Uran Kostreci

Fotografia dhe teksti nga Qerim Vrioni

      Te Bar “Piazza” më ke thuajse çdo ditë-më tha Uran Kostreci (Korçë, 1938) në telefon pasi e pyeta për vendin e takimit për të pirë një kafe bashkë. E gjeta në të majtë të hyrjes ulur në një karrige duke thithur një cigare. Megjithë moshën, relativisht të thyer, rreth 82 vjeç, ai është mjaft energjik, i këndshëm në bisedë me kulturë dhe humor.

     Uran Kostreci, njihet si një nga ish-të burgosurit politikë më të paepur ndaj diktaturës më të egër të Europës. Vite pas arestimit të të atit më 1946, i erdhi rradha dhe atij. Ka kryer rreth 20 vite burg, duke filluar që nga mosha 23 vjeçare, kohë kur u arrestua së pari për tentativë arratisjeje. Gjatë kohës së burgut (përfshirë edhe ridënimin), në mjedise vuajtjeje, ai u njoh dhe miqësua me figura historike të inteligjencës shqiptare, nga të cilat përfitoi jo vetëm mësimin e gjuhëve të huaja, por edhe kulturë të përgjithshme.  Më 1991, ai themeloi dhe ishte kryeredaktori i gazetës së parë kombëtare antikomuniste “Liria” e më pas, zgjidhet dy herë kryetar i PD për Elbasanin.

      Kostreci ka shkruar edhe mjaft poezi me tema lirike, duke lëvruar sidomos sonetin. Pas vitit 1992, ai ka botuar disa libra, ndër to shënohen : ”Lundërtari dhe Deti” (Sonete, 1993), “Epopeja e karkalecave”(1995), “Agonia e karkalecave”(1996), “Sonete”(2006) dhe në prozë “Pabesia”(Novelë, 2009) etj.

      Sot ai është shumë i pranishëm edhe në rrjetet publike elektronike si psh, në facebook, ku herë pas here boton sonete të sapo krijuara me karakter politik kundra diktaturës, të cilat lexohen me interes dhe komentohen nga shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, shtetit amë. Për komunizmin, ndër të tjera, Kostreci përdor shpesh edhe shprehjen se: ky sistem politik triumfon vetëm nëpër popujtë e pakultivuar, një e vërtetë historike (e hidhur), por që vazhdon të mbetet e pakundërshtueshme nga koha.

     Ndër miqtë (dhe armiqtë) e pandarë të tij ze vend të paluajtshëm cigarja e duhanit. Vetëm brenda një gjysmë ore, ai doli 4-5 herë për të pirë cigare tek karrigia e tij në hyrje të barit. Në një nga këto pushime-duhani, e fotografova. Thithja e cigares kushedi në ç’vend dhe kohë të largëta, por edhe të ardhme ja kishte vërvitur mendimet…

    Ishte fillimmaji 2019.