Ushtria do të presë dhe transportojë afganët në Shqipëri

Ndonëse nuk ka ende saktësi të numrit të të ardhurve, afganët mund të jenë rreth 350, kurse mjediset e strehimit janë për të paktën dy mijë persona.

Knid Ndrenika

Në Shqipëri janë marrë masat për pritjen e afganëve që largohen prej kërcënimit të talebanëve të rikthyer në pushtet në Afganistan për herë të parë që nga viti 2001.

Në Bazën Ushtarake Ajrore të aeroportit të Rinasit janë ngritur çadra për të pritur afganët që kanë qenë punonjës të strukturave amerikane, gra veprimtare dhe intelektualë me familjet e tyre.

Ndonëse nuk ka ende saktësi të numrit të të ardhurve, afganët mund të jenë rreth 350, kurse mjediset e strehimit janë për të paktën dy mijë persona.

Ushtria, sipas ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka marrë përsipër të presë dhe të transportojë afganët në vendet e parashikuara për të qëndruar përkohësisht në konviktet studentorë në Tiranë dhe në hotelerinë e Durrësit.

“Ne jemi pjesë e mobilizimit në këtë krizë. Forcat tona, Ministria e Mbrojtjes ka marrë një rol për të luajtur: të presë një kontigjent, transportin e tyre drejt vendeve ku do të akomodohen për një periudhë të përkohshme”-tha ministri.

Ardhja e afganëve u shty nga një ditë më parë për shkak të gjendjes së turbullt në Kabul.