Udhëheqësit e Kosovës dënojnë përpjekjet për mohimin e masakrës së Reçakut

Prishtinë,15 janar 2022 – Udhëheqësit e institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës nderuan të shtunën viktimat e Masakrës së Reçakut dhe të gjitha viktimat e agresorit serb në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani, Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti, bënë homazhe dhe vendosën një kurorë me lule në kompelsin përkujtimor të viktimave të masakrës, në Reçak.

Më pastaj, në Akademinë përkujtimore të organizuar në 23 vjetorin e kësaj masakre, ata dënuan përpjekjet për mohimin e kësaj masakre dhe të  mizorive që kryen forcat militare e paramilitare serbe në Kosovë.

Presidentja Osman, në fjalën e saj,theksoi se askush nuk do të mund ta ndryshojë historinë, pavarësisht motiveve.

“Tendencat për ta mohuar masakrën e Reçakut, janë përpjekje e qartë për rehabilitimin e atyre që kanë kryer krimin. Por, propaganda asnjëherë nuk mund t`i ndryshojë faktet historike. E sidomos jo një të vërtetë që ka ndodhur para syve të të gjithë botës. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit, por edhe shpërfaqje e qëllimit të Serbisë së atëhershme për të zhdukur shqiptarët nga faqja e dheut, e Reçaku është njëra ndër masakrat e shumta të tmerrshme ku u dëshmua ky qëllim”, tha Presidentja Osmani.

“Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është përsëritje e krimit. Por e vërteta për Reçakun është shumë më e fuqishme se çfarëdo propagande nga bashkëpunëtorët e afërt të regjimit të Millosheviqit”, shtoi ajo.

“Historia e dokumentuar nuk mund të ndryshohet dhe as nuk është subjekt i interpretimit. Ndaj një krimi siç ishte masakra e Reçakut, propaganduesit duhet të ndjejnë keqardhje, e në të njëjtën kohë edhe të kërkojnë falje e të sjellin drejtësi”, theksoi Presidentja Osmani.

Kryeministri Kurti tha gjithashtu ser mohimi i krimeve që kanë kryer në Kosovë është përpjekje për të riformulim të historisë. Ai dënoi përpjekjet për rishkrimin e historisë dhe për rehabilitimin e autorëve të krimeve monstruoze të kryera në Kosovë.

“Mohimi i krimit përpiqet që të riformësojë historinë, në mënyrë që të domonizojë viktimat e të rehabilitojë autorët. Mohimi i gjenocidit është faza e fundit e gjenocidit, është ajo që Elie Ëiesel e ka quajtur një vrasje e dyfishtë. Ne e vlerësojmë domosdoshmëri morale të kujtimit. Ne jemi kundër hakmarrjes, ne duam drejtësi dhe ne refuzojmë të harrojmë”, u shpreh Kurti.

Kryeparlamentari Konjufca theksoi se masakra e Reçakut është një ngjarje e dokumentuar.

“Pa dokumentimin e krimeve, as bota nuk do ta dinte se çfarë masakrash po ndodhnin në Kosovë gjatë viteve ’98-99”, theksoi ai.

Konjufca tha se fotografitë e ekspozuara në ekspozitën e hapiur në Reçak, me rastin e23 vjetorit të masakrës, janë dëshmi e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

“Kjo ekspozitë me fotografitë e saj po na e rikthen edhe njëherë vëmendjen në atë se çfarë ka ndodhur dhe po e fakton gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ne duhet ta sensibilizojmë popullin dhe shoqërinë tonë, se në çfarë tmerri ka kaluar vendi ynë”, theksoi Konjufca.

(r.m.)