Vetingu shkarkon edhe Hajdarmatajn, prokurorin e dytë nga tre që akuzuan ish-MB, Tahiri për lidhje narkotrafiku

Knid Ndrenika

Ndërkombëtarët detyruan Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ta rishikonte vendimin e KPK-së, proces që përfundoi këtë të mërkurë me shkarkimin e zotit Hajdarmataj

Ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohuri rëndom si procesi i “Vetingut” nxori nga sistemi i drejtësisë një ndër prokurorët më të zëshëm të Shqipërisë, Besim Hajdarmataj.

Prokurori Hajdarmataj e kaloi fazën e parë te vetingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por u rikthye në apel nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).

ONM detyroi Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ta rishikonte vendimin e KPK-së, proces që përfundoi këtë të mërkurë me shkarkimin e zotit Hajdarmataj.

Komisioneri Publik, Dariel Sina mori përsipër rishqyrtimin e vendimit për ish-kryeprokurorin e Krimeve të Rënda, duke gjetur mospërputhje të pasurisë si dhe disa elementë që sipas tij cenonin besueshmërinë e publikut.

16 tetori 2019 mbeti pas tanimë që 4 gushti 2021 shpalli vendimin përfundimtar duke larguar zotin Hajdarmataj.

Besim Hajdarmataj ushtronte detyrën i caktuar në Prokurorinë e Tiranës pasi Prokuroria për Krime të Rënda u shpërbë me reformën në Drejtësi dhe u krijua Struktura e Posaçme Antikorrupsion, SPAK.

Zoti Hajdarmataj sharkohet si i dyti nga nga tre prokurorët e Krimeve të Rënda që hetuan dhe dërguan për gjykim ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për dyshime të lidhjeve me trafikun ndërkombëtar të drogës me kushërinjtë e tij Habilaj.

Përpara zotit Hajdarmataj u shkarkua prokurori Gentian Osmani, ndërsa e treta akuzuese e ish-ministrit Tahiri, Elizabeta Imeraj është në kufi të shkarkimit me kërkesë të vazhdueshme të ONM-së.

Zonja Imeraj ka hedhur poshtë çdo gjetje të pretenduar të ONM-së ndërkohë që nga Krimet e Rënda u emërua drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, detyrë që e ushtron ende.

Ndërkaq, për muajin korrik 2021, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhnë 18 vendime gjithsej për prokurorë dhe gjyqtarë.

Katër vendime konfirmuan në detyrë 4 prokurorë, 12 vendime shkarkuan nga detyra 7 gjyqtarë dhe 5 prokurorë, 1 vendim ndërpreu procesin për 1 prokuror, 1 vendim pezulloi nga detyra për 1 vit dhe detyrimin për ndjekjen e trajnimit të detyrueshëm pranë Shkollës së Magjistraturës 1 prokuror.

KPK zhvilloi në korrik 32 seanca publike, përfshire seancat dëgjimore publike dhe ato të shpalljes së vendimeve.

Gjithashtu në korrik 2021, u regjistruan dhe administruan 89 denoncime dhe ankesa drejtuar KPK-së për subjektet e rivlerësimit kalimtar, përkatësisht gjyqtarë dhe prokurorë.