UEJL dhe Ecolog lidhin bashkëpunim

Kompania Ecolog dhe Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) kanë nënshkruar këto ditë një marrëveshje për bashkëpunim, duke theksuar në këtë mënyrë objektivat dhe vizionin që të dyja palët ndajnë në avancimin e arsimit të lartë dhe zhvillimin e fuqisë punëtore në vend.

Marrëveshja është nënshkruar gjatë një ceremonie solemne në ambientet UEJL-së, nga kryetari i Bordit Këshillëdhënës të kompanisë “Ecolog”, Lazim Destani, dhe Rektori i UEJL-së, Zamir Dika, duke materializuar iniciativën e përbashkët në mes sektorit të biznesit dhe institucioneve të arsimit të lartë, e para e këtij lloji në përmasa të tilla në Maqedoni.

Bashkëpunimi do të zhvillohet në një institut të akredituar të përbashkët për menaxhimin e projekteve për të ofruar programe akademike dhe profesionale të certifikuara dhe trajnime të specializuara në menaxhimin e projekteve në përmbushjen e nevojave specifike të industrisë, duke demonstruar edhe një herë se kompania Ecolog dhe UEJL janë liderë në sjelljen e risive dhe praktikave më të mira.

Kreu i Bordit Këshillëdhënës të Ecolog-ut, biznesmeni i shumërespektuar, Lazim Destani, duke cilësuar UEJL-në si universitet model në rajon, ka deklaruar se bashkëpunimi i tillë do të ndihmojë sektorin e arsimit por dhe atë të biznesit, për të ecur në koherencë me zhvillimet moderne. Destani ka falënderuar drejtuesit e UEJL-së, ndërsa ka risjellë në vëmendje “rëndësinë e përshtatjes së programeve arsimore me kërkesat e biznesit, me qëllim sigurimin e një tregu atraktiv punësimi dhe të një perspektive më të mirë për studentët e diplomuar”.

“Nga kjo ide u zhvillua një program i përbashkët i nivelit master, i cili do t’u përgjigjet kërkesave të tregut dhe pritjeve të studentëve. Ky program i përbashkët do t’i kombinojë në mënyrën më të mirë të mundshme përvojat akademike dhe ato praktike, të cilat do të sjellin vlera të reja si për kompaninë, ashtu edhe për rajonin tonë. Kompania jonë është në bisedime edhe me disa universitete tjera të vendit dhe të rajonit, në mënyrë që të zhvillojmë programe arsimore të interesit të përbashkët, që ngjashëm si ky do të përputhen me realitetet e kompanive me shtrirje globale”, ka deklaruar Destani, duke uruar që marrëveshja të rezultojë me sukses dhe të bëhet, siç është shprehur, “shembull i bashkëpunimit të mirëfilltë mes sektorit akademik dhe atij të biznesit, që do të hap mundësi drejt përparimit të shoqërisë sonë”.

Në anën tjetër, Rektori i UEJL-së, Dika, i ka shprehur mirënjohjet e tij kompanisë Ecolog, për kontributin e pakursyer në jetësimin në ciklin e dytë të programit studimor – Menaxhimi i projekteve. Dika ka falënderuar veçanërisht biznesmenin Destani dhe familjen e tij.

“Familja Destani dhe kompania Ecolog kanë dhënë një kontribut dhe kanë bërë një investim të madh, jo vetëm në realizimin e këtij programi studimor, por edhe në punësimin e këtyre ekspertëve nesër, duke shtuar besimin tek punëdhënësit se këta të rinj dhe të reja, do të jenë në gjendje t’u bëjnë ballë sfidave të ekonomisë tregut global. Tani, është koha për të pasur një kuadër profesionist, duke u nisur nga fakti se sot gjithnjë e më shumë po shtrohet nevoja për përgatitjen e ekspertëve me dije të shekullit 21, dije këto që bazohen në metodat e teknologjisë së informacionit dhe komunikimin në menaxhim dhe përgjithësisht në biznesin ndërkombëtar”, ka theksuar Dika.

I pari i UEJL-së, ka vlerësuar prirjen për bashkëpunim që ka treguar familja Destani, e cila përkundër shtrirjes së saj ndërkombëtare, ka vazhduar bashkëpunimin me UEJL-në, për ngritjen e arsimit modern.
“Këtu, theksi bie gjithsesi në ndryshimet e përmbajtjeve që ofron ky projekt studimor, duke e integruar mësimin me praktikën, mu ashtu siç kërkon ekonomia e së sotmes dhe e së ardhmes, pra ashtu siç është edhe vetë vizioni i kompanisë Ecolog. Arsyeja më e madhe e këtij bashkëpunimi qëndron, mbi të gjitha, në vullnetin e mirë të të dyja palëve për të siguruar zbatimin e tendencave të reja në arsimin pasuniversitar”, ka deklaruar Dika.

Marrëveshja ndërmjet UEJL-së dhe kompanisë Ecolog parasheh bashkëpunimin në të gjitha aspektet e zhvillimit dhe ofrimit të programit të ciklit të dytë Menaxhimi me Projektet (duke përfshirë, por jo edhe duke u kufizuar vetëm në dhënien e një numri të konsiderueshëm të bursave në bazë të meritës për këtë program), përgjegjësitë e përbashkëta në zhvillimin dhe dizajnimin e kurrikulave (planprogrameve) dhe në shpërndarjen e njohurive gjatë gjithë programit nga profesorët e UEJL-së dhe ekspertët e lëndës me përvojë të gjerë nga industria dhe kualifikimet e njohura akademike në dispozicion për kompaninë Ecolog nëpërmjet qendrave të brendshme të dijes dhe rrjetit të gjerë të kompanisë Ecolog.

Programi i ciklit të dytë Menaxhimi me Projektet është program i akredituar nga Bordi i akreditimit dhe vlerësimit të Republikës së Maqedonisë dhe është dizajnuar t’i plotësojë standardet e cilësisë së lartë akademike dhe profesionale. Mësimdhënia do të jetë plotësisht në anglisht dhe në bazë të metodologjisë moderne të mësimdhënies interaktive, me punë seminarike, studime rasti nga jeta reale dhe të mësuarit praktik nëpërmjet punës praktike në kompaninë Ecolog.

Përvoja e kompanisë Ecolog dhe UEJL-së, së bashku me nevojat e industrisë, është plotësisht e mishëruar në njohuritë ndërdisiplinare, shkathtësitë dhe kompetencat që studentët do të fitojnë si pjesë e këtij programi, i cili synon të siguroj të kuptuarit teorik dhe praktik të ciklit të jetës së projektit dhe të gjitha fushat e njohurive të tij. (Zhurnal)