Ultimatumit 100-ditor të Ramës ndaj policisë i vjen fundi pa rezultate

Policia e Shtetit e ka mbyllur me bilanc negativ ultimatumin 100 ditësh të vendosur nga kryeministri Edi Rama më datën 8 korrik. Në këtë periudhën u regjistruan 5 krime ne familje me 7 viktima, ndërsa në 8 vrasje, 5 prej tyre ishin përplasje mes grupeve kriminale. Në këtë bilanc tragjik bën pjesë edhe vrasja e policit Sajmir Hoxha dhe një seri plagosjesh e vrasjesh për shkak të konflikteve lidhur me kultivimin e kanabisit.

“Keni 100 ditë kohë. 100 ditë për ta rivënë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. 100 ditë, asnjë ditë më shumë. Që qytetarët të marrin frymë të plotësuar duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër” ishte ultimatumi i Ramës.

Policia e mbylli me bilanc negativ provën 100 ditore të vedosur nga kryeministri Edi Rama më 8 korrik.

Të paktën 5 raste të krimit në familje me 7 viktima u regjistruan në Dibër, Fier, Lushnje dhe Tiranë. Në këto ngjarje më e rënda ishte ishte rasti i Sabrina Bengaj, ku ish-burri i saj hyri në banesë dhe e qëlloi pa mëshirë më bukë në gojë teksa ishte pajisur me urdhër mbrojtje.

Bandat kriminale nuk ndeshën në vështirësi përgjatë këtyre 100 ditëve në larjen e hesapeve pasi Bledar Muça u ekzekutua për vdekje teksa po qëndronte në lokalin e tij në shëtitoren kryesore të Lushnjes, ku u rrezikua edhe jeta e shumë personave tjerë nga të cilët 5 mbetën të plagosur.

Edhe ngjarja e Elbasanit ku shënjester e sulmit ishin Ardian Çollaku dhe Lulzim Bitri prishi edhe njëherë bilancin në Policinë e Shtetit.

Edhe lufta ndaj kanbizimit të vendit shënoi dështim pasi konfliktet për parcelat me drogë shënuan 3 të vdekur dhe 2 të plagosur  në 3 muajt e fundit. Xhuliano Bullari u qëllua për vdekje nga Bledar Selmanaj brenda makinës së tij pasi ishin konfliktuar për prishje të pazareve të drogës.

Nën komisari Sajmir Hoxha mbeti i vrarë në Lezhë pak minuta pasi bashkë me 2 kolegët e tij Lonard Palushi dhe Petrit Doda kishin asgjesuar 66 bimë narkotike. Pak ditë më vonë, në Vlorë dy persona u sulmuan me armë teksa po ruanin parcelat e hashashit.

Rendi dhe qetësia u prish edhe në kryeqytet ku vetëm në 4 ditë u regjistruan 3 ngjarje nga përplasja e paralajmëruar me armë tek shkolla “Çajupi” deri tek plagosjet tek “Komuna e Parisit” apo në zonën e “21 dhjetorit”.

100-ditëshi nuk dha rezultat as në drejtim të pastrimit të radhëve të uniformave blu dhe mesa duket kjo shprehje e Kryeministrit mbetet ende aktuale.

“Një pjesë duhet zhdukur nga Policia e Shteti dhe jo vetëm, duhet zhdukur por duhet të shkojë para drejtësisë”.OraNews