USCIS lavdëron politikat për natyralizimin të nxjerra nga administrata Biden që prej janarit 2021

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Presidenti Biden nxorri një urdhër ekzekutiv lidhur me nënshtetësinë amerikane. Që në fillim të punës së kësaj administrate, Shërbimi i Imigracionit dhe Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) ka nxjerrë politikat e mëposhtme të cilat kanë të bëjnë me natyralizimin dhe janë hartuar duke patur si synim vënien në jetë të urdhrit të presidentit:

  • Më 22 shkurt, 2021, USCIS-i shpalli rikthimin e versionit të testit të qytetarisë të vitit 2008. Ky rikthim hyri në fuqi më 1 mars, 2021. Pati një periudhë të shkurtër gjatë së cilës USCIS-i ofroi gjithashtu dhe versionin e testit të vitit 2020 për ata aplikantë që u prekën nga koha kur u bë ndryshimi në fjalë.
  • Më 25 maj, 2021, USCIS-i nxorri udhëzimin sipas së cilit aplikantët që gjenden jashtë SHBA-së të angazhuar me funksione pastoriale ose priftërore për një ose më shumë se një vit, për qëllime natyralizimi mund ta trajtojnë këtë periudhë jashtë vendit të tillë sikur të kenë qenë gjatë gjithë kësaj kohe fizikisht të pranishëm dhe me banim në Shtetet e Bashkuara.  
  • Më 27 maj, 2021, USCIS-i nxorri udhëzimin lidhur me regjistrimin e aplikantëve për të votuar nëpërmjet departamentit që merret me regjistrimin dhe lëshimin e patentave të makinave në shtetin përkatës ose për procesin e aplikimit për një benefit tjetër nga shteti në fjalë si dhe me pasojat që mund të ketë në figurën morale të aplikantit. USCIS-i nuk do të penalizojë aplikantët që pa e ditur ose pa dashur janë regjistruar për të votuar në ato raste kur ata nuk kanë mbushur ose firmosur seksionin përkatës të regjistrimit të votuesit.  
  • Më 28 maj, 2021, USCIS-i nxorri udhëzimin përmes së cilit sqaronte që aplikime të caktuara për natyralizim të paraqitura nga veteranë të forcave të armatosura të SHBA-së të cilët shërbyen me nder gjatë periudhave të caktuara të konflikteve dhe që i përmbushin të gjithë kërkesat e tjera që dikton ligji mund të sjellin natyralizimin dhe marrjen e nënshtetësisë amerikane siç e parashikojnë ligjet e emigracionit të SHBA-së.  
  • Më 24 maj, 2021, USCIS-i nxorri një ndryshim teknik të manualit të politikave të USCIS-it, në të cilin u përfshinë disa dispozita të reja të ligjit lidhur me nënshtetësinë e fëmijëve të ushtarakëve dhe të nëpunësve civilë, të cilat kanë të bëjnë me dhënien automatikisht të nënshtetësisë fëmijës së lindur jashtë vendit të një nëpunësi të qeverisë amerikane me nënshtetësi amerikane ose të një anëtari të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara.  
  • USCIS-i po shfrytëzon përdorimin e teknologjisë video për intervistat dhe ceremonitë e natyralizimit pranë zyrave të Departamentit të Mbrojtjes për ushtarakët që përmbushin kriteret dhe anëtarët e familjeve të tyre që kualifikohen, të cilët po kryejnë detyrën jashtë vendit. Ceremonia e parë e natyralizimit në distancë përmes videos u zhvillua më 29 mars, 2021.  
  • Më 17 maj, 2021 USCIS-i nisi procesi për aprovimin dhe sigurimin e deri në 10 milionë dollarë grante për programet e përgatitjes për marrjen e nënshtetësisë në komunitetet në të gjithë vendin. Ky është viti i 13-të që kjo agjenci drejton programin e granteve. USCIS-i beson që këtë vit shpallja e programit në fjalë merr një rëndësi të veçantë pasi po vihet theksi në angazhimin për të mirëpritur emigrantët si dhe për t’u dhënë atyre mjetet e nevojshme për të ndjekur rrugën drejt benefiteve që sjell nënshtetësia amerikane. 
  • Për të ndihmuar në përmbushjen e kërkesës për mbajtjen e distancës fizike mes njerëzve për shkak të pandemisë së COVID-19, USCIS-i futi në zbatim intervistat nëpërmjet videos për ata aplikantë që kërkonin natyralizim. Në këto intervista aplikanti vjen në një nga zyrat e USCIS-it, por ulet në një dhomë tjetër nga ajo e zyrtarit intervistues i cili/e cila e drejton intervistën duke shfrytëzuar teknologjinë video.
  • Në periudhën mars-prill 2021, USCIS ka procesuar mbi 180,000 aplikime natyralizimi. Kjo ka bërë të mundur që përsa i përket përmbushjes së plotë të aplikimeve të natyralizimit, USCIS-i t’i rikthehet niveleve të periudhës para pandemisë.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]