Vazhdojnë të mbahen të bllokuara rrugët afër pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjakë

Prishtinë, 21 shtator 2021 – Rrugët afër pikave kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë në Jarinje dhe në Bërnjakë, në pjesën veriore të Kosovës, vazhdojnë të mbahen të bllokuara qysh prej ditës së hënë.

Të dy pikat kufitare vazhdojnë të mbeten jashtë funksionit, për shkak të rrugëve të bllokuara, në të cilat nuk ka qarkullim të automjeteve.

Grupe serbësh i kanë bllokuar të hënën rrugët me kamionë dhe mjete tjera, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që të vendosë masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve. Por, të martën në mëngjes është parënumër më I vogëli protestuesve se një ditë më parë, në të dy vendkalimet.

Forcat e Policisë së Kosovës kanë qëndruar gjatë gjithë natës në afërsi të dy vendkalimeve kufitare, për të parandaluar çfarëdo veprimi që do të cenonte sigurinë në këtë zonë.

Sidoqoftë, situata e sigurisë vazhdon të jetë e qetë, pavarësisht tensioneve që janë ngritur për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë natës, protestuesit që po i mbajnë të bllokuara rrugët kanë  ndezur zjarre për t’u ngrohur, por nuk ka pasur ndonjë incident.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën në Kuvendin e Kosovës se ky vendim nuk është marrë me dëshirë të Kosovës, por është imponuar nga Serbia.

Por, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, si shenjë pakënaqësie edhe më 20 shtator, kur ka nisur të zbatohet kjo masë.

Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhama, para dhe prapa.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë më 20 shtator se autoritetet në Prishtinë po demonstrojnë forcë dhe se ato e kanë interpretuar sipas dëshirës së tyre Marrëveshjen e Brukselit, kur njoftuan për zbatimin e reciprocitetit për targat e automjeteve.

Vuçiq e ka përshkruar situatën në Kosovë si “një nga ditët më të vështira për popullin serb në Kosovë”.

Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendimi për reciprocitet në çështjen e targave të automjeteve me Serbinë është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.

“Asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me obligimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie”, ka thënë Osmani në Facebook.

Sipas vendimit të autoriteteve në Prishtinë, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Veturave po u vendoset në xhamin para dhe prapa.

Të njëjtën masë e ka zbatuar tash e sa vite edhe Serbia për automjetet nga Kosova.

Çështja e targave ishte rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, tëarritur në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas kësaj marrëveshjeje, të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe t’i heqin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

(r.m.)

Comment

*