Ukraina përgatitet për betejë vendimtare me Rusinë në lindje të vendit

Kiev, 10 prill 2022 – Forcat ukrainase po pastrojnë shkatërrimet e lëna pas nga trupat ruse, ndërsa vijojnë të zbulohen varre masive me civilë të vrarë. Rusia nga ana tjetër po grumbullon të gjitha trupat për një përballje të pritshme në Ukrainën lindore. Ekspertët thonë se një ofensivë e plotë ruse mund të fillojë brenda disa ditësh dhe kjo do të jetë një periudhë vendimtare për luftën. Megjithatë, ka shumë pikëpyetje për aftësinë e forcave ruse, për të cilat zbulimi perëndimor thotë se janë të demoralizuara.

Ukraina bëri thirrje të dielën për një tjetër raund sanksionesh nga Bashkimi Evropian kundër Moskës dhe më shumë ndihma ushtarake. Autoritetet thonë se po përgatiten për një ofensivë të madhe ruse në lindje të vendit. Pamjet satelitore të publikuara nga kompania amerikane “Maxar Technologies” tregojnë një autokolonë ushtarake ruse prej 13 kilometrash që është nisur në jug drejt Donbasit.

Rusia ka dështuar të marrë nën kontroll ndonjë qytet të Ukrainës, që kur nisi agresionin në 24 shkurt, por tani autoritetet ukrainase thonë se trupat ruse do të kryejnë sulme masive në lindje të vendit dhe iu kanë kërkuar banorëve që të largohen.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy shkroi në rrjetin social “Twitter” se kishte folur në telefon me kancelarin gjerman Olaf Scholz për sanksione shtesë ndaj Rusisë si dhe për më shumë armë dhe mbështetje financiare për vendin e tij.

Në një fjalim me video të shtunën në mbrëmje për ukrainasit, zoti Zelenskyy tha se “Rusia nuk ka për qëllim të kufizohet vetëm në Ukrainë” dhe “i gjithë projekti evropian është në shënjestër”.

“Prandaj nuk është vetëm detyrë morale e të gjitha demokracive, të gjitha forcave të Evropës, të mbështesin synimin e Ukrainës për paqe. Kjo është në fakt një strategji mbrojtjeje për çdo shtet të qytetëruar”, theksoi ai.

Vrasja e civilëve nga trupat ruse, sidomos në qytetin Buça, ka shkaktuar një indinjatë ndërkombëtare si dhe ka ndikuar në rivendosejn e sanskioneve ndaj Rusisë.

Një tjetër varr masiv është zbuluar në fshatin Buzova pranë Kievit, njoftuan autoritetet ukrainase, megjithatë informacionet e verifikuara në mënyrë të pavarur janë të pakta.

Moska ka hedhur poshtë akuzat për krime lufte. Ajo ka mohuar të ketë vënë në shënjestër civilët në atë që e quan një “operacion special” për të çmilitarizuar dhe “denazifikuar” Ukrainën.

Disa qytete në lindje të Ukrainës janë duke u bombarduar dhe dhjetëra mijëra njerëz janë të paaftë për t’u evakuuar.

Të dielën, forcat ruse bombarduan Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, në verilindje dhe dërguan përforcime drejt Izyumit në juglindje në përpjekje për të thyer mbrojtjen e Ukrainës. Rusët vazhduan gjithashtu rrethimin e Mariupolit, një port kyç jugor që ka qenë nën sulm dhe i rrethuar për gati 1 muaj e gjysmë.

Një zëdhënës i Ministrisë ruse së Mbrojtjes tha se ushtria ruse përdori raketa të lëshuara nga ajri për të goditur sistemet raketore të mbrojtjes ajrore të Ukrainës S-300 në rajonin jugor të Mykolaiv dhe në një bazë ajrore në Chuhuiv, një qytet jo larg Kharkiv.

Raketat ruse të lëshuara nga deti shkatërruan gjithashtu selinë e një njësie ushtarake ukrainase të stacionuar më në perëndim në rajonin e Dnipro, sipas zyrtarit rus.

Vlerësimet perëndimore shfaqin besim në rritje në aftësinë mbrojtëse të Ukrainës për të zmbrapsur sulmet e Rusisë, duke i portretizuar trupat ruse me moral të ulët dhe me viktima në rritje.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha të dielën se ushtria ruse po përpiqet të mbulojë humbjet në rritje duke shtruar numrin e trupave me personel që është liruar nga shërbimi ushtarak që nga viti 2012.

Agjencia e OKB-së për refugjatët raportoi të dielën se më shumë se 4.5 milionë njerëz janë larguar nga vendi që kur nisi lufta.

(Zëri i Amerikës)