Vendimi i DASH për Berishën, mesazh për të korruptuarit

Uashington / Prishtinë, 6 qershor 2021 – Lufta kundër korrupsionit në nivel global është afirmuar si një prej prioriteteve të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, e ka bërë këtë të qartë në disa raste, ndërsa e ka demonstruar me vendimin për shpalljen person “non grata” në SHBA të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe disa zyrtarëve të lartë dhe biznesmenëve të Bullgarisë. 

Tanya Domi, profesoreshë në Universitetin Columbia në Uashington dhe eksperte për Ballkanin, ka thënë se vendimi për Berishën është shenjë  se administrate e Bidenit do të adresojë çështjen e korrupsionit.

“Vendimi ndaj Berishës duhet të shërbejë si paralajmërim i Administratës Biden se do të përdorë mekanizma të ndryshëm, në mënyrë të kujdesshme, për luftimin e korrupsionit në nivel global. Unë e shoh gjithë këtë si sinjal se kjo administratë do të adresojë çështjet e korrupsionit në përgjithësi”, ka thënë Domi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Florent Spahija, ekspert për çështje ligjore në Institutin Demokratik të Kosovës, mendon se vendimi për Berishën tregon se SHBA e trajton me shume seriozitet luftën kundër korrupsionit. Ai ka thënë se autoritetet e vendeve të Ballkanit duhet ta kuptojnë mesazhin që përcillet nga Uashingtoni përmes vendimit për Berishën.

“Kjo tregon që politikanët duhet ta luftojnë dhe ta marrin seriozisht korrupsionin dhe të mos përfshihen në korrupsion, por të jenë të përkushtuar në luftimin e korrupsionit. Shtetet e Bashkuara janë goxha serioze dhe investojnë projekte milionëshe në vendet e Ballkanit. Ka projekte pa fund për këto vende, të cilat kanë për qëllim demokratizimin e këtyre vendeve dhe luftën kundër korrupsionit”, ka thënë ai.

Profesoresha Domi ka thënë se SHBA nuk mund ta luftojë vetë korrupsionin në vendet e Ballkanit dhe se lufta kundër këtij fenomeni nuk është as e lehtë dhe as e thjeshtë.

“Shtetet e Bashkuara nuk mund ta luftojnë vetë korrupsionin në Kosovë, në Shqipëri ose kudo në Ballkan. Autoritetet amerikane e promovojnë luftën kundër korrupsionit dhe punojnë vazhdimisht që të rritet niveli i luftës kundër korrupsionit”, ka thënë ajo.

Sipas profesoreshës Domi, konfiskimi i pasurisë sëfituar në mënyrë të paligjshme është një  prej mjeteve më efikase për luftimin e korrupsionit,

 “Sundimi i ligjit përbën sfidë të vështirë për shumicën e qeverive atje (në Ballkan), sepse kanë qenë të përfshira në aktivitete korruptive. Unë nuk jam eksperte për luftën kundër korrupsionit, mirëpo kur bllokoni asetet e dikujt dhe nëse ata gjykohen dhe dënohen me burgim, atëherë kjo përbën rrëfim tjetër”, ka thënë ajo.

Sidoqoftë, Spahija beson se vendimet sikur ai i Departamentit amerikan të Shtetit për Berishën, do t’i bëjnë më të përgjegjshëm pushtetarët në vendet e Ballkanit.

“Shtetet e Bashkuara po tregojnë që nuk hezitojnë për të diskredituar publikisht dikë që është korruptuar apo është i dyshuar për korrupsion”, ka thënë ai.

Më 3 qershor, Shtëpia e Bardhë lëshoi një memorandum të presidentit amerikan Joe Biden ku theksohet se lufta kundër korrupsionit do të jetë një ndër interesat thelbësorë të sigurisë kombëtare të SHBA-së.

“Korrupsioni kërcënon sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, barazinë ekonomike, përpjekjet globale kundër varfërisë dhe zhvillimin e vetë demokracisë. Por, duke parandaluar dhe luftuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe duke demonstruar përparësitë e qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, ne mund të sigurojmë një avantazh kritik për Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera”, ka thënë presidenti Biden.

(r.m.)

Comment

*