Viola von Cramon: Kryetarët që hyjnë me forcë në zyra, de facto nuk kanë legjitimitet

Prishtinë, 28 maj 2023 – Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se e kupton që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe kanë të drejtë të ushtrojnë funksionet e tyre, por ka theksuar se ata do të kenë “zero legjitimim politik”, nëse hyrja e tyre në ndërtesat komunale bëhet me presence të forcave policore të armatosura rëndë.

“Mendoj se shumë gjëra shkojnë keq në këtë shtet nëse ky është realiteti, nëse shohim makina të blinduara, policë të armatosur rëndë, njësi speciale që 24/7 ruajnë ndërtesat komunale, ne vërtetë duhet të mendojmë për mundësi të tjera dhe opsione të tjera. Kjo nuk është të paktën ajo ne dhe BE-ja kemi në mendje. E di që është situatë e vështirë, siç e kam thënë më parë, Qeveria mund të ketë diçka tjetër në mendje, por si e zbatoi atë, nuk është në linjë me gjithçka, të paktën që ne në BE do të donim të shihnim”, ka thënë Viola von Cramon për Radion Evropa e Lirë.

“Mendoj se jemi në një pikë kruciale se si të procedohet nëse situata vazhdon kështu. Të gjithë jemi shumë të shqetësuar dhe keni parë deklaratën e fortë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, të QUINT-it, të ambasadës sonë. Pra, mendoj se i gjithë komuniteti ndërkombëtar e dënon këtë veprim në mënyrën më të fuqishme të mundshme”, ka thënë ajo.

“Ne nuk mund të zbatojmë thjesht të drejtën për të hyrë në një ndërtesë komunale, edhe nëse de jure keni të drejtë të bëni një gjë të tillë. Por, de facto nuk mendoj se ka legjitimim për të bërë diçka të tillë”, ka shtuar ajo.

Zonja Cramon ka thënë se “duhet një zgjidhje që do të përfshinte edhe banorët lokalë”, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, për shkak së grupe të serbëve lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat e komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Veola Von Cramon ka takuar të dielën kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ajo nuk ka dhënë detaje nga takimi, por ka pohuar se me kryeministrin Kurti kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me situatën në pjesën veriore të Kosovës.

Viola Von Cramon i ka vizituar edhe komunat veriore të Kosovës, ku është takuar me përfaqësues të disa subjekteve politike e orgaznizatave të shoqërisë civile, por nuk është takuar me përfaqësues të Listës Serbe, sepse ata kanë refuzuar ta takojnë.

“Në mëngjes jam takuar me shumë përfaqësues, por fatkeqësisht Lista Serbe ka refuzuar të më takojë. Nuk e di arsyen për këtë (refuzim), do të isha shumë e lumtur që të takohesha me ta”, ka thënë ajo.

(r.m.)