Vazhdon bllokada e dy vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës

Prishtinë, 24 shtator 2021 – Dy pikat kufitare midis Kosovës e Serbisë në veri, Jarinjë dhe Bërnjak, vazhdojnë të mbahen të bllokuara qysh prej ditës së hënë.

Grupe serbësh qëndrojnë gjatë gjithë kohës në rrugët e mbyllura me kamionë e makineri të rëndë dhe me zhavor, disa qindra metra nga vendkalimet kufitare, ndërsa policia e Kosovës vazhdon të mbikëqyrë situatën e sigurisë në vend.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident që do të cenonte situatën e sigurisë.

“Vlerësohet të jetë një situatë e njëjtë me pengesat e ndryshme të vendosura me automjete, me mjete të rënda transportuese, me zhavorr etj, në lokacione të ndryshme drejt pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak”, ka thënë Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Bllokada e vendkalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak janë bllokuar nga grupe serbësh që kundërshtojnë vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.

Me këtë masë, shoferët e automjeteve nga Serbia që hyjnë në Kosovë duhet t’i heqin ose t’i mbulojnë targat “RS” dhe të pajisen me targa të përkohshme të Kosovës.

Kjopraktikë është saktësisht praktika që Serbia e zbaton qysh prej vitit 2011. Drejtuesit e automjeteve me targat “RKS” që hyjnë në Serbi janë të detyruar t’i heqin ose t’i mbulojnë ato dhe të pasijen me targa të përkoshshme “Proba”

Ndonëse deri më tani nuk ka ndodhur asnjë incident serioz, në pjesën veriore të Kosovës, e cila është e banuar më shumicë serbe, mbretëron një atmosferë e tensionuar. Në afërsi të pikave kufitare, në anën e Serbisë, janë parë lëvizje të forcave të xhandarmërisë dhe të ushtrisë serbe. Në afërsi të zonës janë parë edhe helikopterë të ushtrisë së Serbisë.

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, të enjten në mbrëmje i ka vizituar forcat ushtarake në Rashkë dhe në Novi Pazar, që gjendet në zonën kufitare me Kosovën. Ai ka thënë se trupat ushtarake serbe atje janë në gjendje të gatishmërisë së lartë.

Edhe pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, herë oas here, vazhdojnë të vëzhgojnë situatën me helikopterë. KFOR-i ka thënë se vazhdon të ushtrojë mandatin e vet, por nuk ka dashur tëkomentojë për situatën.

“Misioni i udhëhequr nga NATO, KFOR, vazhdon që në përditshmëri të zbatojë mandatin e Kombeve të Bashkuara – sipas rezolutës 1244 të vitit 1999 – për të siguruar një ambient të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, ka thënë KFOR-i.

Autoritetet ndërkombëtare po e ndjekin me shqetësim situatën në këtë zonë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës dhe u kanë kërkuar të dy palëve që të mos ndërmarrin veprime tënjëanshme që rrezikojnë të provokojnë rritje të tensionit.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme e siguri, Joseph Borrell, dhe emisari special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, u kanë bërë thirrje të dyja palëve që të gjitha çështjet e hapura t’i zgjidhin me bisedime, nëkuadër të dialogut.

Borrell ka thënë se të dy palët duhet t’i zbatojnë pavonesë marrëveshjet e arritura në Bruksel, gjatë dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se reciprociteti për targat është masë e imponuar nga Serbia, e cila nuk po heq dorë nga praktika e heqjes ose mbulimit të targave të automjeteve të Kosovës, ndonëse me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të nënshkruar nga të dyja palët në Bruksel, kjo praktikë duhet të ndërpritej më 15 shtator.

Por, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala kosovare po e interpreton marrëveshjen në mënyrën e saj dhe e ka akuzuar Prishtinën se nuk poe zbaton marrëveshjen për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe në Kosovë. Përtej kësaj, ai e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për dërgimin e forcave policore në pjesën veriore të Kosovës që është e banuar më shumicë serbe.

Vuçiq ka kërkuar tërheqjen e menjëhërshme të Policisë së Kosovës nga veriu, me arsyetim se prania e saj përbën provokim për serbët atje.

(r.m.)

Comment

*