Veseli: Deklarohem i pafajshëm. Dëshiroj që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt

Hagë, 10 prill 2022 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot (e martë) kanë filluar konferencat dëgjimore lidhur me aktakuzën e zgjeruar ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi).

Më 29 prill, Dhoma e Prokurorisë Speciale ka njoftuar për zgjerimin e aktakuzës ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në seancën e dytë dëgjimore u lexuan aktakuzat e reja ndaj ish kryetarit të  Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit.

Pas përfundimit të leximit të aktakuzës së plotësuar, gjyqtari Nicolas Guillou e pyeti Veselin nëse i ka lexuar dhe kuptuar akuzat e reja.

“Deklarohem i pafajshëm”, tha Veseli, ndonëse gjyqtari Guillou e paralajmëroi se nuk ishte i detyruar që menjëherë të deklarohej.

Veseli tha se i ka kuptuar akuzat dhe theksoi se ai ka dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt.

“Faleminderit z. Gjykatës. I kam lexuar (akuzat e reja). Vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt dhe të kem të drejtën time të shpreh pozitën time dhe pafajësinë para qytetarëve të Republikës së Kosovës, para luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe para këtij gjyqi të nderuar. Faleminderit shumë”, u shpreh Veseli.

Pasi nga gjyqtari Guilloi i dëgjoi të drejtat që i gëzon ai, Veseli tha se do të kishte dëshiruar që ato t’i gëzonte.

“I nderuar z. gjyqtar, ju falenderoj për të gjitha këto të drejta dhe do të kisha dëshirë që këto të drejta, të cilat i përmendët ju, të kem të drejtë edhe t’i gëzoj në këtë gjykatë”, tha ai.

Para seancës dëgjimore ndaj Veselit, në Gjykatën Speciale u zhvillua seanca dëgjimore ndaj Thaçi, i cili gjithashtu u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzat që ivihen barrë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 29 prill e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër katër ish drejtuesve politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e re kundër tyre, kryeprokurori Jack Smith i ka përfshirë disa krime të prentenduara në Suharekë dhe në Gjilan.

Sikurse në aktakuzën e dorëzuar më parë, edhe në aktakuzën e re të ndryshuar, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme.

Aktakuza fillestare ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit është ngritur më 26 tetor të vitit 2020 dhe ishte bërë publike më 5 nëntor 2020.

Katër ish-drejtuesite UÇK-së gjenden në paraburgim prej nëntorit të vitit 20220.

(r.m.)