Valixhja diplomatike e Zogut me amerikanët

Cikël historik me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane – Pjesa e nëntë

 

Nga Ylli Polovina

Në krye të një shteti të vogël, i cili në pamje të parë dukej sikur e kishte të zgjidhur pozitivisht e në mënyrë të pakthyeshme çështjen e mbijetimit të tij territorial, ndërsa në të vërtetë ende nuk e kishte fashitur këtë të papritur, Ahmet Zogu kryeministër dhe më pas president dhe mbret detyrohej që më shumë se zulme fjalimesh të kryente llogari të ftohta taktike dhe strategjike. Skema e tij, si për çdo njeri pushteti që di t’ia dalë mbanë ambicieve të veta, zotëronte të harmonizuara dy kode sigurie: interesat e tij personale dhe ato të Shqipërisë. Asnjërën nuk e fshihte.
I pajisur me inteligjencën e një njohësi të mirë të mjedisit bashkëkombës si edhe tepër mjaftueshëm me dhuntinë e marrjes dhe të ushtrimit “shqiptarçe”, pra suksesshëm në viset tona, të pushtetit, Zogu e dinte që nuk mund të shmangte dot një rregull të pathyeshëm: interesi i tij privat me atë të vendit duhej të bëheshin në një valë me ato të fuqive të mëdha të kontinentit e globit si edhe në përputhje me dinakërinë për t’ua bërë të pamundur nepsin shoven shteteve grindavecë fqinjë. E gjithë inteligjenca dhe qëndresa i lypej pikërisht këtu. Rezistonte Shqipëria, mbijetonte edhe ai.
Tamam në gjetjen e kësaj skeme favorizuese të marrëdhënieve ndërkombëtare Ahmet Zogu, siç ja kishte arritur pothuaj mjeshtërisht punës me atë të raporteve të brendshme, për sa varej prej tij, ia doli mbanë edhe me ato të jashtme. Kjo trashëgimi përmban një nga vlerat më interesante në historinë tonë kombëtare.
Ai nuk zotëronte asnjë aftësi oratorike dhe asnjëherë, edhe pse qe politikan, nuk i vuri vetes si qëllim t’i hynte punës për ta përvetësuar këtë dhunti të domosdoshme. Kështu që në krahasim me Fan Nolin dhe Faik Konicën ai ishte një nxënës i bankës së fundit, në mos një mbetës. Shkollëpambaruari Zog nuk kishte as mjaft cilësi të tjera intelektuale të krahasueshme sado pak me të dy rivalëve të vet. Noli dhe Konica ia hidhnin po ashtu edhe me një epërsi të tyre shumë të ndikueshme në opinionin publik shqiptar të atyre viteve: lidhjen e ngushtë personale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ahmet Zogu nuk e kishte këtë kapital.
Mirëpo në të gjitha epërsitë e mësipërme, ato që lidheshin me vitet e shkollës apo dituritë e librave ai nuk e çante fort kokën, sepse e pati mësuar që fare i ri se në fund të fundit për të vendosur pushtetin personal mbi një territor të banuar nga shqiptarë vitet universitare nuk qenë shumë të domosdoshme. Kur ishte në vitet e emigrimit pa pushtet ai pa se si një tjetër me arsim të lartë të papërfunduar, Enver Hoxha, e vuri nën kontroll po atë popull që edhe ai e pati qeverisur me të gjitha dhelpëritë e nevojshme. Zogu mbetej i merakosur për një gjë thelbësore: mënyrën se si do t’i përputhte dhe jo përplaste veprimet e tij me ato të protagonistëve të rëndësishëm ndërkombëtarë. Aty gjendej “Thembra e Akilit” për shtete të mëdhenj e jo më për një të vogël.
Në këtë art rezultoi shumë i shkathët dhe dinamik, mjaft i ekuilibruar dhe rrëshqitës, tepër pragmatist dhe largpamës. U bë lajkatar pa u katandisur në servil, u shfaq i bindur pa përfunduar asnjëherë në një të nënshtruar.
Skema e ndërtuar prej tij në sjelljen me ndërkombëtarët gjatë gjithë kohës kur në fillim të viteve njëzetë veproi si kryeministër dhe në gjysmën e tyre të dytë dhe në dekadën e mëpasshme edhe si president e mbret qe shumë e ndërlikuar. Ajo i përgjigjej një situate globale mjaft të pleksur, kokëlëmshazi të ngatërruar. Fqinjët historikë, jugosllavët, grekët dhe italianët, me në të kaluarën e tyre përpjekjet tinëzare për ta ndarë e copëtuar apo pushtuar Shqipërinë tërësisht, ende qenë nëpër duar me të njëjtat projekte. Enver Hoxha, i cili edhe ai vuri në veprim një skemë të tij marrëdhëniesh ndërkombëtare, ndërsa justifikoi vetmbylljen e vendit me të qenit “në gojën e ujkut”, pra me rrethana ekstremisht të rrezikshme, me fqinjët në të vërtetë e kishte gjendjen në një nivel agresiviteti më të ulët se Ahmet Zogu.
Kryeministri i bërë president dhe pastaj mbret e ushtroi pushtetin e tij kur nisën të përhapen e të fuqizohen në kontinent dhe më pas në të gjithë botën edhe dy ideologji shumë të tunduese e tepër fanatike, tmerrësisht arrogante dhe me forcë shkatërruese, vrastare pa fund dhe kriminale pa asnjë fije pendimi: komunizmi bolshevik sovjetik dhe fashizmi nazist. Ato mashtruan me qindra milionë njerëz, madje e ndanë më dysh të tërë globin.
I shtrënguar nga njëmijë rrethana që nuk vareshin as nga vetja dhe as nga shqiptarët, Zogu u detyrua të bashkëpunonte me vatrën e parë të fashizmit, Italinë e Benito Musolinit. Ndërsa prej Beogradit dhe Athinës i vinte kanosja e rrëmbimit të territoreve, nga Roma, në traditën e saj gjeostrategjike e interesuar për ta pasur vetë nën mandat administrimi dhe për pasojë mos lejuar copëtim të Shqipërisë, i frynte në shpatull ideologjia totalitare e një diktature. Ahmet Zogu ishte autoritar, por jo mirëfilli diktator. Ai diti të lëvizë me kujdes të madh në një hapësirë kaq fort të ngushtë sa nga çasti në çast mund t’i kthehej në grackë.
Në skemën e marrëdhënieve ndërkombëtare, që përpunoi dhe zbatoi, pra në “valixhen diplomatike” të tij, kryeministri president dhe më vonë mbret diti të mbajë paketën e shkathësisë për të kapur pikën më të qartë të baraspeshimit, pothuaj “mesin e artë”. Një pozicionim të tillë në Ballkan më pas do ta gjente dhe ushtronte me sukses deri edhe përtej kufijve të shtetit të vet, Josif Bros Tito. Megjithatë për t’i mos shkuar më tej kësaj teme dhe një krahasimi më të thelluar të dy teknikave, asaj zogiste dhe titiste, të paktën ajo e Ahmetit shqiptar në gadishullin tonë është më e hershmja, në mos edhe pionierja.
Zogut i duhej të kavërdisej mes anglezëve dhe interesave të tyre të drejtpërdrejta, jo përherë afër shqiptarëve kur ishte fjala për plotësimin e lakmive greke të “Vorio Epirit”. I nevojitej po ashtu të rrëshqiste me kujdes mes atyre të francezëve dhe gjermanëve.
Ndërkohë me amerikanët, fuqinë e stërmadhe të përtej Oqeanit Atlantik, atij i nevojitej të bënte të kundërtën e asaj që kryente me të fortët e kontinentit evropian. Ndërsa këta të fundit duhej t’i përmbante dhe kurrkujt të mos ia jepte monopolin e kontrollit absolut mbi vendin e tij, sepse në fund të fundit atë qe e domosdoshme ta mbante shtrënguar në duart e veta, me Shtëpinë e Bardhë kishte nevojë t’ia nxiste vëmendjen dhe interesin gjeopolitik.
Që Ahmet Zogu ishte në raportet ndërkombëtare një politikushtrues i mesit të artë mund ta kuptosh duke vëzhguar si i ndërtoi raportet me italianët, veças me jugosllavët apo edhe me gjithë të tjerët. Për temën që po rrahim në këtë cikël me rastin e njëzetë vjetorit të rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes Uashingtonit dhe Tiranës për të dalë në të njëjtin konkluzion mjafton të shohësh nga afër ato që ai realizoi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përkundruall me Bashkimin Sovjetik.
Historitë e marrëdhënieve të Zogut me ShBA-në janë tepër të vona dhe fillimisht jo shumë entuziaste. Beu matjan që fliste pak por vepronte shumë, i riu që edhe kur qe njëzetë vjeç dinte të grumbullonte rreth vetes dhe t’i hidhte në veprime të qarta luftarako-politike dymijë krahinarë të armatosur, ka qenë një austrofil, madje gjithë jetën nuk e hoqi dot apo të paktën zbuti nga silueta e imazhit të tij hijen e një oficeri të viseve gjermanike. Ahmeti u bashkua me këtë perandori të fuqishme jo vetëm sepse si njeri pushteti e kishte të domosdoshme mbështetjen tek një fuqi e madhe e huaj, por sepse Austro-Hungaria qe për një Shqipëri të mëvetësuar dhe barrierë kundër serbëve. Zogu i hyri në shërbim Vjenës sepse ishte nacionalist. Po të mos qe i tillë do të shndërrohej si i kushëriri me eshtra ende të parehatuara: Esat Pashë Toptani.
Kur në fillim të verës 1922 Ahmet Zogu u shpreh se Uashingtoni nuk duhej të vonohej në kryerjen sa më të shpejtë të gjestit të njohjes së shtetit shqiptar, ngjarjet nuk u vonuan më tepër se dy muaj. Në Tiranë nëpërmjet të dërguarit të tyre sondazhues, konsullit Bllejk, prej Shtëpisë së Bardhë mbërriti miratimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Në deklaratën pararendëse Zogu kishte theksuar se shqiptarët e donin Amerikën dhe atë njohje diplomatike e meritonin. Pak fjalë pati shqiptuar, asnjë ekzaltim nuk kishte lënë t’i dukej.
Kjo është një ndër deklarimet e para të tij për ShBA-në, ndërsa qe jo në periferi të politikës, por në qendër, jo në opozitë, por në krye të qeverisjes së Shqipërisë. Fraza e shqiptuar prej tij ishte thellësisht e kthjellët, por duke mos qenë e ftohtë gjer në akull, nuk përmbante gjithashtu ndonjë entuziazëm. Patjetër qe thjesht një llogaritje gjeostrategjike. Megjithatë, ndërsa përditë e më shumë opozita me në krye Fan Nolin qe shndërruar në një propaganduese elokuente dhe e zjarrtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, madje që luftonte tërësisht e mobilizuar për të plotësuar edhe interesat e saj ekonomike në Shqipëri, kabineti qeveritar me në krye Zogun lidhej fort e më fort me anglezët. Në maj 1923 deklarata e tij në parlament ku hodhi poshtë ofertën e kompanisë vajgurore amerikane “Sinkler”, duke favorizuar atë britanike “Anglo Persian”, do të shënohej e mbahej mend prej diplomatëve të Shtëpisë së Bardhë në Tiranë. Kjo nuk ishte krizë mes tij dhe amerikanëve, por minus patjetër.
Humori i ftohtë do të gricte edhe një vit më pas, duke shkaktuar edhe një minus të dytë. Në 6 prill 1924 një bandë me banorë vendas kishte vrarë në Mamurras në mënyrën më të padëgjuar dy turistë paqësorë amerikanë dhe pas kësaj menjëherë u përhapën fjalë se në sfond të krimit përçudnues ndodhej dora shtytëse e Zogut. Pak ditë më parë, si pasojë e një atentati që iu bë në hyrje të parlamentit ai pati dhënë dorëheqje. Kabinetin qeveritar e kishte marrë jo opozita, por vjehrri i tij Shefqet Vërlaci, megjithatë Fan Noli me të tijtë ndihej shumë i fortë dhe në revansh. Ata po përgatitnin përmbysjen e të djathtëve, veçanërisht mundjen përfundimtare të Ahmet Zogut, përfaqësuesit më të fortë të klasës së pronarëve të mëdhenj të tokave. Fjalënaja e shpërndarë gojë më gojë, por tashmë e gjitha e shkruar si gjasë e vërtetë edhe në një raportim për Departamentin Amerikan të Shtetit të ambasadorit amerikan në Tiranë, e uli edhe më temperaturën e marrëdhënieve mes të dy palëve.
Por kryeministri që u bë president dhe më pas mbret ecte ngadalë dhe në mënyrë të sigurt. Qëndronte ngulshëm pranë anglezëve. Qe llogari e hekurt. Britanikët ishin perandoria e kohës, superfuqia që i kishte shtrirë duart e saj edhe në të gjithë Ballkanin. Ata kontrollonin Jugosllavinë dhe Greqinë, ndërsa Shqipërinë nuk e kishin veç një paradhomë. Në të kundërt Amerika rrinte larg, në vetizolimin tradicional, e çinteresuar për lëmshnajën e Evropës dhe jo më të gadishullit problematik në jug të saj. Zogu duke e orientuar lidhjen e tij kryesore me anglezët zgjidhte njëherësh disa probleme të ndërlikuara të tij në vorbullën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Mbi të gjitha, duke mos ua lënë Londrën monopol, ai paralizonte ose të paktën kufizonte veprimin territorial gërryes të dy fqinjëve pandreqshmërisht agresivë, serbo-jugosllavëve dhe grekëve. Me britanikët pranë Ahmet Zogu shpresonte t’i vinte një fre edhe kolonializmit totalitar të italianëve, të cilët Adriatikun e konsideronin det të brendshëm dhe për pasojë trojet e banuara prej shqiptarëve pjesë e natyrshme e territorit të tyre.
Me Britaninë e Madhe në krye të qoshesë kryeministri që u bë president dhe më pas mbret kryente edhe një operacion tjetër: mbrohej nga Bashkimi Sovjetik. Për shqiptarët vinte prej një të kaluare të thellë mosdashja e rusëve, por tanimë atje kishin triumfuar edhe komunistët. Këta qenë për përmbysjen dhe likujdimin e pronës private. Të pasurit qenë shpallur armiq. Po të gjenin shteg e fitonin në Shqipëri i pari i shpronësuar dhe i hedhur në burg do të qe pikërisht Zogu. Kështu ai gjente një mijë arsye më shumë për të ngritur një mur të lartë ndaj Moskës.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës qenë një vend shumë i madh dhe i zhvilluar, i fuqishëm dhe plot shpirt liberal, por që nga fillimi i vitit 1918 e deri në mbyllje të 1920, së pari diaspora shqiptare në atë vend e bashkë me të pa u epur edhe klasa politike në Tiranë qenë lodhur, madje rraskapitur, për të fituar të drejtën ta kishin si shtetin e parë mandator, protektor, mbrojtës, sigurues, garantues, por përveç disa impulseve të çastit, pothuaj regëtime, nga zemra dhe mendja e supervendit me pesëdhjetë e një shtete nuk kishte ardhur as gatishmëri dhe as pëlqim. Madje, sapo kishte ndërruar jetë i ëmbëli Uillson, presidenti pasues, Voren Harding, përfshi edhe Senatin, patën votuar së bashku që jugu i Shqipërisë t’i dorëzohej Greqisë.
(Vijon)
Tiranë, më 12 korrik 2011