Vitia: Deri në fund të vitit, në Kosovë pritet të arrijnë 2 milionë vaksina

Prishtinë, 1 qershor 2021 – Kosova synon që 60 për qind e popullsisë të vaksinohet kundër COVID-19 gjatë vitit 2021. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kathënë se deri në fund të vitit Kosova do t’I ketë në dispozicion 2 milionë doza.

“Deri në fund të vitit do të kemi në dispozicion deri në 2 milionë doza për vaksinimin e 60 për qind të popullatës”, është shprehur Vitia, gjatë raportimit në komisionin për Shëndetësi të Kuvendit të Kosovës.

Vitia ka folur edhe për procesin e sigurimit  të vaksinave, duke theksuar se kur ka ardhur në krye të kësaj ministrie nuk ka gjetur asnjë kontratë dhe asnjë kontakt me prodhues të vaksinave kundër Covid-19.

““Sa i përket furnizimit me vaksina, neve nuk na u është ofruar ndonjë kontakt me prodhuesit. Ne i kemi vënë kontaktet dhe tashmë e kemi nënshkruar një kontratë. Neve nuk na u është ofruar as marrëveshja e konfidencialitetit. Ato na është dashur t’i sigurojmë nga prodhuesi”, ka thënë Vitia.

Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e  ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj,tani deputet i Kuvendit të Kosovës.

Zemaj ka thënë se të gjitha dosjet për vaksinat, përfshirë negociatat dhe kërkesat drejtuar institucioneve ndërkombëtare, ia ka dorëzuar Vitisë gjatë dorëzimit rë detyrës. Ai ka thënë se ministri Vitia “po flet të pavërteta për ta mbuluar neglizhencën ndaj procesit të vaksinimit”.

Zemaj ka thënë se ai ka qenë dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me pasardhësin e tij në krye të ministrisë së Shëndetësisë për të siguruar imunizimin e qytetarëve nga COVID-19.

(r.m.)   

Comment

*