Vdes presidenti i fundit sovjetik, Mihail Gorbaçov

Moskë, 31 gusht 2022 – Mihail Gorbaçovi, i cili i dha fund Luftës së Ftohtë pa gjakderdhje, por që nuk arriti të parandalojë shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, vdiq të martën në moshën 91-vjeçare, njoftuan agjensitë ruse të lajmeve duke cituar zyrtarët e spitalit.

Zoti Gorbaçov, presidenti i fundit sovjetik, arriti marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për pakësimin e armëve, si dhe partneritete me fuqitë perëndimore për të hequr Perden e Hekurt që kishte ndarë Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe për të mundësuar ribashkimin e Gjermanisë.

Kur protestat pro-demokracisë përfshinë vendet e bllokut sovjetik të Evropës Lindore komuniste në vitin 1989, ai tregoi vetëpërmbajtje duke mos përdorur forcën – ndryshe nga udhëheqësit e mëparshëm të Kremlinit që kishin dërguar tanke për të shtypur kryengritjet në Hungari në 1956 dhe Çekosllovaki në 1968.

Por protestat nxitën aspiratat për autonomi në 15 republikat e Bashkimit Sovjetik, që u shpërbë në mënyrë kaotike gjatë dy viteve në vazhdim.

Zoti Gorbaçov u përpoq pa sukses për ta parandaluar kolapsin.

Pasi u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike në vitin 1985, kur ishte vetëm 54 vjeç, ai vendosi ta rigjallëronte sistemin duke lejuar liri të kufizuara politike dhe ekonomike, por reformat e tij dolën jashtë kontrollit.

Politika e tij ‘glasnost’ – liria e fjalës – lejoi kritika të paimagjinueshme më parë ndaj partisë dhe shtetit, por gjithashtu inkurajoi nacionalistët që filluan të bëjnë presion për pavarësi në republikat balltike të Letonisë, Lituanisë, Estonisë dhe vende të tjera.

Shumë rusë nuk e falën kurrë Gorbaçovin për trazirat që shkaktuan reformat e tij, duke e konsideruar rënien e mëvonshme të standardeve të tyre të jetesës si një çmim shumë i lartë për t’u paguar për demokracinë.

Pasi vizitoi Gorbaçovin në spital, më 30 qershor, ekonomisti liberal Ruslan Grinberg i tha gazetës së forcave të armatosura “Zvezda”: “Ai na dha të gjithëve lirinë, por ne nuk dimë çfarë të bëjmë me të”.

(Zëri i Amerikës)