Uashingtoni jep detaje mbi operacionin për eleminimin e kreut të ISIS në Siri

Uashington, 4 shkurt 2022 – Udhëheqësi i Shtetit Islamik Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurashi vdiq dje në shtëpinë e tij në veriperëndim të Sirisë, ndërsa presidenti Joe Biden e ndoqi operacionin e forcave speciale nga Shtëpia e Bardhë.

“Duke ditur se ky terrorist qëndronte me familjen përreth, duke përfshirë fëmijët, ne bëmë një zgjedhje që i vinte Forcat Speciale në një rrezik shumë më të madh, në vend që ta asgjesonim atë me një sulm ajror. E bëmë këtë zgjedhje për të minimizuar viktimat civile”, tha presidenti Biden.

Zyrtarët amerikanë thonë se forcat speciale u bënë thirrje civilëve që të dilnin nga ndërtesa. Një çift me katër fëmijët e tyre dolën nga kati i parë, përpara se të ndodhte një shpërthim i fuqishëm në katin e sipërm.

“Në një akt të fundit prej frikacaku të dëshpëruar, pa marrë parasysh jetën e familjes së tij, apo të të tjerëve në ndërtesë, ai zgjodhi të hidhte veten në erë, jo vetëm me një jelek, por të hidhte në erë tërë katin, në vend që të përballej me drejtësinë për krimet që kishte kryer”, tha presidenti.

Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa ushtria thotë se trupat njerëzish fluturuan nga ndërtesa. Gjurmat e gishtërinjve dhe analiza e ADN-së konfirmuan se Kureshi vdiq, së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tij. Por rreziku nuk mbaroi me kaq.

“Dy luftëtarë të fshehur mes fëmijëve filluan të qëllonin kundër forcave amerikane. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, një fëmijë mbeti i vdekur së bashku me dy luftëtarë – një burrë dhe një grua. Pas neutralizimit të këtij kërcënimi, forcat amerikane shpëtuan katër fëmijë të tjerë, duke përfshirë një fëmijë të mitur në katin e dytë”, shpjegon gjenerali Frank McKenzie.

Gjenerali McKenzie tha se misioni përfundoi pasi luftëtarët e armatosur të lidhur me al-Kaidën filluan të afroheshin. Asnjë nga trupat amerikane nuk u vra apo plagos.

Por, Pentagoni thotë se një difekt mekanik në njërin prej helikopterëve i detyroi trupat të zbarkonin larg zonës dhe ta hidhnin helikopterin në erë për të mos rënë në dorë të armikut.

I njohur me disa emra, Kurashi udhëhoqi Shtetin Islamik për më shumë se dy vjet dhe raportohet se ka orkestruar sulmin në burgun Hasakahu muajin e kaluar. Ai ishte në krye të grupit kur dega afgane e Shtetit Islamik kreu sulmin vdekjeprurës në aeroportin e Kabulit vitin e kaluar – dhe më parë ai njihet për rolin e tij në skllavërimin, përdhunimin dhe vrasjen e banorëve jazidë në Irak.

“Ai ishte i përfshirë drejpërdrejt në veprime. Të gjithë duhet të jemi të lumtur që nuk është më në faqen e dheut”, tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby

Zyrtarët amerikanë e quajtën vdekjen e tij një goditje të madhe për grupin terrorist.

(Zëri i Amerikës)