Ushtria në Shqipëri nxjerr trupat dhe mjetet për të shuar zjarret

Knid Ndrenika

Kryeministri Edi Rama tha se “angazhimi i ushtrisë meriton respekt e inkurajim, në një kohë kur shumë vende po përballen me kërcënimin e zjarreve”

Ushtria në Shqipëri nxorri trupat dhe mjetet për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë vendin për shkak të temperaturave të larta dhe zjarrvënieve të dyshuara si të qëllimta.

Ministria e Mbrojtjes njoftoit se rreth 500 efektivë të Forcave të Armatosura, 50 mjete, 3 helikopterë, zjarrfikëse dhe autoambulanca janë angazhuar prej orëve të para të mëngjesit në operacionin për shuarjen e flakëve në gadishullin e Karaburunit në Vlorë.

Ministri Niko Peleshi e quajti serioze dhe kritike gjendjen në Karaburun, ndërkohë që flakët kanë vijuar të jenë aktive përgjatë natës, duke u kthyer në rrezik për banorët e fshatit Dukat të Vlorës.

Ndërkohë që punohet për të shuar zjarrin në zonën e Dukatit, trupa të tjerë ushtarakë janë transportuar me helikopter në qafën e Sherikut në Karaburun, në lartësinë 1200 m mbi nivelin e detit për të neutralizuar edhe vatrat atje që janë kërcënim për parkun e Llogarasë.

Aksioni, siç njofton ministria e Mbrojtjes, po vijon prej orësh nga toka dhe nga ajri për të vënë nën kontroll flakët.

Shqetësim gjithashtu përbëjnë zjarret në një tjetër zonë, përkatësisht në veriun e Shqipërisë ku ka vatra aktive.

Në fshatin Cukal të njësisë administrative Shllak në bashkinë e Vaut të Dejës pranë Shkodrës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme.

Shërbimi vendor në Vaun e Dejës ndodhet në vendngjarje dhe po punon për shuarjen e flakëve.

Për të zbritur rishtaz në jug, po luftohet kundër zjarreve në fshatin Qesorat, të njësisë administrative Lunxhëri në bashkinë e Gjirokastrës.

Në këtë fshat janë nxjerrë në ndihmë të autoriteteve vendore dhe shërbimit të zjarrfikëses 20 ushtarë të Forcave të Armatosura.

Sakaq, kryeministri Edi Rama tha se “angazhimi disaditor për shuarjen e zjarreve në Karaburun dhe jo vetëm, nga Forcat e Ushtrisë dhe trupat Rangers në terren meriton respekt e inkurajim, në një kohë kur shumë vende po përballen me kërcënimin e zjarreve”.