URIMI PROVOKUES

Pal SHTUFI

Festën e Bajramit të kaluar, Ipeshkvi Dodë Gjergji, për herë të parë në historinë e urimeve, ka përdorur një gjuhë jo të duhur, për të mos thënë provokuese, por edhe dëshpëruese. I uroi shqiptarët myslimanë ashtu duke i quajtur si ish-katolikë!

Askush nuk pati reaguar, pos një tryezë në një TV të Prizrenit, ku dy imamë e analizonin këtë urim dhe e shihnin si provokues. Reagimi i imamëve ishte korrekt dhe në frymë të duhur humane dhe shqiptare. Nuk pata asnjë vërejtje.

Ipeshkvi nuk po ndalet!

Edhe për këto Kshnella, Ipeshkvi bëri të njëjtën gjë. Dallimi është se tani kemi reagime nga shumë anë. Reagoi edhe një hoxhë i Gjilanit, Mustafë Bajrami, por gjithçka që lexova ishte brenda një reagimi normal. Mirëpo, nuk pashë asnjë reagim të ndonjë besimtari katolik, aq më pak të ndonjë intelektuali. Ndoshta e injorojnë apo ndoshta nuk e kuptojnë dëmin që shkaktojnë këto ngacmime. Nuk e di. Di që do të duhej të reagohej kundër këtyre shfaqjeve primitive.

Dialogu i munguar!

Personalisht do të dëshiroja që shqiptarët e besimit katolik ta kenë një prijës vizionar dhe larg mendësive të shkuara. Një asi prijësi që hap horizonte të reja humanizmi, komunikimi dhe bashkëpunimi në këtë hapësirë të zymtë kulturore e fetare. Do të dëshiroja një prijës që fton rininë në sallën “BogdaniPolis” të Katedrales – për dialog, pavarësisht përkatësive fetare; dialog për jetën e përbashkët; dialog për Zot e qoftë për djall; dialog për filozofi e për teologji; dialog që jemi një dhe pse kemi mbetur një, përkundër rrebesheve të historisë dhe thikave në shpinën tonë të pambrojtur.

Mirëpo, Dodë Gjergji nuk po e bën këtë. Po e bën krejt të kundërtën. Ai nuk po dallon nga shumica e besimtarëve fanatikë. Në fakt, nuk është mbi, por është njëri nga ata që fanatizmin e shohin si vlerë. Është i njëjtë me Naim Tërrnavën; i njëjtë si ai në çdo pikëpamje.

Kisha Katolike në Kosovë nuk ka pasur rastin të ketë në krye të saj një njeri si Ipeshkvin Dodë Gjergji, veprimet e të cilit do ta kthejnë Katedralen në objekt të urryer dhe shqiptarët katolikë në pakicë – thënë më së buti, antipatike. Për këtë arsye kam qenë njëri nga nënshkruesit e peticionit për shkarkimin e tij, shkarkim i cili me gjasë nuk do të ndodhë pa ndodhur ndonjë skandal me përmasa të mëdha.

Varfërimi kulturor!

Dodë Gjergji, në vend që ta vazhdojë kursin human, edukativ dhe kombëtar që e ka trashëguar nga paraardhësit e vet, po e bën të kundërtën. E ka varfëruar Katedralen në aspektin kulturor dhe human. Në atë katedrale tani shkojnë vetëm fetarët, më pak besimtarët. Pra, e ka pamundësuar dialogun, këtë aset kulturor evropian, me shqiptarët myslimanë, me shqiptarët ateistë si dhe me kundërshtarët e pikëpamjeve të tij. Ky po e bën saktësisht të kundërtën, duke provokuar me fraza mesjetare dhe krejt pa sens.

Ka harruar Ipeshkvi se shqiptarët myslimanë e kanë ideuar, lejuar dhe financuar ndërtimin e Katedrales. Shqiptarët myslimanë janë shumë meritorë që Katedralja rri e hapur dhe pa roje, sepse roje i ka shqiptarët, të cilësdo përkatësie fetare, ku shumica janë të besimit Islam. Ka harruar ipeshkvi se shqiptarët, të cilitdo besim, me krenari dhe pa asnjë kompleks, fotografohen para Katedrales dhe shfaqen krenarë para botës me katedralen e një feje tjetër. Dhe, pikërisht këta shqiptarë myslimanë, Ipeshkvi i uron duke përdorur fjalë kryqëzatash – të shkelura e të harruara nga koha.

Religjioni nuk është më identitet kombëtar!

Shqiptarët e besimit katolikë nuk duhet ta ndjekin këtë udhë ku mungojnë dijet humane dhe vlerat evropiane. Religjioni nuk është më identitet kombëtar shqiptar. Kanë ikur ato kohëra tragjike të Mesjetës. Jetojmë në mirësinë e humanizmit që sjell paqen në Evropën multikulturore dhe multifetare. Shihni vlerat e një njeriu e jo në çka ai beson apo fare nuk beson.

(Marrë nga Telegrafi)

One Response to “URIMI PROVOKUES

Read below or add a comment...

  1. Mala says:

    Naimi (Ternava)Kryehoxhë i Kosovës, keto dite beri nje apel-kercnim ndaj shqiptarve te besimt musliman,duke thene:”Kush nuk mund t’i sheh xhamite,të shon ne Beograd”,vendin me kriminal, me te urrejtur për shqiptarët në pëgjithësi,Pavarësisht besimeve ndryshe në Zot..