U promovua libri “Enigma e poezisë” i Sabri Hamitit

Prishtinë, 23 shtator 2021 – Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të mërkurën, me 22 shtator 2021, u promovua libri më i ri i akademik Sabri Hamitit “Enigma e poezisë”.

Akademik Eqrem Basha, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të akademisë, dhe se libri “Enigma e poezisë” i kushtohet kryekëput poezisë shqipe,por edhe enigmës së përkthimit, të poezisë nga Rexhep Ismajlit. Ai tha se diagonalet që krijon Hamiti me Fishtën, Shantojen, Koliqin, Camajn dhe një varg krijuesish të shekullit të kaluar, veçanërisht të dy dhjetëvjetëshave të parë të këtij shekulli, dëshmon përkushtimin dhe kompetencën e autorit që “ta shpalojë enigmën, rrugën që gjurmon magjinë e poezisë”.

“Është ky një ‘dialog me libra të shënjuar të autorëve modernë që e kanë zgjedhur lexuesin apo që i ka zgjedhur lexuesi’ paralajmëronte ai vetë në paraqitjen e këtij projekti”,tha Basha.

“Të mësuar me përkujdesjen e tij që të na ofrojë gjithnjë botime tematikisht të përcaktuara, rreth një boshti dhe rreth një koncepti, libri që e kemi në dorë (…) na orienton dhe na udhëzon të zbërthejmë dhe të lexojmë më qartë, kësaj here, artin e poezisë”, u shpreh Basha.

This image has an empty alt attribute; its file name is Sabri-Hamiti_ne-promovimin-e-librit-Enigma-e-poezise.jpg

Prof. dr. Persida Asllani, studiuese dhe pedagoge e letërsisë në Universitetin e Tiranës, tha se “Enigma e poezisë” i përfshin së bashku në një sistem edhe poetët, edhe përkthyesit edhe kritikët.

“Po e them qënë hyrje se shkrimi për poezinë, e sidomos atë lirike, e mat vetveten te pamundësia për ta shpjeguar thelbin e poezisë përveçse si enigmë: enigmë e krijimit, enigmë e leximit dhe, së fundi, e interpretimit. Prandaj titullin e veprës që na mbledh këtu sot, si miq të autorit e të letërsisë, e lexoj si pohimin e tij se poezia mbetet e tillë, enigmë që mrekullon, enigmë që josh e sidomos që sfidon leximin dhe analizën kritike. Dhe po si enigmë ajo i hapet bujarisht vetëm leximit e interpretimit që e poetizon atë – e shndërron në poezi të enigmës së shkrimit e të krijimit. Ky libër është prova”, theksoi ajo.

Prof. dr. Dhurata Shehri, po ashtu studiuese dhe pedagoge e letërsisë në Universitetin e Tiranës, tha se libri “Enigma e poezisë” i Sabri Hamitit “na propozon një sistemim e sistem të komplikuar e të nyjëtuar shumëfishëm të interpretimit të poezisë ‘së re’ shqipe”.

Ajo tha se Sabri Hamiti “konsakron klasiken moderne të modernitetit të tretë, pra të bashkëkohësisë së poezisë shqipe të shekullit XXI”,ndërsa librin “Enigma e poezisë” e cilësoi si antologji të intepretimit të poezisë shqipe të shekullit të ri.

“Antologjia që ndërton Sabri Hamiti është e trefishtë, duke shkuar gradë gradë drejt thelbit të thelbit të poezisë: përzgjidhen në varg ngushtimesh – autorë, libra, poezi, deri tek lexuesi që mund ta lexojë përzgjedhtas antologjinë e shumfishtë në secilin prej propozimeve, pra, edhe një antologji e interpretuar e trembëdhjetë autorëve të poezisë shqipe të shekullit të ri, edhe një antologji e trembëdhjetë librave të poezisë shqipe të shekullit të ri, edhe trembëdhjetë poezi, kanoni personal i shijimit e vlerësimit të saj”, tha Shehri.

Prof. dr. Nysret Krasniqi, studiues e pedagog i letërsisë në Universitetin e Prishtinës, anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, tha se libri “Enigma e poezisë” është “studim analitik e fenomenologjik i poezisë moderne shqipe”.

Krasniqi, i cili është edhe recensent i librit “Enigma e poezisë”, tha se ky libër ka edhe natyrë shkencore dhe, si i tillë, ka edhe karakter utilitar për kulturën letrare shqipe.

“Sa i përket natyrës shkencore të librit mund të themi se, duke njohur përvojën studimore sistematike të Sabri Hamitit, ky libër jetëson harmoninë epistemike të njohjeve teorike-letrare, të cilat janë nënshtresë përcjellëse e leximit dhe rileximit të autorëve të zgjedhur të poezisë shqipe. Pra, ky libër ka fuqinë shkencore, njohëse e hermeneutike, një studim distilues i korpusit të zgjedhur poetik dhe si i tillë merr edhe karakter utilitar për kulturën letrare shqipe në përgjithësi”, u shpreh Krasniqi.

“Mirëpo, njohja e jashtëzakonshme e dijeve teorike-letrare e filozofike nga autori Sabri Hamiti për misterin, enigmën e hapësirën e letërsisë nuk ndikon në robnimin nga referenca. Ngase, fuqia e mendimtarit në letërsi matet kur rivlerëson traditën dhe kur heton evolucionin e saj, madje kur merr guxim të peshojë e të vlerësojë letërsinë që shkruhet sot”, tha Krasniqi.

Autori i librit, akademik Sabri Hamiti, fjalën e tij të rastit e cilësoi si “confession”.

“Sa herë e zë veten ngushtë, poezia më shpëton, si ilaç a si farmakon. Poezia që thur enigmën duke lënë shteg për zgjidhjen e saj. Prandaj, poezia është mirazi i parë dhe i fundit, që mund të jepet dhuratë për lexuesin e panjohur; ashtu dhe miqtë që bëhen bashkëbisedues në tryezën e nivelit të familjaritetit letrar. Për të zgjidhur enigmën, rivizitova poetë, përkthyes e dijetarë të shqipes të shekullit XX dhe të shekullit XXI”, tha ai.

Pastaj bëri nga një tipizim përmbledhës për autorët, përkthyesit dhe kritikët e poezive që përbëjnë lëndën e leximit e rileximit letrar të librit të tij.

“Më në fund, po më duket që sprovat e leximit dhe të kërkimit të enigmës së poezisë ma dhurojnë një njohje: Poezia, si thelb i arteve, nuk është tjetër përpos e vërteta njerëzore e thënë bukur”, theksoi Hamiti.

“Mjeshtëria për të vënë në rrjet poetik botët, duke çelur fjalët e kuptimet, për ta takuar bukurinë, me ndjesi, mendim, intuitë, dije. Ars longa, Vita brevis”, u shpreh ai në mbyllje të fjalës së tij.

“Enigma e poezisë” është libri i pestë i akademik Sabri Hamitit që është botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.

(r.m.)