Vaksinat përforcuese, antitrupat dhe mbrojtja nga COVID-19

Dr. Pashko R. Camaj,
Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik

Që nga fillimi i shpërndarjes së vaksinës kundër COVID-19 në dhjetor të vitit të kaluar, në Shtetet e Bashkuara (SHBA) janë administruar më shumë se 445 milionë doza, duke vaksinuar plotësisht mbi 197 milionë njerëz ose 59.5 për qind të popullsisë së SHBA. Ndërsa normat e vaksinimit po rriten ngadalë dhe rastet e reinfektimeve (“breakthrough”) vazhdojnë, pyetja mbizotëruese ka qenë nëse personat e vaksinuar duhet të marrin vaksina përforcuese.

Disa shkencëtarë po u referohen testeve të antitrupave si një nga mënyrat për të matur nivelin e imunitetit tone. Në fund të fundit, antitrupat janë ushtarët tonë “këmbësorë” që sulmojnë dhe u zënë pritë pushtuesve patogjenë të mundimshëm përpara se ato të shkaktojnë dëme në trupin tonë. Pra, kjo qasje, në shikimin e parë, është e arsyeshme që njerëzit ndoshta do të përfitojnë nga një injeksion përforcues (“booster”) që do t’i rigjallërojë ata përsëri nëse nivelet e qarkullimit të antitrupave janë të ulëta ose në rënie. Ndërsa kontrollimi i niveleve të antitrupave, nuk ka asnjë dëm në ne, ato ndoshta nuk janë të dobishme për të vendosur nëse nevojitet një vaksinë përforcuese. Një numër i painterpretueshëm i nxjerrë jashtë nga një analizë e rastësishme e antitrupave mund të na lërë me një ndjenjë të rreme sigurie, ose thjesht të përforcojë pasigurinë – asnjëra prej të cilave nuk është veçanërisht e dobishme ndërsa përpiqemi të menaxhojmë një pandemi.

Zvogëlimi i antitrupave nuk do të thotë automatikisht ulje e imunitetit

Pas vaksinimit, një grup mbrojtësish imunitar të quajtur qelizat B fillojnë të prodhojnë antitrupa në një numër masiv. Përgjigja e tyre fillestare është të lidhin majat e molekulës së tyre në formë Y në sipërfaqe të virusit. Sa më mirë të ngjiten në virus, aq më shumë shanse kanë për të neutralizuar atë dhe për të mos lejuar që ai të hyjë në qelizat tona dhe ti dëmtojë ato. Shumë nga këto antitrupa të hershëm nuk janë shumë efektivë në punën e tyre. Me kalimin e kohës, ata vazhdojnë të vetë-përmirësohen, gjë që mund të jetë gjithashtu një arsye për të mos nxituar në marrjen e një vaksine përforcuese.

Ne e dimë se mënyra se si imuniteti ynë reagon, ndryshon nga personi në person, kështu që në parim dy persona mund të kenë mbrojtje të barabartë nëse një person ka nivele relativisht të ulëta të antitrupave të fuqishëm dhe tjetri ka nivele të larta të antitrupave më pak të fuqishëm, por ende adekuat. Testet e antitrupave vështirë se do të pasqyrojnë këtë ndryshim. Ne e dimë se pas një infeksioni ose vaksinimi, nivelet e antitrupave rriten dhe arrijnë nivelet maksimale, por me kalimin e kohës ato zvogëlohen gradualisht. Por kjo nuk do të thotë se mbrojtja nga antitrupat është zhdukur. Sistemi ynë imunitar ka një strategji prodhuese që është një përgjigje “vetëm në kohë” kur bëhet fjalë për prodhimin e antitrupave. Pas një infeksioni ose vaksinimi, shumica e antitrupave të mbetur shpërbëhen gradualisht, por nëse patogjeni kthehet, qelizat e quajtura qeliza B të memories mund të rrisin përsëri prodhimin. Së fundmi, përveç një antitrupi që prodhon, sistemi ynë imunitar do të trajnojë edhe qelizat T për të luftuar virusin. Këta mbrojtës rezervë mund të mos mobilizohen në kohë për të parandaluar infeksionin, por ato mund të parandalojnë që virusi të shkaktojë sëmundje serioze.

Testet e antitrupave nuk matin kapacitetin prodhues të sistemit tonë imunitar. Rënia e niveleve të antitrupave nuk ka qenë dhe aq e shpejtë, por po ndodh – kontrollet e rregullta te disa njerëz kanë treguar se nivelet e antitrupave, të njohura edhe si titrat, janë ulur, nga pranvera në verë, tani në vjeshtë. Ky reduktim i përshtatet narratives që disa raporte kanë dhënë alarmin për një kohë tashmë: muaj pas vaksinimit, antitrupat janë në rënie, një prirje që shpesh është përshkruar si një “zbehje” e imunitetit. Kjo dukuri është përdorur si dëshmi se ne të gjithë kemi nevojë të madhe për vaksinë përforcuese për të rizgjuar mbrojtjen tonë. Një dozë përforcuese zakonisht jepet pas një kohe të caktuar, si një kujtesë për trupin tonë se si “duket” virusi në mënyrë që të mund të përforcojë përgjigjen imune.

A ka një moment kohor të duhur për të marrë një përforcues?

Përpjekja për të vlerësuar kohën e duhur për të marrë një përforcues ka qenë një sfidë për shumë faktorë, por më së shumti për shkak të risisë së këtij virusi. Shkencëtarët brenda dhe jashtë qeverisë janë ndarë në lidhje me nevojën për vaksinat përforcuese, kush duhet t’i marrë ato dhe kur. Për t’i komplikuar gjërat, qeveria federale e ka bërë atë më të habitshme duke komunikuar fillimisht politikën e saj që përforcuesit do të bëhen të disponueshëm për të gjithë amerikanët që kanë marrë vaksinat e ARN-së (mRNA), duke filluar nga shtatori. Por më pas, pas rishikimit të të dhënave, Administrata e Ushqimit dhe Barnave kërkoi që administrata e presidentit Biden të tërhiqej nga rekomandimi për të përfshirë vetëm personat vulnerabil nga pikëpamja mjekësore, ata mbi 65 vjeç dhe punëtorët e vijës së parë, të paktën tani për tani. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kundërshtuar fuqishëm që kombet e pasura të bëjnë një raund të tretë të vaksinave kur vendet e varfra nuk kanë mjaftueshëm vaksinë për të parën e tyre. Ndërsa kërkimet sugjerojnë se nivelet e imunitetit tek ata që janë vaksinuar bien me kalimin e kohës dhe përforcuesit mund ta ndryshojnë atë, vaksinat janë ende shumë mbrojtëse kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes, duke përfshirë variantin Delta.

Përdorimi i një testi të thjeshtë të antitrupave mund të mos jetë një metrikë e besueshme për të gjurmuar imunitetin. Ndryshe nga testet PCR që zbulojnë nëse jeni aktualisht i infektuar me virusin, testet e antitrupave ju tregojnë nëse keni njëfarë imuniteti ndaj SARS-CoV-2 nga një infeksion ose vaksinim i mëparshëm. Testi i duhur i antitrupave është mjaft i mirë për t’iu përgjigjur kësaj si një pyetje, po ose jo. Por kur ne dëshirojmë më shumë informacion, gjërat bëhen të ndërlikuara. Nëse rezultati i antitrupave bie (siç parashikohet) që nga koha kur keni marrë vaksinën, ju ndoshta jeni më pak të mbrojtur në kuptimin e menjëhershëm sesa keni qenë pas vaksinimit. Është e rëndësishme të dimë se gjatë disa muajve të parë pas vaksinës, imuniteti ynë u mbingarkua dhe siguroi një super-mbrojtje, më shumë se sa mund të ishte dashur. Muaj më vonë, këto nivele bien, duke çuar në mbrojtje të ‘nivelit normal’. Akoma nuk e dimë nëse kjo mbrojtje e re e nivelit normal është e mjaftueshme. Por, ofrimi i vaksinës përforcuese shumë shpesh ose shumë shpejt mund të jetë në rastin më të mirë i pakuptimtë dhe ndoshta kundërproduktiv, pasi që kjo mund të ndërhyjë në qendrat aktive të makinerisë imuitare në trupin tonë që ende po bëjnë punën e tyre. Pritja pak më gjatë mund të ndihmojë për t’u siguruar që qelizat më të mira të mundshme B të rizgjohen vetë në veprim dhe të prodhojnë antitrupa të rinj.

Nuk ka arsye për panik

Antitrupat tanë janë si ushtritë që qëndrojnë në kazermat e tyre, pasi ato vazhdimisht i përmirësojnë aftësitë e tyre. Me rritjen e një nivel kërcënimi, ushtarët vendosen në “gati” dhe shpërndahen në vende strategjike, ashtu siç do të bënin antitrupat tanë gjatë një ekspozimi ndaj virusit. Pasi niveli i kërcënimit të zhduket, ushtarët kthehen në kazermat e tyre dhe vazhdojnë rutinën e tyre dhe qëndrojnë gati kur të thirren përsëri.

Imuniteti ynë ka të bëjë shumë më pak me nivelet e antitrupave, dhe më shumë me aftësinë për t’iu përgjigjur ziles kur ato janë të nevojshme. Ushtarët tanë mbrojtës nuk kanë nevojë të jenë gjithmonë të dukshëm nëse janë gati të futen në ingranazhe kur thirren në betejë. Një ngadalësim i prodhimit të antitrupave nga nivelet fillestare, në një farë mënyre, mund të shihet si qetësues. Kur shohim se antitrupat “zbehen”, nuk është një shenjë që ne të kemi panik. Është një shenjë e një sistemi imunitar që po planifikon dhe shpërndan mjetet e tij në mënyrë të arsyeshme – po bën atë që bën më së miri, duke u përpjekur vazhdimisht të përmirësojë aftësitë e tij për të na mbrojtur. (Telegrafi)

Comment

*