Vaçe Zela, shoqja jonë e gjimnazit

Nga Rozi Theohari

Eshtë nder për mua të shkruaj këta rreshta për shoqen  time të mirë Vaçe Zela, së cilës iu dha titulli “Nderi i  Kombit”. Titullin e dorëzoi Presidenti Moisiu në qytetin  e Lushnjës, me 19 janar 2003, në një takimi të gjerë festiv dhe  emocionues.

Dëshiroj t’i dërgoj Vaçes urimet e mia ashtu si dhe shumë  shoqe e miq të saj, mijëra adhurues të vjetër e të rinj, nga  diaspora shqiptare e Amerikës. E marr me mend dhembjen e  të afërmve të familjes dhe miqve të ngushtë. Vaçia nuk ishte e  pranishme për të marrë vlerësimin e merituar.

Ajo i ka ndier urimet e ngrohta të përciella nga zemrat  shqiptare që kanë dëgjuar zërin e saj magjik, që nga vendlindja  e saj, Lushnja, e mbarë atdheu e jashtë tij.

Kur dhe si u njoha me Vaçen?

Nga mesi i viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar familja  ime u shpërngul nga qyteti i Korçës për t’u vendosur  përfundimisht në Tiranë. Atëherë isha nxënëse gjimnazi. Kur  paketuam plaçkat, palosa me kujdes dhe kostumin e korit,  bluzën e bardhë dhe fundin blu. Kostumi do të më duhej në  gjimnazin “Qemal Stafa” të Tiranës, ku u regjistrova në të  njëjtën klasë me Vaçe Zelën dhe këndova në të njëjtin kor  bashkë me të.

Ishin ditët e “etheve” për përgatitjen e festës më të  rëndësishme artistike të çdo viti në kryeqyte,”Mbrëmja e  miqësisë shqiptaro- sovietike.”Dirigjenti i korit të gjimnazit (nuk  ia mbaj mend emrin) ishte një anetari korit të Teatrit të Operes.

Ai punonte me zell, preokupim e këmbëngulje, për të përgatitur  një kor me dinjitet artisitik, për t’i shërbyer si sfond e  njëkohësisht për t’u shkrirë e bërë njësh me zërin melodioz të  solistes sonë, Vaçe Zelës. I pakënaqur nga kori ekzistues, shkoi  me durim klasë më klasë, per te dëgjuar e provuar zërat e  nxënësve. Midis të tjerëve u veçova dhe unë, mbasi kisha kohë  që këndoja në korin e “Shtëpise së Pionierit”, në qytetin e  lindjes. Nuk do ta harroj ditën e parë të provave të korit. Aty e  njoha Vaçen, para se ta njihja në klasë. Ajo hyri në sallë me të  ecurin e saj të lehtë, e thjeshtë dhe gazmore. Ndërkaq ne ishim  lodhur e ngjirur se përsërituri këngën, ndërsa dirigjentit i  rridhnin djersët faqeve. Ai e ftonte Vaçen para korit vetëm  kur ishte i bindur se kënga ishte përvetësuar mirë dhe ne  këndonim të gjithë në një kohë e të përqendruar. Këngët  zakonisht ishin zgjedhur të gjitha nga repertoret e republikave  sovietike dhe ne, po ashtu, duhet t’i këndonim dhe  interpretonim duke imituar koret e famshme ruse.

Kishin mbetur vetëm dy javë nga dita e koncertit të madh.

Si për dreq, atë javë ra një grip i rëndë në Tiranë, që përfshiu  të madh e të vogël. Vaçja u sëmur si gjithë të tjerët, saqë nuk  mund të nxirrte një tingull nga gryka. Preokupim i madh i  dirigjentit, i nxënësve e mësuesve të gjimnazit, deri tek prindërit  tanë. Gjyshja ime, që thurte me shtiza një palë çorape të leshta,  më tha: “Bija e nënës, shpjerja Vaçes t’i mbathë t’i rrinë këmbët  ngrohtë. Ajo fle në konvikt, s’e ka familjen të kujdeset për te.”

Por për Vaçen kujdeseshin të gjithë. Mësuesit e këshilluan të  rrinte brenda e të mos vinte në shkollë. Mësimet e mbetura, ia  shpjegonin shoqet, të cilat nuk harronin ta mbështillnin me  shallë e mbulesë, sa ia merrnin frymën. Çdo mëngjes, kur vinin  konviktorët në shkollë, i pyesnim me shqetësim, “A i erdhi zeri  Vaçes?” Së fundi, ato na sollën lajmin e gëzuar: “Vaçja është  në formë!”

Ora tetë e një mbrëmjeje të ngrohtë prilli. Salla e madhe e  Teatrit gumëzhinte nga zërat e të qeshurat e të ftuarve dhe  tingujt e provave të orkestrantëve. Ne rrinim të ngrirë prapa  perdes së kuqe, të kadifenjte. Në shkallëzat e skenës qëndronim  gatitu, njëri pas tjetrit katër rreshta koristësh, dy të parat me  vajza, dy të fundit me djem. Të veshur bardhë e blu e të ndarë  në tri zëra. Unë isha në zërin e pare, në rreshtin e parë, nga ku  e dëgjoja me pranë zëëmblen Vaçe. Ishte vendosur që kori i  gjimnazit tone të hapte mbrëmjen artistike. Sigurisht, merita  ishte e zërit të Vaçes. Ne të tjerët ishim përfituesit, por edhe  përgjegjësit, për të mos e turpëruar këngëtaren dhe shoqen  tonë.

Në sallë ra përnjëherë qetësia. Sapo kishin ardhur  përsonalitetet e larta të vendit, delegacionet e ftuara sovjetike  dhe perfaqësitë e ambasadave të Tiranës. Zemra sa s’po na  dilte nga kraharori, mbushur me emocione të forta. Përpara  nesh, në qendër të gjysmërrethit të skenës qëndronte Vaçia,  veshur me një bluzë ta bardhë e fund të zi, me trupin e hollë si  llastar, me një buzëqeshje të lehtë nderur mbi fytyrë. Ishte e  qetë dhe here pas here kthente kokën nga ne të na jepte zemer. 

Kur u hap perdja, një kor duartrokitjesh sikur na solli në vehte e morëm frymë lirisht. Vaçia, bëri dy hapa para, bashkoi duart prapa dhe ia përkuli pak kokën publikut. Përsëri duartrokitje  dhe më pas mbizotëroi një heshtje e thellë. Orkestra filloi  melodinë e refrenit të këngës ukrainase “ Lumi i Dnieprit.”  Dirigjenti na i rrotulloi sytë përnjimend, pastaj me levizjen e  dorës së tij të majtë i dha shenjë Vaçes të fillonte.

Një zë i butë, fluid, me intonacione të gjata, duke u ngritur  lart note pas note, një gjerësi frymëmarrjeje. Mua më ka mbetur  e fiksuar si një mrekulli, një marramenth, një hon dallgësh, që  ta rrëmbente shpirtin e ta përplaste lehte në brigjet e lumit. Ky  ishte zëri i Vaçes atë mbrëmje dhe fjalët e këngës së saj: Ja si  buçet ky Dnjepr’ i gjerë/ Dafinen era e përkund/ Dhe dallgët  i çon si mal i lartë/ I hedh përpjetë e prape i ul.

Dy vargjet e fundit, refrenin, e përsërisnim ne, kori, duke  lëkundur lehtë trupat tanë, të katër rrjeshtat e bluzave të  bardha, në drejtime të kundërta, për të dhënë imazhin e  dallgëve. Megjithese këtë lumë nuk e kishim parë kurrë,  oshëtimen, bukurinë dhe madhështinë e tij e ndienim dhe e  përjetonim në vokalin e papërseritshëm të shoqes sonë të klasës.

Kur Vaçja filloi të këndonte strofën e dytë: Tej në katund  të gjithë flenë/ Kudo qetësia mbretëron…/ Në sallë  mbretëronte qetësia. Njerëzit rrinin të magjepsur dhe të  hipnotizuar nga zëri i një vajze të talentuar 15-vjeçare. Në  fytyrën e ruseve dallohej habia e adhurimi, ndërsa në atë të  udhëheqësve, krenaria. Në sytë e prindërve tanë shkëlqenin  lotët dhe në shpirtin plot krenari lexohej gëzimi i papërmbajtur.

Së fundi, duartrokitjet e gjata e të merituara për Vaçen, na  sollën përsëri në vete, në atë realitet të bukur, ku ndiheshim  krenare që ne ishim e do të mbeteshim shoqet e shokët e saj.  Dhe kjo është sa prekëse aq dhe e vërtetë. Ne ishim e mbetëm  nder shoqet e shokët më të mirë të saj. Me kalimin e viteve, ne  u shkolluam, fituam nga nje profesion dhe u bëmë dikush  mjek, dikush fizikan, jurist, gazetar, shkrimtar, pedagog,  inxhinier, studiues etj. Ishim një buqetë e këndshme shokësh e  shoqesh, por Vaçja dallonte si një trëndafil i kuq i bukur në  krye të kësaj buqete. Vaçja këndoi ne të gjitha skenat e  Shqipërisë dhe jashtë saj, dashuroi shokun e jetës, u martua  me të e lindi një vajzë të bukur (së cilës i këndoi këngën e  femijës së parë), mori kudo qindra mijë duartrokitje dhe  përgëzime, fitoi tituj e çmime. Ajo kthehej çdo vit, e thjeshtë  dhe e dashur, në vatrën e ngrohtë të shoqërisë së gjimnazit. U  krijua një rit, që vazhdoi gjatë, takimi vit për vit me ishgjimnazistët  në mjediset familiare, në shtëpitë e njëri-tjetrit.

Merret vesh se sa lumturoheshim kur shihnim Vaçen të shfaqej  në derë. Përqafime, shtrëngime duarsh, këngë e humor pa  mbarim nga jeta e shkollës dhe jeta e mëvonshme e çdo njerit.  Vaçen e vinim në krye të tryezes, të degjonim zërin e saj në  këngë e biseda të ngrohta miqësore. Ajo rrallë këndonte. “Më  lini,- thoshte,- të çlodhem, këtu kam ardhur të çmallem e të  argëtohem, jo të këndoj.” Ndërsa s’përtonte të imitonte, si  dikur, zërin e disa mësueseve, gjatë spjegimit të mësimit dhe  replikat, ndonjehere jo te kendshme qe kembenin me nxenesit.

Kalonim keshtu së bashku orë të gjata gazmore.  Më kujtohet, festonim dhjetëvjetorin e mbarimit te gjimnazit  në familjen e doktoreshës  Adelina Mazreku, një nga nxënëset e shkëlqyera të klasës  sonë. Babai i saj, komentatori i njohur i futbollit Andon  Mazreku, bashkë me të shoqen, gatuan një darkë të bollshme e  të shijshme. Por ajo që nuk harrohet, ishte pritja e kujdesi i  tyre prindëror që treguan për secilin, megjithëse shumë nga  ne ishim bërë tashmë prindër. Aty nga ora dy e natës gjithë grupi,  me Vaçen përpara, dolëm në bulevard dhe u drejtuam nga  ndërtesa e ish-gjimnazit “Qemal Stafa”, të kthyer në hotel. U  rreshtuam para derës, sipas klasave paralele të dikurshme e filluam  të këndonim këngët ruse të korit. Në atë kohë, pushtetarët drejtues  të shtetit i kishim prishur marredheniet me sovjetikët dhe këngët  ruse ishin të ndaluara. Dritat u hapën në të gjitha dhomat e  hotelit dhe bujtësit dolën në dritare duke bërtitur e sharë. Sikur ta  dinin ata të varfër se aty poshtë tyre ndodhej e këndonte Vaçe  Zela, do të kishin brohoritur e duartrokitur.

Kur ia tregoja gjyshes këto peripeci, ajo me lutej t’ia çoja  Vaçen për vizitë në shtëpi, si dikur, kur vinim me shoqet e  gjimnazit. “Vaçen e kërkojnë gjithë shqiptarët për vizitë, -i  thosha- s’do t’i mjaftonin një mijë vjet” “Po të kam rixha, – më  lutej ajo,- kur të llafosesh me Vaçen, i thuaj se ato këngët e saj  po ma shtojnë ymrin. I thuaj se atë zërin e ëmbël si bilbil ia ka  dërguar perendia në shpirt, jo sikur e ka të sajin!”

Muajt e vitet kalonin dhe Vaçen e shihnim më rrallë në  takimet tona të shumepritura. Shpesh, na dërgonte  përshëndetje me telefon ose me shoqet që e vizitonin, duke na  kërkuar të falur, se ndodhej nëpër turne brenda e jashtë vendit.

Një ditë, aty nga fundi i viteve 80-te, s’m’u durua e i shkova  për vizitë në shtëpi. Me gjithë gëzimin që iu shfaq në fytyrë për takimin e papritur mbas një kohë të gjate, m’u duk se një hije trishtimi fshihej pas syve të saj kafe të çelur.

“Do te dal në pension,- tha, pasi u ulëm në kolltukun e kuzhinës.

“Ti je në kulmin e lulëzimit!” – thirra unë.

“Ndoshta do të jetë më mirë për mua tani, që jam e sëmurë,- foli ajo qetësisht duke vendosur në kasetofon një kasetë me këngë kosovare. “Ata i pëlqejnë këngët e mia dhe unë i pëlqej të tyret”,- buzëqeshi me ngrohtësinë që e karakterizon gjithmonë.

Ishte rastësi apo jo, por këngë kosovare dëgjova edhe një herë tjetër, kur i shkova për vizitë aty nga fillimi i viteve 90-te.

Vaçja dukej e ripërtëritur, e shkathët në lëvizjen e trupit, me flokët e gjatë, e freskët në fytyrë, e qeshur e tërë humor.

Falënderova Zotin në heshtje dhe e pyeta, për ku po nisej. Ajo po hekuroste një bluzë mëndafshi bojë qielli të çelët e foli tërë nur: “Do të takoj Nexhmije Pagarushën, tani në mëngjes.”

Kur veshi bluzën dhe lidhi fjongon e jakës së hapur, një purpur i lehtë ia mbuloi paksa mollëzat e ngritura të faqeve.

“Dukesh shumë mire, si përherë,”- bëlbëzova unë.

Ajo qeshi, mori nga frutiera një portokall të madh e të bukur dhe dolëm të dyja jashtë, në korridor.

Kur po zbrisnim shkallët, me tha se atë portokall do t’ia çonte Pagarushës.

Kjo ishte hera e fundit, që u takova me Vaçen para se të nisesha për në Amerikë. Vite më vonë, mora vesh se dhe shumë shoqe e shokë të gjimnazit ndoqën rrugën pa kthim, larg vendlindjes. Vaçia, shoqja jonë shpirtëmbël, po ashtu ndodhet jashtë, në një spital të Zvicrës, për t’u kuruar. Ajo buqeta e bukur e shoqërisë sonë, për t’u pasur zili, tashmë ështe shkartisur. Na kanë mbetur vetëm kujtimet. Kujtime që shoqja jonë e gjimnazit Violeta Librazhdi i ka hedhur në librin e saj botuar kohët e fundit “E papërsëritshmja Vaçe Zela.”

“Të njohësh nga afër artistet e shquar të kombit tënd është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve, ndaj unë e ndiej si detyrim për t’u dëshmuar të tjerëve ato që di për rininë e artistes së shquar,”- thotë autorja.

Na kanë mbetur vetëm kujtimet dhe…urimet.

E dashur Vaçe! Nga Bostoni i largët i Nolit, i Konicës dhe i mijëra shqiptaro-amerikanëve, të dërgojmë urimet tona për një shërim të shpejtë. Le të shërbejë titulli i lartë “Nderi I Kombit” si ilaçi më i mirë, ashtu siç e pate thënë edhe vete me gojën tënde.