Vizita, Jonathan Moore nuk zgjidh krizën e KQZ-së

Aristir Lumezi

Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore, në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, në përfundim të një vizite dy ditore në Tiranë nuk arriti të zgjidhë krizën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Edhe pse takoi të gjithë faktorët politikë në vend, kryeministrin Berisha, kreun e opozitës, Edi Rama, kreun e LSI-së Ilir Meta, por dhe kandidatët për deputetë Eduard Selami nga PD dhe Gazmend Oketa nga Fryma e Re Demokratike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket se do të shkojë në zgjedhje i paplotësuar, vetëm me katër anëtarë, nga shtatë që ai ka me ligj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po funksionon pa anëtarët e propozuar nga opozita, dy anëtarë të propozuar nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Ata dhanë dorëheqjen pas shkarkimit në kuvend të anëtarit të Lëvizjes socialiste për Integrim, pas largimit të saj nga koalicioni opozitar. Moore nuk arriti të bindë opozitën që të dërgojë anëtarët e saj në KQZ për të plotësuar numrin e nevojshëm për një funksionim normal të saj, por nuk arriti të bindi dhe kryeministrin Berisha për një riformatim të këtij institucioni.
Në një takim të zhvilluar në Ambasadën amerikane me gazetarë dhe opinionistë të shtypit shqiptar, zoti Moore tha se interesi i SHBA për zgjedhjet në Shqipëri do të jetë i madh. “Shumë prej nesh, në Uashington, po e ndjekim nga afër situatën këtu në Shqipëri. Ne ende do të dëshironim, që të shihnim një kompromis midis qeverisë dhe opozitës, në mënyrë që KQZ-ja të ketë vërtetë shtatë anëtarë. Përshtypja ime është që, në këtë moment nuk ka shumë gjasa, që qeveria dhe opozita të jenë të përgatitura të gjejnë kompromis për këtë. Çështja e mbajtjes dhe atmosferës së zgjedhjeve është e komplikuar. Thelbi është që ne do të dëshironim, që KQZ-ja të kishte shtatë anëtarë. Por, nëse kjo ndodh apo jo, duket se të gjitha partitë janë të gatshme të vazhdojnë me zgjedhjet. Nuk mund të them që, Kolegji Zgjedhor është një zgjidhje. Zgjidhja do të ishte kompromisi dhe diskutimi i mëtejshëm, midis qeverisë dhe opozitës, për të konstituuar plotësisht KQZ-në. Askush nuk po zgjedh ta bëjë këtë. Ambasada ka qenë shumë e qartë, në shqetësimet e saj për ndryshimet në përbërjen e KQZ-së. Ambasadori ynë ka folur për këtë tashmë dhe ne mbështesim qëndrimin e tij, 100 për qind”, ka deklaruar Moore.
Burime nga takimet që zoti Moore ka zhvilluar me krerët e dy partive të mëdha pohojnë se kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është shprehur dakord që raporti politik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të mbetet 4 me 3 për maxhorancën, por ai nuk ka qenë dakord të tërhiqet nga qëndrimi i artikuluar prej tij perj disa javësh, për një riformatim nga e para të këtij komisioni. Ndërsa kryeministri Berisha ka këmbëngulur në takimin me zotin Moore se është në pritje që opozita të dërgojë në KQZ anëtarët e saj, pasi sipas tij, ata vetëm kanë dhënë dorëheqje individuale, dhe nuk janë shkarkuar nga parlamenti. Kjo do të lehtësonte edhe më shumë plotësimin e KQZ me po ata anëtarë ose me anëtarë të rinj, pasi kjo nuk është një procedurë parlamentare. Ajo që tashmë dihet është se KQZ po funksionon dhe do të vazhdojë të funksionojë me katër anëtarë dhe jo shtatë, ndërsa vendimet që do të kërkojnë të paktën 5 vota, do të merren nga Kolegji Zgjedhor, gjykata e Apelit e cila me ligj gjykon të gjitha proceset zgjedhore. Nuk dihet se sa kjo vendimmarrje do të kënaqë palët për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe sa kjo vendimmarrje do të pranohet apo kontestohet nga pala që do të humbë zgjedhjet.