Ulet konsumi në Gjermani, qytetarët e “shtrëngojnë rripin”

Berlin, 3 shtator 2022 – Nga 1 shtatori në Gjermani është shtrenjtuar sërish benzina dhe nafta, për shkak se paketa e parë e ndihmës për qytetarët ka përfunduar. Në të njëjtën kohë shumë qytetarë tani marrin fatura me çmime shumë të larta të gazit dhe të rrymës elektrike, raporton DW.

Qeveria gjermane ka paraljmëruar një paketë të re lehtësuese për qytetartët, të cilët kanë pritshmëri konkrete. Sipas një sondazhi të ARD-së, gati çdo i dyti qytetar gjerman (45%) kërkon masa lehtësuese edhe për qytetarët me të ardhura të mesme, ndërsa 29% duan masa lehtësuesee vetëm për ata me të ardhura të ulëta.

Ndërkaq, sipas një sondazhi të mëparshëm të Deutschland Trend, shumë qytetarë gjermanë e kanë ndryshuar sjelljen ndaj konsumit muajt e fundit.

Sipas të dhënave, 70% e të anketuarve kanë pohuar se kanë filluar të reduktojnë shpenzimin e energjisë. Në muajin prill të këtij viti vetëm 64% të të anketuarve kishin thënë se kishin filluar të kursenin.

Më pak shkuarje në restorant dhe kinema

Gati gjysma e të anketuarve, rreth 47% kanë thënë, se po blejnë më pak në të përditshmen e tyre. Kurse më shumë se 50% përpiqen të kursejnë para tek reduktimi i aktiviteteve të kohës së lirë, si për shembull të shkojnë më rrallë në restorant, në kinema apo aktivitete të tjera. Kurse 43% janë shprehur se kanë kufizuar pushimet e vitit.

Qytetarët me të ardhura të pakta kursejnë më shumë

Në një kohë që ulja e përdorimit të energjisë nuk sjell ndonjë dallim të madh mes kategorive të të ardhurave, të ardhurat e familjeve apo beqarëve luajnë rol në konsum dhe kohën e lirë. Në këtë pikë personat me të ardhura ta pakta kanë ulur ritmin e shpenzimeve ndjeshëm. Kështu rreth 66% e të anketuarve me të ardhura të pakta, (të ardhura mujore deri në 1500 euro) thonë, se blejnë më pak ushqime të përditshme. 59% kanë kursyer tek pushimet.  Kurse vetëm gjysma e atyre me të ardhura të mesme (e ardhur mujore nga 1500 deri në 3500 euro) u duhet të bëjnë kursime të tilla.

(r.m.)