Vazhdojnë eksportet e drithit të Ukrainës nëpër Detin e Zi

Stamboll, 5 gusht 2022 – Tri anije të tjera të ngarkuara me drithë u larguan sot nga portet e Ukrainës në drejtim të Turqisë për inspektim, njoftoi ministria turke e mbrojtjes.

Rifillimi i eksporteve ukrainase të grurit shihet si një provë e marrëveshjes së Kievit dhe Moskës me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë për krjimin e korridoreve për kalimin e sigurt të anijeve ukrainase, të bllokuara në porte që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurt.

Qendra e Përbashkët Koordinuese në Stamboll, e cila grumbullon personelin inspektues nga Rusia, Ukraina, Turqia dhe Kombet e Bashkuara, njoftoi se dy nga anijet janë nisur nga një port në qytetin Chornomorsk dhe një nga Odesa.

Tre anijet që transportojnë një mbi 58 mijë tonë misër u autorizuan të largohen nga portet e Ukrainës, në kuadër të një marrëveshjeje për të rinisur eksportet e grurit ukrainas, të cilat ishin bllokuar që nga fillimi i sulmit të Rusisë më 24 shkurt.

Ministria turke e Mbrojtjes shkroi në Twitter se një anije me flamurin e Panamasë “Navistar”, që po transporton 33 mijë tonë misër, pasi të inspektohet në Stamboll do të niset drejt Irlandës.

Anija e dytë malteze “Rojen”, po transporton 13 mijë tonë misër drejt Britanisë.

Ndërsa anija turke “Polarnet” u nis në drejtim të portit “Karasu” të Turqisë në Detin e Zi me 12 mijë tonë misër.

Ukraina është një nga eksportuesit kryesorë të drithërave në botë. Sulmi i Kremlinit bllokoi dërgesat e saj meqenëse rrugët kyçe në portet ukrainase në Detin e Zi u mbyllën krejtësisht, çka shkaktoi rritje të çmimeve globale të ushqimit dhe frikë për një krizë të thellë të urisë, sidomos në Afrikë dhe Lindje të Mesme.

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power tha se bota po përballet me një krizë globale të ushqimit me miliona njerëz që vuajnë nga uria.

Ajo tha se kjo është rezultat i konflikteve lokale, dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia, thatësirat dhe ndryshimet klimatike. Sulmi rus në Ukrainë ka ndërlikuar edhe më shumë gjendjen që veç ishte e rënduar thotë ajo.

“Pasojat më të rënda të krizës ushqimore nuk janë ndjerë ende. Jemi në prag të një situate shumë të zymtë”, tha zonja Power në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press.

“Tani gati 20 milionë njerëz vuajnë nga uria dhe varen nga ndihmat urgjente të ushqimit. Por donatorët dhe vendet tjera janë në pozita të vështira, sepse kriza e ushqimit është një krizë globale e përkeqësuar nga lufta e Putinit në Ukrainë”, thotë ajo.

Tre anijet që u nisën nga Ukraina sot japin shpresë se eksportet drejt vendeve në zhvillim do të rriten.

Por, shumica e drithit që Ukraina po përpiqet të eksportojë, përdoret për ushqim kafshësh, jo për njerëzit, thonë ekspertët.

Kjo sepse eksportet, sipas marrëveshjes, parashihet të kenë një fillim të ngadaltë dhe të kujdesshëm për shkak të kërcënimit nga minat shpërthyese në bregdetin e ukrainas në Detin e Zi.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*