Ukraina bën përparime në lindje, forcat ukrainase në Mariupol po i përballojnë sulmet ruse

Kiev, 11 maj 2022 – Zyrtarët ukrainas thanë se kanë larguar forcat ruse nga disa zona përreth qytetit kyç të Ukrainës, Harkiv.

Fshatrat Çerkaski, Tishki, Ruski Tishki, Borshçova dhe Slobozhanske tani janë nën kontrollin ukrainas, tha një zëdhënës i ushtrisë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, tha të martën se ushtria ukrainase gradualisht po i largon forcat ruse nga Harkivi.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Ukraina mund të shkojë përtej detyrimit të Rusisë që të largohet nga zonat që ka pasur nën kontroll para se ta niste agresionin ndaj Ukrainës, më 24 shkurt.

Kuleba tha se forcat Ukrainase do ta fitojnë betejën edhe për raonin e Donbasit që është pushtuar nga Rusia.

“Tani ne kemi një front të fortë ushtarak dhe ne do ta fitojmë betejën për Donbasin, që do të jetë thelbësore për dinamikat e ardhshme të luftës, sigurisht do të përbënte fitore për ne dhe do të mundësonte çlirimin e territoreve tona të tjera”, tha Kuleba për gazetën prestigjioze “Financial Times”.

Deklaratat e ministrit Kuleba duket se shprehin më shumë ambiciet e Kievit  se situatën në terren. Raportimet flasin për përparim të forcave ruse në Donbas, ku kontrollojnë shumë më shumë territor se sa kontrollonin para luftës.

Por, qëndresa ushtrisë ukrainase përballë ushtrisë ruse i befasoi shumë zyrtarë e analistë. Një shembull i aftësisë së Ukrainës për të parandaluar fitore të lehtë të forcave ruse në Ukrainë është Mariupoli. Luftëtarët ukrainas vazhdojnë të përballojnë sulmet raketore e artilerike të forcave ruse në fabrikën e çelikut, “Azovstal”, duke ia pamundësuar Rusisë marrjen nën kontroll të plotë të këtij qyteti-port.

Batalioni ukrainas që gjendet në “Azovstal” ka thënë se gjatë 24 orëve të fundit forcat ruse janë kryer 34 sulme nga ajri.

Ditët e fundit, Kombet e Bashkuara dhe Komiteti  Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq kanë arritur të evakuojnë civilët e bllokuar në “Azovstal”. Por, të martën, zyrtarët ukrainas thanë se besohet se afër 100 civilë janë ende në kompleksin e tuneleve të kësaj fabrike.

(Sipas REL)