Ukraina skeptike se angazhimi i Macronit mund të shmangë rrezikun rus

Kiev, 9 shkurt 2022 – Shtimi i pranisë ushtarake ruse rreth Ukrainës vazhdon pa ndërprerje. Gjashtë anije luftarake ruse u nisën nga Mesdheu drejt Detit të Zi. Moska ka dislokuar mbi 100 mijë trupa përgjatë kufirit me Ukrainën dhe rreth 20 mijë trupa në Bjellorusinë fqinje. E gjithë kjo po ndodh në sfondin e një diplomacie intensive.

Presidenti francez Emmanuel Macron, pas takimeve që zhvilloi me homologët e tij rus dhe ukrainas, tha të martën se ekziston një mundësi për të ulur tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë.

Sipas Macronit, çelësi për zgjidhjen e krizës është zbatimi i Marrëveshjeve të Minskut, një udhërrëfyes që synon t’i japë fund konfliktit në Ukrainën lindore midis rebelëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave qeveritare.

“Marrëveshjet e Minskut janë gjithashtu mbrojtja më e mirë e integritetit territorial të Ukrainës. Bazuar në angazhimin e dy palëve, ruse dhe ukrainase, tani kemi mundësinë që negociatat të përparojnë”, tha Presidenti Macron.

Presidenti Zelenskiy pajtohet se ekziston një mundësi, por tha se Presidenti Putin duhet të provojë angazhimin e tij.

“Në përgjithësi, nuk u besoj shumë fjalëve. Prandaj mendoj se çdo politikan mund të tregojë gatishmërinë me vepra konkrete”, tha presidenti ukrainas.

Në bazë të marrëveshjeve të Minskut, rajoni lindor i Donbasit aktualisht nën kontrollin e rebelëve pro-rusë, do të ri-integrohet në Ukrainë, por me autonomi politike.

Alexander Titov, analist për çështjet ruse në Universitetin Mbretëresha në Belfast, foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Marrëveshjet e Minskut për Moskën janë një mënyrë për të rivendosur një formë të pranisë së forcave pro-ruse në Ukrainë dhe ndaluar anëtarësimin e saj në NATO. Ukraina e kundërshton pikërisht për këto arsye”.

Në Ukrainë ka shqetësime lidhur me ato që Presidenti Macron mund t’i ketë ofruar Rusisë.

Quentin Peel, analist për Evropën në Institutin Mbretëtor për Çështjet Ndërkombëtare që njihet edhe si Chatham House, foli për Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Ukrainasit kanë dyshime të thella që pas gjithë kësaj, Rusia thjesht dëshiron t’u japë separatistëve në Donbas një veto mbi çdo marrëveshje të ardhshme kushtetuese në Ukrainë. Pra, ukrainasit dyshojnë se Presidenti Macron mund të përpiqet ta detyrojë Kievin të pranojë.”

Kjo tregon se pse Ukraina po përpiqet të qetësojë situatën, thotë zoti Titov.

“Në Kiev dhe Ukrainë po flitet shumë se e gjithë kriza është disi e ekzagjeruar, për ta detyruar Ukrainën të zbatojë Marrëveshjet e Minskut si një mënyrë për të qetësuar Putinin”.

Pavarësisht këtyre dyshimeve, analistët thonë se Presidenti Macron i ka mbajtur të hapura kanalet diplomatike.

Quentin Peel, analist për Evropën në institutin Chatham House, foli për Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Shkuarja në Moskë dhe ulja në një tryezë me Presidentin Putin, duke i dhënë përparësi në negociata, kjo është pikërisht ajo që dëshiron presidenti rus.”

Mbetet për t’u parë nëse kjo do të mjaftojë për të shmangur konfliktin. Përpjekjet diplomatike evropiane vazhdojnë javën e ardhshme ndërsa Kancelari gjerman Olaf Scholz shkon në Moskë për bisedime me Presidentin Putin.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*