Vdes në moshën 88-vjeçare ish-Senatori Amerikan, Orrin Hatch –  mbështeti luftën për çlirimin e Kosovës

 

Nga Ruben Avxhiu

Ish-Senatori i Shteteve të Bashkuara, Orrin Hatch vdiq dy ditë më parë në moshën 88-vjeçare. Ishte një nga figurat më të shquara të Senatit ku shërbeu për 42 vjet me radhë.

Hatch ishte republikan por iu bashkua Presidentit demokrat Bill Clinton duke votuar Pro ndërhyrjes amerikane në Kosovë.

Kam përkthyer më poshtë disa nga fjalitë që ka thënë në mbështetje të çlirimit të Kosovës dhe shkëputjes së saj nga Serbia, gjatë një fjalimi në 23 qershor 1999.

 

I mbështes bombardimet ndaj ushtrisë serbe sepse besoj se u bë kohë e gjatë tani që regjimi i Millosheviqit destabilizon dhe ka kryen spastrim etnik në Europë. Dua që bombardimet të shkatërrojnë ushtrinë e tij dhe aftësinë e tij për të destabilizuar Europën juglindore duke vrarë dhe shpërngulur joserbët.

Kam besuar gjithmonë se Millosheviqi duhet goditur që në 1992 kur mbroja politikën që do të na kishte lejuar të armatosnim boshniakët që të mund të mbronin veten si dhe të godisnim ushtrinë serbe që po kryente genocide në Bosnje.

Ende e besoj sot, se po ta kishim bombarduar në mënyrë agresive Millosheviqin në atë kohë, si dhe po të kishim armatosur boshnjakët, nuk do të na duhej të kishim kaq shumë trupa amerikane të dislokuara në Bosnje sot.

 

Me trupa tokësore nëse është nevoja

Përpara fillimit të bombardimeve nuk e mbështesja planin për të vendosur trupa në Kosovë në sipas Marrëveshjes së Rambujesë, sepse më dukej jorealiste.

Tani, që jemi angazhuar ushtarakisht kundër regjimit barbar serb më duket jo e mençur që të deklarojmë gjëra që nuk do t’i bëjmë. Mirëpo nuk besoj se forcat amerikane duhen dislokuar në situata ku nuk kemi një mision të qartë, që përfshin synime politike dhe ushtarake, si dhe një strategji daljeje.

 

Për akuzën se refugjatët e luftës i shkaktoi NATO-ja

Ne e dinim se serbët po përgatisnin të lëshonin ushtrinë e tyre kundër civilëve në Kosovë, kjo është arsyeja pse NATO filloi luftën. Spastrimi etnik vrasja e civilëve është çfarë ka bërë Millosheviqi që nga viti 1991. Duhet të jemi të qartë për këtë: NATO nuk i shkaktoi këto krime; përkundrazi NATO-ja më në fund po u përgjigjet këtyre krimeve. Duhet ta rrisim hapin dhe forcën e sulmeve tona. Fuqia ajrore e NATO-s dhe ajo amerikane po fillojnë të shkaktojnë dëme të rëndësishme ndaj objektivave ushtarake dhe ekonomike serbe.

 

Rambujeja nuk ka rëndësi: kryeni shkatërrimin ushtarak të Serbisë

Disa njerëz besojnë se do ta bindim Millosheviqin që të nënshkruajë Rambujenë duke e bombarduar. Mirëpo, unë nuk besoj se Marrëveshja e Rambujesë vazhdon të ketë rëndësi apo të jetë e realizueshme. Zgjidhja, sipas perspektivës sime është: të përkushtohemi për të përmbushur synimin e fushatës ushtarake copëtimin e fuqisë ushtarake serbe, pastaj izolimin e Serbisë, ndërkohë që promovojmë një alternativë demokratike, deisia të bjerë regjimi i Millosheviqit.

 

 

Për pavarësinë që në 1999. Kosova, ose të paktën një pjesë e saj, nuk mund të mbetet nën Serbi

Sa për statusin e Kosovës, besoj se serbët e kanë i humbur të drejtat e mëparshme për sovranitetin mbi të gjithë territorin. Është e paimagjinueshme që kosovarët mund të jetojnë më ndonjëherë nën autoritetin e serbëve që i masakruan. Çmimi i barbarisë së Millosheviqit duhet të jetë humbja e të paktën një pjese të Kosovës.