Vijat e kuqe të dhunës në Tiranë

Ruben Avxhiu

Vija e kuqe e dhunës është një vijë e padukshme psikologjike, me pasoja të mëdha politike në shoqëri.
Një dhunë e tepruar nga opozita mund të sjellë solidarizimin e natyrshëm të popullsisë me forcat e rendit. Një dhunë e tepruar e këtyre të fundit ndaj protestuesve mund të galvanizojnë protestën.
Mbrëmja e të shtunës, dëshmoi se sa lehtë mund të shkelet vija dhe se mbajtja nën kontroll e qetësisë dhe gjakftohtësisë është lehtë të kërkohet po shumë e vështirë të zbatohet.
Hedhja e kapsollave dhe e molotovëve, ndezja e zjarreve dhe aktet e mosbindjes qytetare duhet të kenë një synim politik, përndryshe ato mund të degjenerojnë në dhunë për hir të dhunës. Nga një anë opozita ka nevojë për protestues të patrembur që nuk druhen të provojnë policinë e të dëshmojnë se po të dojë opozita mund ta rrëzojë shtetin. Nga ana tjetër, opozita ka nevojë që ky grup i flaktë të mos abuzojë me trimërinë e tij.
Populli në përgjithësi ka ndjenja solidariteti për viktimën. Nëse e sheh opozitën si viktimë të dhunës shtetërore, do të solidarizohet me të. Nëse e sheh opozitën si një forcë dhune e anarkie atëhere do të solidarizohet me shtetin.
Policia shqiptare ka zbatuar me një kujdes gati habitës operacionin e përmbajtjes së turmave në disa protesta radhazi, pa ndonjë humbje jete apo dëmtimi serioz. Pavarësisht nga deklaratat qesharake të opozitës për “helm ndaj fëmijëve” e të tjera, veprimi i focave të rendit ka qenë për t’u lavdëruar.
Sonte, një skenë arrestimi e një udhëheqësi të opozitës dëshmon për të kundërtën. Nuk ka nevojë të jesh ekspert në fushën e rendit për të parë sesa zbuluar e nxori skena e filmuar policinë shqiptare.
Në një seri gabimesh, policia e shtetit veproi keq me Sekretarin Organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi. Duke gjykuar nga filmimi i shpërndarë në median sociale, vërtet që drejtuesi opozitar refuzoi të largohej fillimisht, po kur e pa që rrezikoi arrestimin ai nxitoi të ikte.
Tërësisht e panevojshme për policinë që ta ndiqte, kur ai fundja po largohej në drejtimin që i kërkuan. Tërësisht e pafalshme goditja me shkopinj gome pasi ishte rrëzuar përtokë. Njeriu i shtrirë përtokë nuk goditet në asnjë mënyrë. Përkundrazi. Edhe në rast se duhet arrestuar policët duhet ta ndihmojnë të ngrihet në këmbë, në vend që të përfitojnë që të godasin në grup, një njeri të vetëm, të rrëzuar përtokë. Është një minimum humaniteti.
Nuk kam interes për justifikime, se policët mund të kenë qenë të irrituar nga plagosja e shokëve apo ndonjë fyerje që mund të ketë përdorur i arrestuari. Pikërisht për hir të kolegëve të plagosur ata duhej të kishin treguar vetëpërmbajtje. Pas një akti të tillë, këta oficerë të plagosur policie rrezikojnë të shihen jo si viktima por si agresorë. Ata që goditën Sahit Dollapin kur ishte përtokë meritojnë të vihen përpara përgjegjësisë. (Në kohën kur u shkrua ky opinion, Dollapi ishte ende në qeli. Për hir të qetësimit të gjendjes si dhe për shkak të meritës së çështjes, uroj që policia ta lirojë sa më shpejt. Vonesa vetëm sa do të thellojë gabimet e bëra në trajtimin e rastit të tij).
Këto nuk janë situata të lehta. Protestuesit besojnë që mbrojnë lirinë e popullit. Po kështu besojnë edhe oficerët e policisë. Nuk ka shumë vend për arsye e për llogjikë kur dy grupe njerëzish shtyjnë njëri-tjetrin.
Po ka gjithësesi zinxhire përgjegjësie. Policia shqiptare duhet të rishikojë mënyrën e reagimit. Dhuna e tepruar prej saj vetëm sa rrezikon sigurinë e vetë policëve në të ardhmen. Policët që ushtruan dhunë të panevojshme duhen ndëshkuar, jo për të marrë opozitën me të mirë, po se rrezikojnë sigurinë e kolegëve të tyre. Po ashtu, opozita gjithashtu duhet të tregojë më shumë kontroll mbi protestuesit. Tërësisht e panevojshme dhuna mbi kameramanët dhe reporterët, për të cilën me të drejtë ka kritikuar më parë forcat e rendit. Gjithashtu deklarata t’ atilla si ato që programin e protestës “e vendosin qytetarët” tingëllojnë jo si ndonjë akt demokratik po si përpjekje për të larë duart, në rast të ndonjë teprimi.
Pavarësisht nëse jeni pro apo kundër qeverisë, ka rëndësi që si policia ashtu edhe opozita të shmangin humbjet e jetës në njerëz e dëmtimet e rënda trupore. Në fund të fundit, ashtu si u shpreh edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjatë protestës së sotme, konflikti i opozitës është me qeverinë, jo me policët që janë njerëz të punësuar për të ruajtur rendin publik e pronën e përbashkët.