioner si dhe senatori me karrierën më të gjatë që përfaqësoi New Jersey-n (Nju Xhersin) në Senatin Amerikan, u nda nga jeta, të hënën, në moshën 89 vjeçare. Ai vdiq si pasojë e një pneumonie virale, bëri të ditur zyra e tij.
Senatori më i vjetër në moshë si dhe veterani i fundit i Luftës së Dytë Botërore në Senat, Lautenberg-u është përballur me probleme shëndetësore që prej fundit të vitit të kaluar, periudhë kjo gjatë së cilës ai nuk arriti të merrte pjesë në një radhë javësh votimi në Senat për shkak të asaj që ai e cilësoi si “grip dhe bronkit”.
Presidenti Obama i dërgoi ngushëllimet e tij familjes dhe e cilësoi Lautenberg-un “një njuxhersian krenar që si qytetar realizoi ëndrrën amerikane, ndërsa si qytetar dhe senator luftoi për ta mbajtur gjallë atë ëndërr”.
Shqiptarët nuk kanë nevojë të mësojnë nga presidenti i sotëm për për senatorin veteran nga shteti ku banojnë mijëra prej tyre. Shumë aktivistë shqiptaro-amerikanë e kanë njohur personalisht, e kanë mbështetur në fushata dhe e kanë pritur në shtëpitë dhe restorantet e tyre.
Senatori Lautenberg ka qenë një mbrojtës i hershëm i të drejtave të shqiptarëve në Kosovë. Veç të tjerash, ai vizitoi Ballkanin dhe u takua me Presidentin Rugova në nëntorin e vitit 1998, kur sapo kishte mbaruar një fazë e rëndësishme e luftës në Kosovë dhe e ardhmja ishte ende e paqartë.
Bashkë me kolegun e Partisë Republikane, Senatorin Bob Dole, Senatori Frank R. Lautenberg kreu veprimin e rrallë të marrjes pjesë në një seancë të Dhomës së Parfaqësuesve ku kongresistët po diskutonin shkeljen e të drejtave në Kosovë nga regjimi i Millosheviçit.
Ndonëse i rënduar nga mosha ai mbeti i interesuar dhe i vëmendshëm ndaj zhvillimeve në rajon.
Lautenberg kishte deklaruar në shkurt se nuk do të kandidonte më, por kishte ende plane që e mbanin aktiv në Senat. Për herë të fundit u shfaq në Washington në 16 maj. Shumë kolegë të tij, nuk e prisnin këtë humbje pavarësisht nga mosha e shkuar dhe problemet shëndetësore të senatorit.
Për ta, për familjen, për miqtë e qytetarët në New Jersey, e për shqiptaro-amerikanët që e njohën dhe punuan me të, ai do të mbetet i paharrueshëm. (Përgatiti Viktoria Paloka)