Ukraina rrëzon një raketë hipersonike ruse “Kinzhal”

Kiev, 6 maj 2023 – Të shtunën, forcat ajrore ukrainase njoftuan se kanë rrëzuar një raketë hipersonike ruse mbi Kiev, duke përdorur sistemet amerikane Patriot të mbrojtjes ajrore, në atë që shënon rastin e parë të Kievit për të diktuar një nga raketat më moderne të Moskës.

Komandanti i Forcave Ajrore, Mykola Oleshchuk, tha në një postim në rrjetin Telegram se raketa balistike e tipit “Kinzhal” ishte diktuar në një sulm gjatë natës së 4 majit, në kryeqytetin ukrainas. Kjo është gjithashtu hera e parë që bëhet e ditur se Ukraina ka përdorur sistemet Patriot të mbrojtjes.

“Po, ne e rrëzuam raketën unikale Kinzhal”, shkruante zoti Oleshchuk.

“Kjo ndodhi gjatë sulmit të natës më 4 maj në qiellin e rajonit të Kievit”, shpjegoi ai.

Oleshchuk tha se raketa Kh-47 u lëshua nga një avion MiG-31K nga territori rus dhe u rrëzua me një raketë “Patriot”.

“Kinzhal” është një nga armët më të fundit dhe më të përparuara ruse.

Ushtarakët rusë pohojnë se raketa balistike e lëshuar nga ajri ka një rreze veprimi deri në 2,000 kilometra dhe fluturon me një shpejtësi 10 herë më të madhe se shpejtësia e zërit, duke e bërë të vështirë zbulimin e saj.

Ndërthurja e shpejtësisë hipersonike me pjesën e përparme të rëndë të raketës, bën të mundur që Kinzhal të shkatërrojë objektiva shumë të fortifikuara, si bunkerë nëntokësorë apo tunele malore.

Ushtria ukrainase është shprehur më parë se i mungonin armët e duhura për të zbuluar raketën balistike Kinzhal me shpejtësi shumë të madhe.

Ukraina mori dërgesën e parë të sistemit të raketave “Patriot” në fund të prillit. Nuk ka të dhëna për numrin apo ku janë vendosur, por dihet se ato janë siguruar nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Holanda.

(Zëri i Amerikës)