Vdiq Charles Caruso, ish-redaktor i gazetës “Illyria”

Disa vjet pas daljes në pension, gjatë një vizite në redaksinë e gazetës “Illyria”, në 2007: Nga e majta, Ruben Avxhiu (redaktor), Charles Caruso, Vehbi Bajrami (botues i gazetës “Illyria”, dhe Dalip Greca (redaktor).

Ish-redaktori i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Charles Caruso, vdiq në 7 gusht, në New York City. Ai ishte 86 vjeç. Caruso ishte shtruar prej muajsh ne spital prej një sëmundjeje.

I lindur dhe i rritur në Queens, New York, Charles Caruso studio në Queens College ku u diplomua në Letërsinë e Gjuhës Angleze. Ai shërbeu në Korpusin e Marinsave të Shteteve të Bashkuara, në bazat ushtarake në Japoni, ku mori edhe gradën e ljëtënantit. Pas lirimit nga ushtria, u kthye në New York City për t’iu përveshur gazetarisë.

Caruso punoi si gazetar dhe redaktor në “New York Post”, “Newsweek” dhe “The National Inquirer”, përpara se të bashkohej me gazetën “Illyria”, in 1991, si redaktori i Sektorit të Gjuhës Angleze.

Caruso ka meritën për gdhendjen e zërit editorial të gazetës. Ai ndihmoi rritjen e qarkullimit të saj në Amerikën Veriore dhe Europën Perëndimore. Në sajë të talentit të tij, “Illyria” u bë në vitet 1990 burimi kryesor i medias në gjuhën angleze për rajonin në Washington, duke ndikuar shumë pikëpamjet dhe botëkuptimin e politikanëve, diplomatëve dhe ekspertëve që merreshin me rajonin e Ballkanit, po sidomos për Kosovën dhe Shqipërinë.

“Ishte një redaktor, koleg dhe mik shumë i mirë”, tha me këtë rast botuesi Vehbi Bajrami, që si gazetar ka punuar prej vitesh me të. “I gjithë stafi i gazetës Illyria ka mësuar shumë prej tij”.

Caruso është edhe autor i librit “It’s Easy When You Have No Choice” (Është e lehtë kur nuk ke rrugë tjetër). Një vëllim humoristik me batuta e shprehje të urta. Ai la pas një djalë, David Caruso (aktor) dhe dy vajza, Joyce Caruso (producente në televizion) dhe Carla Caruso (stiliste argjendarie).

Ish-redaktori i gazetës “Illyria” Charles Caruso (djathtas) me reporterin e gazetës Joseph Finora në 1995.