Veliaj dhe Agaçi dëshmojnë në komisionin hetimor për inceneratorët

Tiranë, 22 shkurt 2022 – Në Tiranë, komisioni hetimor parlamentar për incineratorët dëgjoi sot dëshmitë e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, Erjon Veliaj, dhe sekretarit të përgjithshëm të këshillit të ministrave, Engjëll Agaçi.

Hetimet janë një përpjekje për të hedhur dritë mbi dyshimet, se zyrtarë të lartë kanë abuzuar fondet publike në miliona euro me 3 incineratorët mbetjeve urbane në Elbasan, Tiranë dhe Fier.

Komisioni hetimor parlamentar për incineratorët dëgjoi dëshmitë e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, mbi procedurat e ndjekura për ndërtimin me koncension e incineratorit të mbetjeve urbane të kryeqytetit.

Zoti Veliaj tha se në mars të 2017 i është përgjigjur në parim pozitivisht në emër të bashkisë një shkrese të ministrisë së mjedisit për lejen e ndërtimit të incineratorit, për të cilën mori një vendim për kostot edhe këshilli bashkiak i kryeqytetit.

Ai tha se nuk ka folur në emër të Qarkut, por të bashkisë së Tiranës, dhe se përgjigje të ngjashme pozitive kanë dërguar edhe bashkitë e Vorës dhe Kavajës.

Por kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, tha se “zoti Veliaj dha një dëshmi të rreme, abuzoi duke cituar një vendim të këshillit bashkiak të shtator 2017, që nuk ka të bëjë me çështjen nën hetim” dhe që ka dalë 6 muaj më pas miratimit, që ka dhënë kryetari i bashkisë.

Kryetarja Tabaku tha se bashkia e Tiranës i dha 45 milionë euro shtesë koncensionarit të incineratorit të kryeqytetit si monopol për depozitimin e dherave. Ndërsa zoti Veliaj theksoi se kjo ishte një marrëdhënie pune midis firmave private.

Veliaj dhe Tabaku shkëmbyen gjithë kohës akuza të ndërsjellta për shpifje, gënjeshtra dhe shpërdorim të fakteve dhe dokumenteve të incineratorit.

Sekretari i përgjithshëm i këshillit të ministrave, Engjëll Agaçi, dëshmoi më pas duke theksuar tha se për incineratorin e Elbasanit procedurat janë ndjekur me përpikmëri nga administrata, që qarkullon brenda për brenda dhjetëra propjekte dhe propozime.

Ai mohoi që një projekt vendim i ministrisë së mjedisit në nëntor 2014 për incineratorin e Elbasanit të jetë miratuar ndonjë herë nga qeveria, por vetëm ka qarkulluar tek nëpunësit, që e shqyrtuan nëse përmushte kriteret ligjore.

Në seancën e sotme dëshmojnë edhe ish ministri Damian Gjiknuri dhe deputeti Alqi Bllako.

Gjatë seancës së djeshme, që vazhdoi deri pas mesnate, dëshmuan zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, ministrja Belinda Balluku, ish ministri Shkëlqim Cani dhe kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Komisioni po heton për dyshimet për korrupsion me miliona euro dhe shkelje ligjore me lejet dhe financimet e ndërtimit të tre incineratorët e mbetjeve në Elbasan Fier dhe Tiranë, procedura që kanë nisur 6 vjet më parë.

Kryeministri Edi Rama është po ashtu në listën e zyrtarëve të ftuar për të dëshmuar para komisionit.

Ai ka deklaruar se partia që ai kryeson nuk është zyrë avokatie e askujt që dyshohet se ka shkelur ligjet, se kushdo zyrtar i akuzuar, që mund të ketë abuzuar me fondet publike duhet të përgjigjet personalisht para hetuesve dhe ka marrëdhënie personale me SPAK.

Ish ministri i mjedisit, Lefter Koka, u arrestua për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe rryshfete 3.7 milionë euro gjatë procedurave për incineratorin e Elbasanit.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)