Varhelyi fton Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën t’i bashkohen “Ballkanit të Hapur”

Tiranë, 21 dhjetor 2021 – Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Oliver Varhejli, e vlerësoi angazhimin e liderëve të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes nismës rajonale “Ballkani i hapur”.

Në një adresim online takimit të radhës të nismës “Ballkani i Hapur” që u zhvillua të martën në Tiranë, ai u bëri thirrje Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës t’i bashkohen kësaj nisme.

“Mund të më përfshini si mbështetës për ‘Ballkanin e Hapur’. Ne mendojmë se çdo bashkëpunim rajonal është i mirëpritur në të mirë të Ballkanit dhe të BE-së. Ftoj edhe tre partnerët tjerë të bashkohen në këtë nismë, e cila e shton punësimin, ekonominë dhe mirëqenien dhe mund të ndryshojë realitetet në terren”, tha Varhelyi, transmeton Zëri i Amerikës.

Sipas  tij, nga ky bashkëpunim dhe përmes krijimit të tregut të përbashkët rajonal mund të rritet për një të tretën Prodhimi i Brendshëm Bruto për secilin vend.

Varhelyi i cilësoi mjaft të dobishme lehtësirat kufitare, njohjet e diplomave dhe dokumentet tjera.

“Nuk ka kuptim të lidheni me rrugë e trena dhe të ndaloni në çdo kufi. Ju nxis të vazhdoni dhe shpresoj që edhe tre partnerët e tjerë t’ju bashkohen”, theksoi komisioneri Varhelyi.

(r.m.)