“Vetëvendosja” përdori edhe forcën për të penguar ratifikimin e Marrëveshjes së Brukselit

Anëtarët dhe simpatizantët e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ janë përpjekur të pengonin hyrjen e deputetëve dhe të ambasadorëve të disa shteteve perëndimore në Kuvendin e Kosovës. Me pengesat e tyre është ballafaquar edhe ambasadorja  amerikane në Prishtinë, Tracey An Jacobson. Së paku 20 persona janë lënduar në përleshjet që kanë ndodhur rreth ndërtesave të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës. “Vetëvendosje” ka ftuar qytetarët që t’u pengojnë në të gjitha manyrat ratifikimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel, mes kryeministrave Thaçi e Daçiç      

Bekim Salihu

Prishtinë, 27 qershor 2013 – “Vetëvendosja”është përpjekur të enjten ta pengojë ratifikimin e Marrëveshjes së Brukselit, si brenda ndërtesës së Kuvendit trë Kosovës ashtu edhe jashtë saj. Dhjetëra anëtarë e simpatizantë të këtij subjekti i kanë bllokuar dyert e hyrjes së kuvendit, për të penguar hyrjen e deputeteve në sallën e kuvendit ku ishin ftuar për të votuar ratifikimin e Marrëveshjes me Sderbinë, të arritur në Bruksel, mes kryeministrave Thaçi e Daçiq.

Përpjekja e aktivistëve të “Vetëvendosjes” për t’i ndaluar deputetët ka rezultuar me ndërhyrjen e policisë, e cila ka eskaluar në përleshje mes tyre dhe protestuesve. Raportet e fundit të Policisë së Kosovës flasin për së paku 17 policë të lënduar, tri vetura të policisë të dëmtuara dhe për 68 protestues të arrestuar, ndërsa nga “Vetëvendosja” është kumtuar lëndimi i së paku 11 protestueseve. Policia nuk ka përdorur gaz lotsjellës apo topa uji për t’i shpërndarë protestuesit, ndërsa disa protestues kanë hedhur në drejtim të policisë guzë dhe shishe të mbushura me ngjyrë të bardh.

Numri i protestueseve nuk ka qenë i madh, por qendra e Prishtinës, veçmas zona rreth ndërtesës së Kuvendit dhe asaj të Qeverisë së Kosovës ka qenë pothuaj e bllokuar gjatë gjithë ditës, nga protestuesit dhe kordonët e policisë speciale.

Protestuesit, nëpërmjet altoparlantëve, kanë brohoritur parulla kundër kryeministrit Thaçi e Qeverisë dhe kanë kërkuar nga deputetet e Kuvendit të Kosovës që të mos ratifikojnë marrëveshjen e 19 prillit, të arritur në Bruksel, nga Kryeministri Thaçi dhe homologu i tij serb, Daçiç.

Në lidhje me këto protesta ka pasur reagime të shumta, të cilat përgjithësisht i kanë fajësuar përfaqësuesit dhe simpatizuesit e “Vetëvendosjes”, për, siç është thënë, “qasje të dhunshme”.

Qeveria e Kosovës, nëpërmjet një kuminikate për media, ka shprehur keqardhje për veprimet e dhunshme të aktivistëve të lëvizjes “Vetëvendosje” ndaj deputetëve, ambasadores amerikane dhe përfaqësuesve tjerë ndërkombëtarë.

“Qeveria e Kosovës konsideron se dhuna e ushtruar në mënyrë të vazhdueshme nga kjo lëvizje, në rrugë e sheshe, por edhe tentimi për futjen e dhunës në institucione, është në kundërshtim të plotë me vullnetin e popullit të Kosovës për ndërtimin dhe konsolidimin demokratik të institucioneve të shtetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e Qeverise së Kosovës.

Në reagimin e saj thuhet gjithashtu se vullneti i qytetarëve për Kosovën evropiane, i shprehur me votën e lirë është mbi të gjitha, është mbi synimet për të rrënuar gjithë suksesin e arritur të shtetit të Kosovës dhe mbi synimet e ulëta që për arsye të dështimeve personale në politikë të tentohet të rrënohet perspektiva evropiane e Kosovës.

Qeveria e Kosovës i falënderon deputetët që në seancën e sotme të Kuvendit votuan për ratifikimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbis.

Njësoj ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila e ka cilësuar vandalizëm veprimet e deputetëve dhe aktivistëve të “Vetëvendosjes”.

“Aktivistët e VV jashtë ndërtesës dhe deputetët e saj brenda sallës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kanë vënë hije të keqe vendit dhe e kanë cenuar imazhin e institucioneve tona në sy të qytetarëve dhe të miqve tanë ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Kjo parti u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të përmbajtur dhe të heqin dorë nga aktet e dhunshme.

AAK thekson se dhuna dhe format e tilla të sjelljes në institucionet e vendit janë në kundërshtim me të gjitha parimet demokratike.

Edhe ambasada amerikane në Prishtinë i ka dënuar veprimet e deputetëve dhe aktivistëve e simpatizantëve të “Vetëvendosjes”, të cilët e kanë penguar edhe hyrjen e ambasadorës Tracey Jacobson dhe të personelit të ambasadës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Në deklaratën e ambasadës amerikane thuhet se Shtetet e Bashkuara e respektojnë të drejtat e qytetarëve për liri të shprehjes, por dënojnë veprimet e dhunshme për pengimin e procesit demokratik.

“Liria e shprehjes nuk do të thotë kufizim i lirisë së lëvizjes për të tjerë. Duke u mbështetur vazhdimisht në taktika të dhunshme, Vetëvendosja e dëmton reputacionin e Kosovës së një demokracie në zhvillim”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

Në deklaratë bëhet e ditur se ambasadorja Jacobson ka qenë e ftuar zyrtarisht nga udhëheqja e Kuvendit të Kosovës për të përcjellë seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës.