Vatra mban Kuvendin në New York – Dr Gjon Buçaj zgjidhet kryetar

Nga Beqir Sina

YONKERS, NY: Kuvendi i Federatës PanShqiptare të Amerikës, Vatra, u hap me një përshëndetjeje të dërguar nga Kryetari i Nderit, zoti Agim Karagjozi, i cili, është tërhequr për arsye shëndetësore. Ky titull, deri tani, i është dhënë vetëm të ndjerit Anthony Athanas.
Kuvend i 27 prillit 2013, në Yonkers, New York, u mbajt 20 vjet mbas inxhinier Agim Karagjozi u zgjodh kryetar, detyrë të cilën e kreu me një vullnet dhe përkushtim të pashoqe, deri në dorëheqje.
Në këtë Kuvend, morën pjesë dhjetëra delegatë dhe mysafirë dashamirës të Vatrës, nga New Yorku dhe vende të tjera në SHBA.
Mbas zgjedhjes së Komisionit prej tri vetësh, për verifikimin e kredencialeve të delegatëve, Kryetari i Kuvendit të Vatrës, u votua zoti Asllan Bushati, sekretarë u zgjodhën Mondi Rakaj dhe Naze Veliu, të cilët ndoqën dhe procedurën e këtij Kuvendi në bazë të Kanunores së Vatrës.
Më pas u kënduan hymnet kombëtare të SHBA dhe Shqipërisë nga këngëtarja e mirënjohur Merita Halili, shoqëruar në fizarmonikë nga mjeshtri Raif Hyseni. Me një minutë heshtje të pranishmit pastaj nderuan të gjithë të rënët e kombit amerikan dhe të Shqipërisë.
Ministri i Diasporës së Kosovës, zoti Ibrahim Makolli, i uroi punë të mbarë këtij Kuvendi dhe tha se Vatra ishte adresa e vetme që u drejtuan shqiptarët, prej kolonive të para dhe ishte institucioni i vetëm shqiptarë në botë që mbajti gjallë frymën kombëtare. “Sot, ne kemi nderin të kujtojmë të gjithë atat vatranë, veprimtarë dhe aktivistë të çështjes tonë kombëtare, që nuk janë më në mesin tonë. Të kujtojmë, dy kolosët e Vatrës, Nolin e Konicën, të cilët më mirë se secili tjetër shqiptarë, e jetësuan thënjën në praktikë të rilindasve tanë, Një jetë të tërë në shërbim të Kombit”, tha ai.
Kuvendin e përshëndeti edhe asambleisti i parë shqiptar në New York, zoti Mark Gjonaj.
“Vatra me vite të tëra u shndërrua me të vërtet në një ‘Vatër zjarri’”, u shpreh në fjalën përshëndetëse, Ambasadori Bekim Sjediu, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, “atë të përpjekjeve të mëdha dhe të parreshtura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që bënë shqiptarët, prej themelimit të saj. Ajo, u gjend në ditët më të vështira për kombin tonë, atëhere kur mungonte shteti shqiptarë, dhe udheheqësit e parë të saj Noli, Konica, Peci, Koçi, Vasili, Çerkezi, e shumë të tjerë, i prinë çështjes tonë, në SHBA”.
Ambasdori Sejdiu, vuri në pah se Vatra qëndron edhe sot si simbol i përpjekjeve të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’i dalë zot shqiptarëve në trojet e tyre dhe atdheun e tyre. Për më tepër, tha ai, Vatra, vazhdon të mbetet një shtyllë, që ka edhe një simbolik të veçantë, përsa i përket përpjekjeve të shqiptarëve të Amerikës, për t’i ruajtur vlerat e traditat tona kombëtare në diasporë.
Duke shfrytëzuar rastin, tha Sejdiu, i bëjë thirrje Vatrës dhe organizatave të tjera, në SHBA, që veprimtarinë e tyre, ta përqendrojnë tash e tutje, tek brezi i ri, te shqiptaro-amerikanët e rinj, të bartin tek ata virtytet dhe vlerat tona kombëtare.
Kuvendin e Vatrës e përshëndeti edhe Konsulli i Përgjithëshëm i Shqipërisë në New York, zoti Dritan Mishto, i cili tha se “Ato thinjat e juaja mbi kokë, janë energjia dhe puna e madhe që keni bërë ju dhe të gjithë vatranët prej themelimit të saj – i dëshiroj punë të mbarë këtij Kuvendi të madh dhe suksese në të ardhmen”.
Zoti Hafiz Shala, veprimtar dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane – LQSHA, e quajti përvilegj dhe nder, që përshëndetëte në këtë Kuvend të shoqatës Vatra, në emër të LQSHA, lobit të parë shqiptarë në Amerikë, dhe të vetëmit dedikuar çështjes kombëtare dhe presidentit të saj Joe Dioguardit.
Zoti Idriz Lamaj lexoi një mesazh nga z. Mal Berisha, Anëtar Nderi i Vatrës, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Londër. Kuvendin e Vatrës e përshëndeti gjithashtu edhe nga Shoqata Kombi në Massachusetts, zoti Artu Vrekaj, nismëtar për krijimin e degës së Vatrës në këtë shtet.
Kuvendin e Shoqatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA, e përshëndeti edhe kryebashkiaku i Qarkut të Yonkersit, zoti Mike Spano, asambleistja e New Yorkut, Shelley Mayer dhe miku i madh i shqiptarëve në Kongresin Amerikan, Eliot Engël.
Seanca e parë e Kuvendit të Vatrës, vazhdoi punën e saj me leximi i mesazheve përshëndetëse: Dega Washington DC, Znj. Merita Bajraktari-McCormack (u lexua në mungesë), Dega Michigan, z. Alfons Grishaj; Dega Hudson Valley, z. Elmi Berisha; Dega South Florida, z. Kolec Ndoja, Dega Jacksonville, Florida, z. Adriatik Spahiu; Dega Queens, NY, dr. Skender Myrtezani; Dega South Westchester, NY, z. Nick Markolaj; Dega Newburgh, NY, dr Nexhat Kalici.
Më pas u lexua raporti i kryetarit Dr. Gjon Buçaj.
Një Raport mbi gjëndjen financiare u mbajt nga Arkëtari i deritanishëm, z. Deni Blloshmi ndërsa Raporti i tjetër i përgjithëshëm, u mbajt nga Kryetari i Fondacionit “Vatra Foundation, Inc.”, Dr. N. Kalici. Kurse, Raporti i Fondit të Studentave “Vatra Educational Foundation” u mbajt nga z. Mithat Gashi dhe Raporti i i Editorit të gazetës “Dielli”, z. Dalip Greca, mbylli punën e Seancës së parë.
Seanca e dytë nisi me shpalljen e dy kandidaturave, atë të kryetarit në fuqi të Vatrës dr Gjon Buçaj dhe Nick Markolaj, kryetar i degës së Westcheterit.
Ata shpalosën pikpamjet e tyre për Vatrën, dhe u fol gjerësisht për të ardhmen e Vatrës, në kushtet e një zhvillimi dhe përparimit të saj bashkëkohor, me qëllim që Vatra të forcohet edhe me shumë, duke ia besuar të ardhmen e saj, brezit të ri, të shkolluar dhe edukuar në SHBA, intensifikimin e përpjekjeve për gjallërimin e aktivitetit të Federatës më të vjetër të shqiptarëve në diasporë.,
Kreu i Vatranëve në veri të New Yorkut, zoti Markola, bëri një prezantim të shkëlqyer për projektin e tij, për të ardhëmen e Vatrës, me titull “Vatra nesër – VATRA Tomorroë ” nëpërmjet një video projeksioni, interesat, duke marrë me vete një respekt dhe mirënjohje të thellë nga të gjithë delegatët e Kuvendit, por, edhe nga vetë kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, i cili e përgëzoi Markolën.
Markola, tha se “në rrethanat e reja, ku kërkohet një ritëm i ri pune në përshtatje me kohën tekonologjinë dhe mënyrën e re të organizmit, për ta gjallëruar Federatën Panshqiptare Vatra, pikësëpari duhet për të shtuar me anëtarë të rinj dhe për të ngritur edhe më shumë degë nëpër shtete të Amerikës e Kanada, rritur anën finanaciare dhe duhet futur një frymë e re”, tha Markola.
Më pas u kalua në diskutimet e kryetarëve të degëve dhe anëtarve të Vatrës, të cilët dhanë dhe disa propozime per ndryshimet në Kanunoren e Vatrës.
Me “tërheqjen” në momentin e fundit të votimit, nga Nick Markola, Dr Gjon Buçaj, u shpall Kryetari i ardhëshëm i Federatës PanShqiptare Vatra nga Kryetari i Kuvendit të Vatrës, zoti Asllan Bushati, në mes duratrokitjeve.
Me këtë rast Kuvendi i Vatrës, vlerësoi kontributin e dr. Gjon Buçaj dhe e votoi unanimisht si kryetar i Vatrës, deri në Kuvendin e ardhshëm.
Dr. Gjon Bucaj, i cili është kryetari i parë në historinë e Vatrës, i besimit katolik, vuri në dukje “vlerën e lartë të urtësisë dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të zotit Agim Karagjozi, në udhëheqjen e Vatrës” dhe falënderoi atë dhe të gjithë vatranët për besimin që i dhanë. “I vetëdijshëm për përgjegjësinë e rëndë të kësaj detyre” shtoi ai, ” e pranoj duke u mbështetur në besimin e të gjithë Vatranëve se do të punojmë edhe më shumë së bashku “.
Për nder të mbylljes me sukses të punës së Kuvendit të Vatrës, në lokalin e bukur Lighthouse Restaurant – në City Island Avenue, Bronx, NY, u shtrua një darkë. Gjatë darkës iu dhanë Çmimet e Meritës disa vatranëve, të dalluar në 30 vitet e fundit.