Vdes në Beograd ambasadori i Serbisë në Rusi, Mirosllav Llazanski

Beograd, 4 gusht 2021 – Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka njoftuar më 4 gusht për vdekjen e ambasadorit të Serbisë në Rusi, Mirosllav Llazanski.

“Dedikimi i tij, përkushtimi dhe devotshmëria si ambasador i shtetit tonë, do të kujtohet ashtu sikurse shumë aktivitete me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit dhe miqësisë në mes të Serbisë dhe Rusisë”, thuhet në njoftimin  e  ministrisë.

Ministria ka thënë se Llazanski ka vdekur “papritur”, kurse mediet serbe, duke iu referuar zyrtarëve të kësaj ministrie, shkruajnë se ai ka pasur sulm në zemër.

Llazanski, para se të emërohej ambassador, ka qenë gazetar dhe analist ushtarak. Ai ka qenë gazetar i të përditshmes serbe ”Politika”.Ka raportuar nga zonat e konfliktit në Irak, Iran, Afganistan, Çeçeni, Afrikë dhe Lindje të Mesme.

Llazanski ka raportuar edhe nga luftërat e viteteve ’90 në ish-Jugosllavi, si dhe nga Krimea e Ukrainës, kur ajo ishte aneksuar nga Rusia, më 2014.

Ai ka qenë edhe komentator i shpeshtë për organizatën shtetërore ruse “Sputnik”.

Në korrik të vitit 2020, në raportin e grupit “Bellingcat” për ndërhyrjen ruse në Maqedoni të Veriut, hulumtuesit e kanë lidhur Llazanskin me përpjekjet e Moskës “për të krijuar një rrip të vendeve ushtarakisht neutrale” në Ballkan.

“Bellingcat ka thënë se zyrtarë rusë dhe serbë të inteligjencës kanë “krijuar lidhje” me Llazanskin dhe kanë pohuar se “kundërzbulimi maqedonas ka përfshirë Llazanskin si një nga propagandistët më të mëdhenj pro-Kremlinit në këtë shtet”.

Llazanski ishte emëruar ambasador i Serbisë në Rusi, në korrik të vitit 2019.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ngushëlluar familjen Llazanski, duke e cilësuar atë si një “njeri të madh” dhe si humbje për Serbinë.

“Serbia e ka humbur një burrë të mrekullueshëm, ambasadorin e saj në Federatën Ruse, një nga ekspertët më të mirë të mundësive gjeopolitike, strategjisë ushtarake dhe taktikave, një gazetar i jashtëzakonshëm, një publicist dhe, mbi të gjitha, një burrë të mirë”, ka thënë Vuçiq.

Ministria e Punëve të Jashtme të Sserbisë ka njoftuar se ceremonia e varrimit të Llazanskit do të zhvillohet në Beograd, më 6 gusht.

(r.m.)

Comment

*