Vetëvendosja fillon udhëtimin nëpër SHBA

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes, Shpend Ahmeti, nënkryetar i parë, Visar Ymeri, kryetar i Grupit Parlamentar, si dhe Florin Krasniqi, deputet i Lëvizjes, kanë filluar turin e tyre nëpër ShBA.
Qëllimi i këtij turi është forcimi i lidhjeve me komunitetin shqiptaro-amerikan në SHBA, krijimin e partneriteteve të reja me përfaqësues dhe organizata të shtetit amerikan, si dhe sensibilizimi i publikut mbi situatën aktuale ekonomiko-politike në Kosovë përmes prezantimeve nëpër media lokale dhe kombëtare amerikane.
Qytetet që do të vizitohen në këtë tur janë: New York, NY – 24-26 maj dhe 3-4 qershor; Washington, DC – 27 maj dhe 3-4 qershor, 2013; Dallas, TX – 28 maj ; Chicago, IL – 29 maj; Detroit, MI – 30 maj; Boston, MA – 31 maj – 2 qershor,
Albin Kurti është i ftuar në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës për t’i mbajtur disa ligjërata në disa organizata në ShBA, dhe po ashtu në këtë cilësi do të zhvillojë edhe takime me kongresmenë e përfaqësues të tjerë të shtetit amerikan.
Më 24 maj delegacioni është pritur nga përfaqësues të Vatrës të prirë nga kryetari i saj z. Gjon Buqaj, në zyrën e organizatës Vatra në New York. Në këtë takim u diskutua për rolin që organizatat shqiptare në ShBA kanë pasur në avancimin e interesit kombëtar të shqiptarëve. Gjatë kësaj vizite delegacioni i VETËVEDOSJE! po ashtu vizitoi arkivat e gazetës Dielli.
Më pas delegacioni vazhdoi me takime me APEN, organizatë kjo e profesionistëve dhe ndërmarrësve shqiptar në New York. Në takim me përfaqësuesit e kësaj organizate u diskutua rëndësia që profesionistët shqiptar në mërgatë kanë për ta organizuar bashkësinë e shqiptarëve aty ku jetojnë, por edhe në ndihmën që ata mund ta ofrojnë për zhvillimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
Ankesa kryesore që profesionistët dhe ndërmarrësit e New Yorkut kanë është përjashtimi i tyre nga mundësia që t’i ndihmojnë vendeve tona. Vullnetin dhe mundësitë i kanë, por deri tash pushtetet nuk ua kanë mundësuar e as kërkuar një gjë të tillë. Shteti i Kosovës duhet të krijojë mekanizma të bashkëpunimit me shqiptarët që jetojnë jashtë dhe t’ua mundësojë atyre që dijen, aftësitë, dhe specializimin e tyre ta vënë në shërbim të vendit tonë.
Gjatë mbrëmjes së 24 majit përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! shfaqën filmin dokumentar për 6 vjetorin e angazhimit dhe zhvillimit të Lëvizjes, para një publiku të gjerë në Producers Club në New York. Pas shfaqjes pati një diskutim me publikun për programin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për angazhimin tonë politik si dhe për vizionin tonë për të ardhmen politike e ekonomike të vendit.
Në ditën e dytë të turit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në New York, sot delegacioni ynë u takua me afaristë, ndërmarrës dhe politikanë shqiptarë në New York. Këtë ditë takimeve të delegacionit iu bashkëngjit edhe ambasadori William Walker. Në një drekë të organizuar nga afaristi i mirënjohur shqiptar Harry Bajraktari, ku të pranishëm ishin edhe një numër afaristësh tjerë shqiptarë, mori pjesë edhe politikani i parë shqiptar i cili mbanë postin e përfaqësuesit në Asamblenë e shtetit të New York-ut z. Mark Gjonaj.
Qëllimi i kësaj dreke ishte njoftimi për së afërmi i afaristëve shqiptar në New York me programin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE! si dhe me alternativën qeverisëse tonën që e përmbledh vizionin që ne kemi për zhvillimin politik e ekonomik të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Po ashtu u diskutua edhe për domosdonë e përfshirjes së mërgatës shqiptare në ShBA në zhvillimet politike e shoqërore të Kosovës, si dhe për domosdonë e organizimit më të mirë të shqiptarëve në ShBA. Shembulli i mobilizimit të shqiptarëve për ta ndihmuar zgjedhjen e Mark Gjonit në Asamblenë shtetërore të New York-ut flet qartë për mundësinë e madhe që e sjellë bashkimi dhe aktivizimi kolektiv.
Në orët e pasdites delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! prezantoi para shumë të mbledhurve në restorantin Lura në New York, Alternativën e saj qeverisëse dhe rrugën dhe rëndësinë e Republikës sovrane të Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Në këtë prezantim ku folën Albin Kurti, Shpend Ahmeti dhe William Walker, interesimi i pjesëmarrësve ishte i përqendruar në dy gjëra kryesore: si ta përfundojë Kosova procesin e pavarësimit dhe sovranitetit përmes forcimit të shtetit dhe zhvillimit të ekonomisë përmes prodhimit; dhe si të forcohet shteti i së drejtës përmes luftimit të korrupsionit. Shqiptarët në ShBA, të cilët e kanë ndihmuar pa kursim Kosovën në secilën etapë të ballafaqimit të saj, insistojnë që Kosova ta ketë një pushtet të pavarur dhe të pakorruptuar, si mënyrë e vetme që Kosova të bëhet plotësisht sovrane dhe me mundësi të zhvillimit ekonomik.
New York 25 maj 2013