Vizita e befasishme e Hashim Thaçit në Tiranë

Takohet me kryeministrin Berisha por anullon takimin me Edi Ramën

 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi bëri një vizitë të befasishme në Tiranë, ku u takua me kryeministrin Sali Berisha. Vizita përfundoi disi çuditshëm, pasi nuk u zhvillua takimi i paralajmëruar me kryetarin socialist Edi Rama. Po atë të ditë, të premten, zoti Thaçi udhëtoi ngutshëm për në Prishtinë ku raportoi përpara deputetëve në Kuvend.
Në Tiranë, kryeministri Thaçi dhe kryeministri Berisha thanë se shqiptarët nuk flasin për ndryshim kufijsh. Zoti Thaçi tha se është e rëndë që takohet me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, por e bën për interesa të Kosovës dhe qytetarëve të saj: “Si kryeministër i Kosovës duhet të ulem me ata që deri dje na kanë vrarë dhe kanë ushtruar gjenocid në Kosovë. Edhe ndaj familjarëve tanë, ndaj të gjithë qytetarëve tanë, shokëve, miqve, bashkëluftëtarëve. Me kryeministrin Daçiç nuk është ndonjë takim i vullnetshëm dhe i lezetshëm siç mund të mendojë dikush, por është jashtëzakonisht i rëndë edhe për mua personalisht edhe për popullin tim”.
Zoti Thaçi shtoi se nga takimet me zotin Daçiç u arrit shpërbërja e strukturave paralele serbe në Kosovë. Sakaq, sipas kryeministrit Thaçi, çdo asosacion i serbëve në Kosovë do të veprojë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Serbia më në fund është pajtuar për shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave të tjera ilegale të sigurisë dhe mekanizmave të tjerë që punojnë për destabilitetin e vazhdueshëm të asaj pjese të Kosovës dhe të gjithë Kosovës. Kemi iniciuar formimin e e asosacionit të komunave me shumicë serbe, një mekanizëm integrues, kushtetues dhe ligjor”-tha ai.
Kryeministri Sali Berisha theksoi rëndësinë e dialogut me Kosovë-Serbi: “Zgjidhja e një problematike të shumtë të trashëguar nga e shkuara e afërt midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, është një arritje e rëndësishme për këto dy vende të pavarura dhe për mbarë rajonin”. Kryeministri Thaçi shtoi se nuk ka nacionalizëm nga shqiptarët: “100 vite ndodhën padrejtësi ndaj shqiptarëve. Ne do të ndihemi “1”, pra do të jemi të bashkuar në familjen e madhe europiane, në një rajon pa kufi”.
Për zotin Berisha, përkujdesja për shqiptarët nuk është nacionalizëm: “Shqipëria nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë pretendime territoriale. Do të qëndrojë e palëkundur në mbrojtje të lirive dhe të të drejtave të shqiptarëve, aty ku ndodhen! Nëqoftëse kjo quhet “nacionalizëm” unë mbetem shumë krenar dhe i vendosur në të”!
Zoti Berisha tha se për vizat dhe shtetësinë e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, mund të ketë marrëveshje, por pa rënë ndesh me Brukselin: “Kjo do të zgjidhet me një marrëveshje të negociuar me qeverinë e Kosovës në kohën e përshtatshme. Konsolidimi i pavarësisë së Kosovës është interesi kombëtar i shqiptarëve. Nuk mund të mendohet që të bëhet një “bye-pass”; këtej negociojmë me Brukselin për vizat, këtej të them unë “hajd se ua zgjidh unë”!
Kryeministri Thaçi garantoi se vizat dhe integrimi për Kosovën, mbahen peng nga politika në Bruksel: “Vonesa për liberalizimin e vizave po ndodh padrejtësisht në Bruksel nga mosuniteti politik i vendeve të Bashkimit Europian përsa i përket statusit politik të Kosovës dhe jo te mosimplementimi i kritereve në Prishtinë”.