Ukraina si çmenduria dhe fundi i përgjakshëm i Putinit

Nga Azem PARLLAKU

Azem Parllaku

Njerëzit me vullnetin e tyre, armët dhe mbështetja logjistike, aftësia për t’a shfrytëzuar terrenin, si dhe bashkëveprimi e bashkërendimi luftarak, kanë qenë dhe do të mbesin përcaktues mbi fatin e luftërave. Po kalojnë ditët dhe në kontinentin Europian paqja është prishur, si rezultat i një luftë të përmasave dhe llojit që mendonim se ishte lënë pas në histori. Ky lloj i luftës që po zhvillohet në territorin e Ukrainës dhe ku janë përfshirë formacionet ushtarake të sulmit rus, përballë formacioneve të mbrojtjes ukrainase, vlerësuar nga një këndvështrim i artit ushtarak, ka shumë ngjajshmëri dhe më pak karakteristika të veçanta me luftërat e zhvilluara përgjatë harkut kohorë të dy shekujve të fundit.

Putin po sillet si një bandit. Ai po kërcënon sistemin ndërkombëtar duke marrë atë që do, pavarësisht kostos njerëzore. Një krizë humanitare po afrohet teksa dhjetëra mijëra refugjatë kalojnë në Evropën Lindore. Imazhet  nga rrugët e Ukrainës kanë ringjallur kujtimet e luftërave të shekullit të njëzetë.

I paprovokuar, Putin nisi luftën në Ukrainë më 24 shkurt, me forcat ruse që sulmuan nga tri anë dhe me Kremlinin që la të kuptohet se dëshiron të rrëzojë Qeverinë e presidentit Volodymyr Zelenskyi, një lider i zgjedhur në mënyrë demokratike në shtetin që, sikurse Rusia, është pavarësuar pasi u shpërbë Bashkimi Sovjetik 30 vjet më parë. Në të kaluarën, kur ai ka marrë vendimet më të rëndësishme në më shumë se 22 vjet si president dhe si kryeministër i Rusisë, Vladimir Putin, gjithmonë dukej se po mendonte për trashëgiminë e tij politike. Këtë herë, ai ndërmori një hap gjigant, grotesk, që do të formësojë trashëgiminë e tij përgjithmonë.

Në harkun kohorë të dy muajve të fundit nga kur Rusia grumbulloi pothuajse gjysmën e fuqisë së saj ushtarake pranë kufijve me Ukrainën, bota po shikonte një shfaqje të lodhshme, ku personazhi kryesor është gjithmonë i njëjtë dhe performancat e tij gjithmonë kanë shpresuar deri në minutën e fundit se ai, të paktën një herë, do të bëjë gjënë e duhur. Por, më pas Putini nuk zgjodhi që ta bëjë gjënë e duhur.

Ukraina është e ndarë gjeografikisht midis Evropës dhe Rusisë, ashtu janë njerëzit e Ukrainës të ndarë në dy pole, mes atyre pro-rusë dhe pro-perëndimorë. Rusia u ngatërrua me Ukrainën pasi ish-republika sovjetike filloi t’i afrohej Bashkimit Evropian. Presidenti pro-rus i Ukrainës, Viktor Janukoviç, pezulloi Marrëveshjes së Asociimit të BE-së në 2013 për të parandaluar kthimin e vendit drejt Perëndimit. Kjo lëvizje shënoi fillimin e një krize të thellë në historinë e Ukrainës. Janukoviç u detyrua të arratiset në Rusi ndërsa protestat dolën jashtë kontrollit. Tensionet më vonë u përhapën në Krime dhe Donbas. Parlamenti i Krimesë vendosi të mbajë referendum, i cili do të lejonte aneksimin e Krimesë nga Rusia. Krimea u aneksua në mënyrë të paligjshme nga Rusia pas referendumit të diskutueshëm të 16 marsit 2014.

Po në vitin 20014 grupet separatiste pro-ruse sulmuan trupat pro-qeveritare në rajonin Donetsk dhe Luhansk (Donbas) Të dy rajonet janë të populluara në masë nga banorë me origjinë ruse. Sipas administratës së Kievit, separatistët u furnizuan me armë dhe municione të konsiderueshme nga Rusia. Separatistët pretenduan dy shtete të ashtuquajtura, Republika Popullore Donetsk dhe Republika Popullore Luhansk, përmes referendumit të ashtuquajtur të 11 majit 2014. Përmes kufirit ruso-ukrainas në Donbas, hynë automjete ushtarake ruse dhe armë të rënda, ku administrata e Kievit humbi kontrollin. Kjo situatë, të cilën Rusia e mohoi, u përfshi gjithashtu në raportet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Samiti i Parisit në formatin Normandi që u mbajt në dhjetor 2019, bëri bashkë udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës potencuan armëpushimin e plotë dhe respektimin e Marrëveshjes së Minskut. Samiti nuk i uli përplasjet, por Rusia, Ukraina dhe OSBE-ja më vonë morën një vendim gjithëpërfshirës të armëpushimit duke filluar nga 27 korriku 2020, i cili u respektua deri në vitin 2021. Ukraina aktualisht është një nga gjashtë partnerët e mundshëm të zgjerimit të NATO-s, së bashku me Australinë, Finlandën, Gjeorgjinë, Jordaninë dhe Suedinë. Rusia e sheh hyrjen e Ukrainës në NATO si një kërcënim për të.

Marrëveshjet e Minskut u nënshkruan në 2014 dhe 2015 për të ndaluar konfliktin e vazhdueshëm midis separatistëve pro-rusë dhe administratës së Kievit. Marrëveshjet përfshinin një armëpushim në rajon, shkëmbimin e të burgosurve ndërsa lejuan administratën e Kievit të bënte një ndryshim kushtetues sipas së cilës rajonit Donbas do t’i jepej një status i veçantë. Nga ana tjetër, separatistët pro-rusë duhej të tërhiqnin armët e tyre në kufirin Ukrainë-Rusi. Zbatimi i marrëveshjeve është penguar pasi të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje reciproke të armëpushimit

Faktikisht që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë, bota perëndimore ka bërë një rrugë të gjatë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në komunitetin trans-atlantik në sajë të ndjekjes së rrugës së demokracisë, por agresiviteti i ripërtërirë i Rusisë, dëshmoi se këto vlera u minuan. Agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, po justifikohet si një kërkesë të qartë ndaj Perëndimit. Qeveria e Vladimir Putinit dëshiron që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa ta ndryshojnë tërësisht arkitekturën e tyre të periudhës pas Luftës së Ftohtë.

Tashmë, mardhënia e Perëndimit me Rusinë është tërësisht e zbehtë, mbasi Rusia e Putinit mbetet një aktor misterioz, që praktikon një formë enigmatike nacionaliste dhe fetare, e cila përligj misionin e Rusisë për prestigj dhe ekspansion. E shtrirë në njëmbëdhjetë zona kohore, Rusia ka sipërfaqen më të madhe të tokës në krahasim me çdo shtet tjetër bashkëkor. Një vend me përmasa të tilla tregoi, se vuan nga frika e sëmurë dhe se është i kufizuar. Më herët, konflikti i vitit 2014 i cili kulmoi me aneksimin e Krimesë nga Rusia, e ktheu këtë vend historik ushtarak te Kremlini dhe pas përpjekjeve gjithëpërfshirëse për modernizim, flota ruse sot është një forcë që duhet llogaritur në Detin e Zi. Ende pa kaluar tetë vjet nga koha kur Rusia ka ndërhyrë në Ukrainë dhe ka aneksuar Gadishullin e Krimesë gjë që kishte nxitur një sërë sanksionesh ndërkombëtare kundër saj, prapë sot, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët europianë e gjejnë sërish veten duke u përpjekur të kuptojnë se si ta pengojnë presidentin rus, Vladimir Putin. Historia e Rusisë e ka lënë Europën me një trashëgimi të nostalgjisë romantike për periudhat e bashkëpunimit, por, gjithashtu edhe një frikë të paqartë në lidhje me pafundësinë dhe enigmën.  

Kur mbi qytetet e Ukrainës shiu i bombave po kthehet në rrebesh, Brukseli ka kuptuar se, Ukraina ka një rëndësi gjeopolitike, që vlen më së shumti për Europën. Ndaj, nëse dikush duhet t’i siguronte Kievit, ndihma financiare dhe armë, ajo është Europa. Nëse dikush duhet të ofrojë garanci ushtarake në Ukrainë, ai është prapë kontinenti i vjetër. Nëse dikush duhet të dërgojë trupa në Ukrainë, ajo është Evropa. Nëse dikush duhet forcojë mbrojtjen ushtarake të Evropës, kjo është vetë Evropa. Nga ana tjetër mardhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e kanë provuar muajin e mjaltit. Këto mardhënie u bënë në thelb dypolare, duke qenë se të dyja superfuqitë kundërshtonin njëra-tjetrën përgjatë një vije ndarëse që kalonte nëpër qendrën e Europës. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, historikisht kanë kërkuar një prirje globale për shoqëritë e tyre. Idealizmi amerikan rrjedh nga koncepti i lirisë, ndërsa ai rus zhvillohet nga një kuptim i vuajtjes së përbashkët dhe nënshtrimit të përbashkët ndaj autoritetit. Idealizmi amerikan synon izolimin, idealizmi rus ka nxitur ekspansinizmin dhe nacionalizmin. 

Lufta në Ukrainë është rezultat i sjelljeve të tepruara si të Rusisë po ashtu edhe të SHBA-së. Teprimi i Rusisë ka të bëjë me aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe pushtimin e qendrës industriale të Ukrainës në Donetsk dhe Luhansk; apo edhe në përpjekjet e saj të vazhdueshme për ta mbajtur Ukrainën të varur prej saj për energji, inpute industriale dhe tregje. Edhe SHBA e ka tepruar në disa raste. Në vitin 2008, administrata e presidentit amerikan George W.Bush bëri thirrje që Ukraina të ftohej t’i bashkohej NATO-s, gjë që do ta vendoste praninë e aleancës në kufirin e gjatë të Rusisë me atë vend. Ai propozim provokues i përçau aleatët e SHBA-së, por NATO konfirmoi në fund se Ukraina është e mirëpritur në aleancë, duke vënë në dukje se Rusia nuk ka asnjë veto se kush i bashkohet kësaj organizate.nPutini e ka bërë të qartë se nuk do ta lehtësojë së shpejti presionin ndaj udhëheqësve të Evropës. Për Uashingtonin, kjo është një enigmë gjeopolitike. Për SHBA-në dhe NATO-n, dakordësimi mbi kërkesat e Putinit, do të nënkuptonte hedhjen e hapit politikisht të papranueshëm të kapitullimit ndaj Moskës.

Perëndimi e ndjeu papritur nevojën e një rishikimi kaq revolucionar të sistemit të sigurisë evropiane të pas Luftës së Ftohtë. Kremlini krijoi një pretekst, me anë të të cilit mund të rishikojë lirshëm sistemin ekzistues të marrëdhënieve, një hap për të cilin mendon se ka ardhur koha. Lufta e Putinit për ta rikthyer Ukrainën në sferën e Rusisë është pritur me reagime që po ashpërsohen dita-ditës, ndërsa Putini po justifikohet se, ky është një poshtërim për Rusinë. Përgjegjësia për nisjen e një lufte të re në Evropë i takon tërësisht Rusisë. Nuk ka asnjë justifikim racional për këtë luftë.

Ushtria ruse ka armatim e pajisje më të mira teknike, prandaj fillimisht si në çdo luftë do të humben betejat, por rusët s’mund ta fitojnë kurrë shtetin nëse populli ukrainas është i motivuar, siç po tregohet në këto ditët e betejave. Qindramijë ushtarët rusë janë përballë mobilizimit të plotë të popullit ukrainas të stërvitur dhe të pajisur ushtarakisht për mbrojtjen e qyteteve, rrugëve dhe shtëpive të tyre.

Ndryshe nga luftërat më parë konflikti ushtarak Rusi-Ukrainë po nxjerrë në pah domosdoshmërinë e “Diplomacinë ushtarake”, e cila i ndihmon Forcat e Armatosura dhe institucionet e mbrojtjes, të jenë në gjendje të organizojnë një numër aktivitetesh, me qëllim largimin e frikës. Më konkretisht; Pas viteve 1990 pushoi së ekzistuari konflikti Lindje-Përendim dhe vendin e Luftës së Ftohtë filloi ta zinte mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Në këtë periudhë, vendet anëtare të NATO-s filluan të promovonin dhe angazhonin “diplomacinë ushtarake” në interes të reduktimit të rreziqeve dhe krijimit të urave të bashkëpunimit. Kjo filozofi krijoi dhe mundësoi përdorimin dhe zhvillimin e artit të “diplomacisë ushtarake” në interes të diplomacisë kombëtare.  

Në rastin e Rusisë ky mësim u nxor nga paraqitja e saj e dobët në vitin 2008, kur Moska zhvilloi pesë ditë luftime me Gjeorgjinë për dy rajone separatiste. Që nga ajo kohë shteti rus ka ndërmarrë reformat me synimin që ushtria ruse të bëhej më e lëvizshme dhe më e pajisur në asete për t’u përgjigjur shpejt dhe për t’u përballur me konflikte të armatosura. Ndërsa në rastin e Ukrainës, ajo është përpjekur të modernizojë forcat e saj të armatosura. Por ky modernizim ka qenë shumë më pak ambicioz dhe shumë më pak i financuar sesa në rastin e ushtrisë ruse. Sot ukrainasit shihen të përdorin ende disa lloje pajisjesh të cilat nuk vihen më në shërbim nga forcat ruse. Këto janë pajisje të vjetra e me sisteme të vjetra mirëmbajtjeje. Për ushtrinë e Ukrainës kanë ndryshuar më pak gjëra që nga fundi i Bashkimit Sovjetik, ndërsa krejt ndryshe kanë ndryshuar për Rusinë që nga Lufta e Gjeorgjisë. Që prej se Ukraina më 2014 rrëzoi nga pushteti një president pro-rus, ky shtet është afruar me Perëndimin dhe merr pjesë në stërvitje të përbashkëta ushtarake me NATO-n. Po ashtu, Ukraina ka pranuar armë, përfshirë edhe rastet anti-tank Javelin të Shteteve të Bashkuara dhe dronë nga Turqia.

Vendosmëria e Rusisë për të imponuar një zgjidhje ushtarake për problemin politik të Ukrainës është një gabim criminal. Zyrtarët rusë pretendojnë se janë të hapur për bisedime, por përshkrimi i Putinit për qeverinë ukrainase si “një grup narkomanësh dhe neo-nazistësh” tregon se Moska nuk është serioze. Bota po shkpn në një luftë të zgjatur ndërkombëtare për sferat e ndikimit midis fuqive të mëdha. Një humbje e Ukrainës do ta bënte Uashingtonin të kthehej drejt një Europe ku potencialisht Rusia dhe SHBA e shohin njëri-tjetrin si armiq.

Edhe nëse Putin arrin sukses të shpejtë, pjesët e ushtrisë ukrainase që nuk janë mposhtur do të vazhdojnë të luftojnë gjatë duke rritur mundësinë e një lufte të ashpër guerile kundër pushtimit rus ose një qeverie kukull. Pa kompromis, presidenti rus do të izolojë veten dhe vendin e tij nga kontinenti europian. Lufta e Putinit po i kushton dhe po shndërrohet në një tragjedi me përmasa të mëdha dhe  historia nuk mbaron kur shpallet fitorja. Luftërat nuk fitohen kurrë përgjithmonë. Pushtimi rus i Ukrainës mund të çojë në një konflikt të madh midis ushtrive konvencionale në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ç’ka nënkupton dhe fundin e përgjakshëm të Putinit.

Comment

*