Vdekjet në aksidentet rrugore, mallkimi i komunitetit shqiptar në SHBA

Bilanci i tmerrshëm i rrugës 5 të vdekur e shumë të plagosur brenda tri ditëve – Tregojuni të rinjve për bashkëmoshatarët e tyre që po ikin në pa gëzuar mirë jetën – parandaloni fatkeqësi të tjera

 

26-6 okNga Ruben Avxhiu

Aksidentet rrugore nuk pyesin për moshë e për prejardhje po kohët e fundit kaq shumë të rinj shqiptarë janë duke humbur jetën në fatkeqësi të tilla, sa që komuniteti nuk mund dhe duhet të rrijë duarkryq.
Organizatat shqiptare duhet të marrin nismën për të edukuar dhe këshilluar të rinjtë dhe familjet e tyre që të ndërgjegjësohen për rreziqet e rrugës.
Dihet se të rinjtë kanë kokën e tyre dhe nuk janë gjithnjë të prirur të dëgjojnë e besojnë këshilla, por ata duhet të mësojnë se çfarë u ka ndodhur bashkëmoshatarëve të tyre se asgjë nuk edukon më shumë sesa fatkeqësia që i ka ndodhur dikujt tjetër.
Kjo nismë nuk duhet parë si fajësim i të rinjve tanë. Së pari, jo të gjithë ata që kanë humbur jetën në këto aksidentet janë të rinj dhe shumë shpesh nuk ka qenë faji i viktimave por vozitësve të makinës me të cilën janë përplasur apo edhe thjesht kanë qenë fatkeqësi të pashmangshme natyrore, difekte të makinës etj.
Gjithësesi, edhe për këto, shqiptaro-amerikanët duhet të jenë të ndërgjegjshëm.
Ditën e dielë, në 10 të natës, dy motra shqiptare në Texas (Teksas), nxënëse në shkollën e mesme kishin humbur jetën në një aksident automobilistik. Mergimtare Bojkaj ishte vetëm 17 vjeç. Liridane Bojkaj, 14. Dy jetë që u shuan pa filluar mirë. Vëllai i tyre Murteza Bojkaj, 19 vjeç është në gjendje të rëndë, në spital.
Në atë rast, në timon ishte Hava Shala, 33 vjeçare, e cila ishte përpjekur të shmangte një objekt në mes të rrugës por kthesa e menjëhershme e drejtimit, kishte bërë që makina të humbiste drejtpeshimin dhe të rrokullisej disa herë në mënyrë fatale.
Në faqen në facebook të Murteza Bojkajt që tani është duke luftuar për jetën është një fotografi e babait të tij, rreth 9 vite më parë kur sapo ka mbërritur në SHBA. Murtezai shpreh dëshirën e tij që t’i ngjajë të jatit kur të rritet. Si për të ashtu edhe për dy motrat e tij, ata që i kanë njohur i përshkruajnë si fëmijë të jashtëzakonshëm.
Po atë mbrëmje, të dielën vonë, dy të rinj të tjerë Gjon Kolnrekaj, 26 vjeç dhe Esmin Ljesnjanin, 23, humbën jetën kur makina e tyre goditi një tabelë të rrugës dhe pastaj një pemë, afër New City. Në timon ishte Esmini, të cilin forca e përplasjes e hodhi jashtë automjetit, i cili u nda në dysh.
Ditën e hënë, ndërsa përgatisnim numrin e radhës të gazetës “Illyria”, erdhi lajmi i dy vajzave. Për dy djemtë nuk e dinim ende, por ndërsa përgatisnim këtë numër që keni sot në duar, të afërmit e miqtë e Gjon Kolnrekaj ngushëllonin familjen e tij në zyrën funerale, Farenga Brothers në Bronx. Një meshë mbahet sot për të në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, përpara se të përcillet në banesën e fundit.
Njoftimi i Kishës thotë se i ndjeri është djali i Marjan Kolnrekajt. Një tjetër prind që humbi fëmijën e tij.
Bilanci i tmerrshëm i rrugëve u shtua të mëtkurën në orën 3:30 të mëngjezit, kur një tjetër shqiptar, 33-vjeçari, Arben Smajlaj nga Mahopac, po udhëtonte në autostradën I-84,afër Newburgh, kur automjeti i tij u godit nga pas nga një tjetër makinë.
Për ironi të fatit, policia dyshon se aksidenti në këtë rast ka ndodhur jo nga shpejtësia e lartë nga por nga ngadalësimi i automjetit të Smajlajt. Rasti është ende në hetim, por goditja nga pas ka qenë fatale për të riun shqiptar që humbi jetën
Ndërsa është e mundshme që viktimat e këtyre ditëve të mos kenë pasur asnjë faj për aksidentet që ua morën jetën, humbja e tyre duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për familjet shqiptare e komunitetin tonë. Pas kaq vitesh humbjesh të ngjashme është mbase koha të bëhet një përkujtimore për të gjithë ata.
Një përkujtimore do të nderonte kujtimin e atyre që humbën jetën në aksidente, shumë prej të cilëve kanë qenë anëtarë të vyer të komunitetit tonë. Do të ishte një rast i mirë për familjet e tyre që të ndanin kujtimet e tyre më të mira për ta me bashkatdhetarët e komunitetit.
Nga ana tjetër do të shërbente për të ndërgjegjësuar shqiptarët e rinj por edhe të të gjitha moshave për rreziqet e rrugës, sidomos në ditë si ajo e të dielës, kur finalja e Superbaulit gjithnjë sjell tragjedi rrugore, ashtu si sjellin edhe festat e mëdha të vitit, kur njerëzit janë më të shpenguar e më të pakujdesshëm se normalisht.
Jeta e humbur nuk kthehet më dhe maksimumi që mund të bëhet është të parandalohen këto vdekje të kota e mizore.