Uilsonizëm apo Leninizëm

Cikël historik me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane

Si zakonisht të zhytur në sherret tona të brendshme, të pafundshme e meskine, ngritëm lart apo bëmë artificialisht përherë të pranishëm në kujtesën e shqiptarëve emrin e Vladimir Iliç Leninit dhe e shtymë në periferi të memories kombëtare atë të Udrou Uillsonit

 

Nga Ylli Polovina

Kur në glob ndodhi që shpërtheu Revolucioni Socialist i Tetorit, një kataklizmë politike dhe sociale e cila tronditi gjithë njerëzimin dhe si të ishte një përplasje planetare e ndryshoi fatin e tij, Udrou Uillsoni (Woodrow Wilson) dhe Vladimir Iliç Lenini u ndodhën përballë njëri-tjetrit. Në dy këndet më të largëta e të kundërta të globit udhëhiqnin dy shtetet më të mëdhenj të tij, tashmë me sisteme shoqërore shumë të anasjella. Që nga ky çast fati dhe misioni i tyre ishte të dëshmonin se për të gjithë popujt modelet politike që përfaqësonin qenë alternativa më e mirë. Ato ishin aq shumë të kundërta, të papërputhshme dhe të papajtueshme sa që nga njerëzimi do të pranohej vetëm njëri: ose ai amerikan ose ai sovjetik. Rrugë të mesme zhvillimi nuk kishte.
Lufta e Ftohtë thuhet se lindi menjëherë pas përplasjes së nxehtë ushtarake të viteve 1939-1945, por në të vërtetë ajo fillesat i ka që në 1917, me betejën ShBA-Bashkimi Sovjetik.
Ajo ka qenë shumë e gjatë dhe e koklavitur. Në tetë dekadat e saj të përleshjes për të mundur rivalin pati që në ditët e para, që në themel, dy figura shumë inteligjente për opinionin politik në vendin e tyre, por edhe në botë, që të dyja me forcë të madhe karizmatike dhe ndikuese, ndryshuese: Uillsonin dhe Leninin.
Nuk qenë të rëndomtë as njëri dhe as tjetri, por shumë të aftë për të hyrë dhe qëndruar në histori, secili nën zhguallin e meritave të tij.
Presidenti amerikan, i rizgjedhur dy herë, më 1912 dhe 1916, në fund të vitit njëzetë, edhe sikur të mos ishte goditur nga pabesia e një sëmundjeje, nuk do të mund të vijonte më të qe në krye të ShBA-ve dhe të rendit shoqëror që mbronte. Pas mandatit të tij maksimal në krye të bashkimit të pesëdhjetë shteteve federale amerikane do të vinte një president tjetër, Voren Harding (Warren Gamaliel Harding), i cili prej një vdekjeje të parakohshme do ta ndërpriste jetën në gjysmë të mandatit të parë, në gusht 1923.
Në kronikat e kohës ai është regjistruar si një ndër presidentët më të meta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kështu ylli i Udrou Uillsonit shkëlqeu edhe më shumë. Madje edhe pse ndaj tij veproi me zell edhe një opinion, i cili nuk mungoi t’i hedhë mbi shpinë kritika se qe person naiv, aspak pragmatist, jo shumë realist, tepër utopik.
Mirëpo Uillson qe mbi të gjitha një idealist i madh.
Idealet janë motive të larta, jo përherë të pëlqyeshme prej atyre që orientohen nga interesat e ditës dhe nga përfitimet materiale. Idealet nuk kanë vetëm forcë të madhe morale, por janë edhe realitetshndërruese.
Udrou Uillson ishte plotësisht në lartësinë e një burri shteti ndërsa kuptoi se në fatin e njerëzimit regjimet me liri të ndaluara po shfaqeshin si oguri më i zi i atij shekulli të njëzetë dhe se në luftë me këtë kanosje planetare i binte për detyrë historike Shteteve të Bashkuara të Amerikës të ishte në vijë të parë. Ai qe për një botë realisht më të mirë, të prirë veçanërisht nga rregulla drejtësie, mirësie njerëzore, humanizmi dhe morali. Uillson ishte internacionalist i madh dhe duke qenë mbrojtës i shquar i më të dobtëve, qe njëkohësisht edhe i vendeve të vegjël.
Presidenca e tij, veçanërisht në vitet e fundit, arriti të krijojë një doktrinë të tërë me vlera mbarënjerëzore: Uillsonizmin.
Në sistemin shoqëror të një shteti ky ishte kapitalizmi thellësisht demokrat. Në marrëdhëniet ndërkombëtare Uillsonizmi qe mbrojtje për të drejtat e popujve të vegjël.
Uillsonizmi ishte “komunizmi” i vërtetë. Me këtë platformë doktrinare dhe vizion global vetëm një president si Udrou mund ta përballonte bolshevikun dinak dhe energjik, me mendje tejpamëse dhe mobilizues magjik i turmave, tiranin e maskuar si liridashës të madh, Vladimir Iliç Leninin.
Ky i vuri përballë shemrit të tij amerikan doktrinën e tij, e cila qe shoqëria komuniste, e zbatuar në një vend posaçërisht shumë të varfër, por që pak nga pak do të bënte për vete e pushtonte edhe shtetet e pasur.
Doktrina e Vladimir Iliçit qe edhe internacionaliste, madje kishte mision të eksportohej, të realizonte revolucionin botëror.
Ajo u quajt Leninizëm.
Në 1918, kur në Paris do të mblidhej Konferenca e Paqes dhe do të luftohej t’i jepeshin zgjidhje shumë problemeve të ndërlikuara territoriale, Uillsonizmi me Leninizmin shënuan një ndër çastet më të fortë të ballafaqimit të tyre.
Për fat të keq që prej këtij momenti kulmor në zemër të Evropës doktrina e Udrou Uillsonit nisi të lihej mënjanë, pse jo edhe të harrohej, kurse Leninizmi u përhap kudo nëpër kontinente. Mendja njerëzore ka prirjen të merret më shumë me rrezikun, se me mungesën e tij. Të ligës, jo të mirës, i bëhen më shpesh lëshime.
Megjithatë me historinë e saj Shqipëria mund t’i provojë botës se Uillsonizmi ka qenë një doktrinë teorike dhe praktike shumë vepruese dhe realiste, ngadhënjimtare.
Në fund të vitit 1917, kur njëri pas tjetrit ose të dy njëherësh, pa u kuptuar mirë cili prej tyre qe i pari, mes shqiptarëve hynë Udrou Uillson dhe Vladimir Iliç Lenini, vendi ynë thjesht kishte ngritur në 28 nëntor 1912 flamurin e pavarësimit, por nuk qe akoma shtet i pavarur. Ndodhej në gjendjen e kundërt. Ishte krejtësisht i pushtuar. Madje qe i copëtuar, çka do të thoshte se përjetonte grahmat e një situate më të keqe se pushtimi. Mund të biesh nën zgjedhën e një shteti të huaj, por njëherësh nën gjashtë të tillë është zi e kaluar zije.
Deri ato çaste kishte patur shqiptarë, por jo Shqipëri. Shtet me emrin Shqipëri deri në atë fund nëntor 1912 nuk kishte ekzistuar kurrë. Ai u shpall për herë të parë nga Ismail Qemali dhe ajo elitë e bukur gjithkombëtare që iu mblodh përreth në qytetin e Vlorës.
Pikërisht kjo Shqipëri për herë të parë, kur Uillson dhe Lenin u shfaqën dhe u spikatën në fatin e botës, ndodhej në buzë të asgjësimit fatal.
Si prijësi i parë ashtu edhe i dyti, edhe pse rivalë doktrinarë të papajtueshëm, ndaj shqiptarëve u afruan me gjeste të njëjta e tërësisht në favor të tyre. Qe një rast shumë i rrallë që dy supershtete të globit nuk ishin për shuarjen e popullit tonë të vogël, siç kaq fort e lakmonin dhe po e realizonin fqinjët tanë serbë, grekë dhe malazezë.
Në rast se një gjendjeje të tillë, nëpërmjet një krahasimi jo shumë të thelluar në të gjitha parametrat ballafaques, por vetëm atë nëpërmjet reagimit të shtypit, do t’i bënim një analizë, do të kuptojmë se gjesti i Vladimir Iliç Leninit ka ushtruar mbi shqiptarët një veprim më të fortë, më gjurmëlënës, se ai i Udrou Uillsonit.
Denoncimi i Traktatit të Fshehtë të Londrës i 26 prillit 1915 nuk zhurmoi vetëm në gazetat e pakta të Shqipërisë ende e mbipushtuar, por edhe në diasporën kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më të fuqishmen mërgatë të shqiptarëve jashtë. Gazeta “Dielli” e marsit 1918, ndërsa për këtë traktat të ligë shprehej se qe “Qefini i Shqipërisë”, për veprën e kryekomunistit bolshevik Vladimir Iliç Lenin shkruante “Ishte sy për të verbrit dhe veshë për të shurdhrit”. Aq e fortë qe vala e zemërimit sa shoqata “Vatra” i shkroi britanikes “The Manchester Guardian” se ajo marrëveshje e pabesë, e hartuar dhe e firmosur fshehtas në kryeqytetin e tyre dhe që përjetë do ta mbante Londrën si vendin e krimit, ishte “një nga aktet ndërkombëtare më të errëta që mund të përmenden”.
Aq e shungulluese ishte vala e indinjatës së shqiptarëve në trojet e tyre sa që autoritet italiane të pushtimit në zonën e tyre të kontrollit bënë përpjekje të sforcuara për ta fashitur shqetësimin dhe zbutur kundërveprimin. Komanda e Truparmatës XVI i porositi prefekturat dhe nënprefekturat në juridiksionin e saj të përhapnin kudo fjalë se gazeta ruse “Izvestija” nuk e kishte bërë publike të gjithë të vërtetën, por me qëllim të keq pati botuar vetëm një variant të parë dhe aspak marrëveshjen e vërtetë, ku sipas tyre italianët nuk qenë shprehur dakord për copëtimin e Shqipërisë.
Për shkak të shumë rrethanave të mëpasshme garimi i Udrou Uillsonit me Vladimir Iliç Leninin për të fituar epërsi mes shqiptarëve (kjo ndodhte edhe me shumë popuj të botës) do të vijonte shumë i thekshëm deri në çastin kur të dy do të ndërronin jetë. Edhe pse nuk qenë të së njëjtës moshë (presidenti amerikan kishte vitlindje 1856-tën dhe kryekomunisti sovjetik 1870-ën), ditëvdekjet iu gjendën shumë afër. Lenini vdiq në 21 janar 1924, kurse Uillsoni në 3 shkurt.
Lajmi për këto dy jetëhumbje u përhap në të tërë globin.
Në trojet shqiptare gazeta “Politika” e vlerësoi Vladimir Iliçin si njeriun që denoncoi traktatet e fshehta dhe e shpëtoi shtetin shqiptar, se i ruajti tërësinë tokësore si edhe pavarësinë. Ajo botoi edhe frazën mallëngjyese “Vdiq Lenini dhe bota qan”. Ndërkohë nëpër faqet e gazetave shqiptare të kohës gjeje për të edhe shprehjen “miku i popujve të vegjël” apo deri edhe gjykime thellësisht ideologjike si “gjeniu i revolucionit socialist”. Në ShBA gazeta “Dielli” e muajit shkurt theksoi “Me vdekjen e Vladimir Leninit shuhet pa fjalë një mendje e thellë që diti, sidomos në kohërat e fundit, të shkulë përgjithnjë rrënjët e zeza të absolutizmit të carëve dhe të ngrejë në shkallën e duhur emrin e popullit”.
Në 4 shkurt, vetëm një ditë pas jetëhumbjes së Udrou Uillsonit, parlamenti shqiptar, i quajtur atëherë Asambleja Kushtetuese, u përfshi në një debat të madh, ngjarje e bujshme e cila gjatë pesëdhjetë viteve të diktaturës asnjëherë nuk u rrëfye në pamjen e saj të vërtetë. Madje që prej këtij çasti ka nisur një nga deformimet më arrogante dhe manipulimet më dinake të historisë shqiptare të shekullit të shkuar. Regjimit i duhej të provonte se idetë komuniste jo vetëm kishin qenë pritur me entuziazëm të madh menjëherë pas triumfit të bolshevizmit në Moskë, por ndjekësit e tyre më pas u shtuan aq shumë sa që përbënin një grup të fortë edhe në parlamentin e kohës.
Kështu do të niste përhapja e imazhit të Fan Nolit sikur ai qe një komunist ose më e pakta një i majtë i bashkëngjitur me marksizëm-leninizmin. U shpall i ngjashëm Avni Rustemi. U la të kuptohej se i tillë qe edhe Luigj Gurakuqi, Barjam Curri dhe Hasan Prishtina po e po. Vetë revolta politike e armatosur e ndjekësve nolistë për të marrë pushtetin u emërtua Revolucioni Demokratik i Qershorit, tamam në një ngjashmëri të hapët me Revolucionin Socialist të Tetorit.
Shtrembërimi i madh i të vërtetës do të ndodhte edhe pas rënies së diktaturës, ku njollimin e Fan Nolit dhe të veprës së tij politike të gjysmës së dytë të vitit 1924, tashmë e morën përsipër kundërshtarë të tij ideologjikë apo antikomunistë fanatikë. Edhe këta e ricilësuan doktrinën dhe veprën e tij politike si të një bolsheviku.
As më shumë dhe as më pak, por agjent të Moskës, do ta quanin Nolin edhe disa letra denoncuese që bashkëkohës të tij të shquar do t’i drejtonin Departamenti Amerikan të Shtetit, pa munguar që këtë gjuhë ta përdornin edhe në ndonjë artikull.
Kështu, si zakonisht të zhytur në sherret tona të brendshme, të pafundshme e meskine, ngritëm lart apo bëmë artificialisht përherë të pranishëm në kujtesën e shqiptarëve emrin e Vladimir Iliç Leninit dhe e shtymë në periferi të memories kombëtare atë të Udrou Uillsonit.
Kur realisht nuk ka qenë asnjëherë kështu. As atë 4 shkurt 1924 kur në Asamblenë Kushtetuese u kërkua të mbahej zi për Leninin. E vërteta është krejtësisht tjetër. Në atë kuvend të elitës politike shqiptare të kohës pati ndodhur në fillim vetëm propozimi që të nderohej me pesë minuta heshtje presidenti amerikan, ndarë nga jeta më pak se njëzetë e katër orë më parë.
(Vijon)
Tiranë, më 1 qershor 2011

Comment

*